Për të humbur peshë dhe për të qëndruar në formë, është më mirë një dietë me pak yndyrë dhe karbohidrate të larta apo një dietë me yndyrna të larta, dhe pak karbohidrate?
Sipas një studimi të botuar në revistën Science, nga hulumtuesit amerikanë në Shkollën Mjekësore të Harvardit në Boston, Universiteti Shtetëror i Ohajos në Columbus dhe Qendra e Hulumtimit të Kancerit Fred Hutchinson në Seattle, nuk do të kishte asnjë përgjigje të përgjithshme të vlefshme: asnjë lidhje specifike midis yndyrnave dhe karbohidrateve nuk mund të të konsiderohet një e mirë për të gjithë. Por mund të thuhet se një dietë me cilësi të lartë që përfshin pa sheqer dhe drithëra të rafinuara, mund të ndihmojë shumicën e njerëzve të ruajnë një peshë të shëndetshme dhe të zvogëlojnë rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kronike.
Për të arritur këto përfundime, David Ludwig, i cili drejtonte studimin, krijoi një ekip shkencëtarësh që kishin aftësi dhe përvoja të ndryshme, me qëllim që të identifikonin dietën më të përshtatshme për të rënë në peshë dhe për të qëndruar në formë. Më pas, autorët shqyrtuan provat që mbështetin tri pozicione kontradiktore në raportin më të mirë mes yndyrave dhe karbohidrateve në dietë:
– pohimet e para që tregonin se konsumimi i lartë i yndyrës shkakton obezitet, diabet, sëmundje të zemrës dhe ndoshta kancer; prandaj dietat me yndyrë të ulët do të ishin optimale;
– pohimi i dytë, në fakt tregonte se, karbohidratet e përpunuara kanë efekte negative në metabolizëm; prandaj dietat ketogjenike – të pasura me yndyrna dhe të varfra në karbohidrate – do të ishin më të mirat për shëndetin;
– në fund, pohimi i tretë konsideron se, sasia relative e yndyrave dhe karbohidrateve në dietë ka më pak kuptim për shëndetin: e rëndësishme është lloji i yndyrës apo i karbohidrateve që konsumohen.
Në fund të analizës, shkencëtarët ranë dakord mbi idenë se cilësia e dietës është ajo që ka rëndësi. Në veçanti, ata besojnë se zëvendësimi i yndyrnave të ngopura ose i atyre të pangopura dhe karbohidratet e rafinuara me drithërat dhe perimet joaminoacide, mund të ndihmojnë shumicën e njerëzve të qëndrojnë të shëndetshëm, duke ndjekur një gamë të gjerë ushqimesh mes yndyrnave dhe karbohidrateve. “Ky është një model për të kapërcyer luftën midis dietave të ndryshme – shpjegon Dr. Ludwig -. Qëllimi ynë ishte që të krijonim një ekip nga fusha të ndryshme të ekspertizës dhe pikëpamjeve të kundërta, dhe të identifikonim fushat e marrëveshjes pa injoruar diferencat”.
Autorët gjithashtu identifikuan një listë pyetjesh që meritojnë ende një përgjigje, që të mund të formojnë bazën e një programi të ri kërkimor për ushqimin:
– Dietat me raportet të ndryshme të karbohidrateve dhe yndyrnave a ndikojnë në përbërjen e trupit (raporti midis yndyrës dhe indit të ligët) pavarësisht konsumit kalorik?
– Dietat ketogjenike ofrojnë përfitime metabolike, duke iu referuar veçanërisht diabetit?
– Cilat janë sasitë optimale të llojeve të veçanta të yndyrnave (përfshirë yndyrnat e ngopura) në një dietë të ulët me karbohidrate?
Gjetja e përgjigjeve për këto pyetje, përfundojnë studiuesit, do të bëjë të mundur zhvillimin e rekomandimeve ushqimore më efektive.
Përgatiti Orjona TRESA / Burimi: http://salute24.ilsole24ore.com/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.