Kantina “Herta” nuk është thjesht çështje e një produkti të mirë, por e një filozofie që shkon drejt shijimit të natyrës, peizazhit, ushqimeve të pastra. E vendosur në një zonë mjaft të bukur të Durrësit, rrugës që ju çon për te Gjiri i Lalëzit dhe Kepi i Rodonit, pranë liqeneve-rezervuarëve të Karrecit, ambientet rreth kantinës ofrojnë mundësinë ideale për të shijuar një gotë verë në natyrë, shoqëruar me produktet e shijshme të zonës.
E përdorur që në lashtësi nga paraardhësit tanë ilirë, vera, kjo pije elegante dhe me shumë sqimë, është cilësuar gjithmonë si e shëndetshme për organizmin. Jo më kot dhe në ditët e sotme moderne, ku ka gjithfarë pijesh me alkool, përzierje esencash e koktejle pa fund, mjekët të vetmen që vazhdojnë ta këshillojnë për konsum në kohën e drekës, është një gotë vere. Dhe, thonë se “është ilaç”.
Në Shqipëri vera nuk ka munguar kurrë, sepse edhe vreshta kemi pasur pa fund, në kohët e lashta, në mesjetë, por dhe në vitet kur teknologjia e përparuar po bën namin. Agroturizmi është prioritet për një vend mesdhetar si i yni. Prodhimi i verës gjithashtu është pjesë e një programi me shumë vlera, ku investitorët duhet t’i japin më shumë hapësira se sa ka aktualisht.
Në këtë kuadër, kantina “Herta” ka bërë një progres të dallueshëm për t’u futur dukshëm në tregun e mbingarkuar me prodhime importi. “Herta” kjo kompani me një emër sa simpatik aq edhe domethënës, nuk është tjetër veçse kantina e familjes Osmani. Apo thënë më shkurt, kantina e Hamdiut, si njeriu iniciator i saj. “Herta” e nisi prodhimin kur kishte një sipërfaqe të disponueshme vreshtash prej 4.5 hektarësh. Ndërsa teknologjia italiane “Della Tofolla” i ka dhënë mundësinë asaj të prodhojë verëra të cilësisë së lartë dhe të jetë një konkurruese e denjë në tregun e verërave shqiptare.
Dhe meqë jemi në Shqipëri, gjithçka mban aromë shqiptare, qoftë dhe në emërtimet e varieteteve. Me llojet e kultivarëve si: Merlot, Trebiano, Toscano, Kabërnet, etj, Herta ka krijuar produkte mjaft interesante si: “Bukuroshja e Maminasit”, “Merlot Dyrrah”, “Kabërnet Savinjon”, “Merlot Trebiano”, etj.
Rozan Osmani, krahu i djathtë i kantinës “Herta” prej 18 vitesh ka punuar në Itali dhe është marrë drejtpërdrejtë me vreshtarinë dhe verërat. Në këtë mënyrë ai ka sjellë dhe një përvojë të çmuar dhe mjaft të përparuar në prodhimin e këtij produkti kaq delikat. Dhe meqenëse distribucioni të siguron që këto varietete shijohen si brenda dhe jashtë kufijve, “Bukuroshja e Maminasit”, është kthyer dhe në simbolin e kantinës, për t’u pëlqyer tejmase dhe në Berlin, Paris e Londër.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 141
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.