Në fokus

June 1, 2020 | 12:42

Katerina Kapllani: Disa fjalë zemre për të gjithë fëmijët!

Të dashur fëmijë dhe prindër! Është hera e parë për mua që mbyll një vit shkollor të tillë plot sfida, por dhe për ju dhe fëmijët qoftë e fundit e kësaj forme të pazakontë. Në fund të një viti pune, është normale që të falënderojmë nga zemra e po ashtu të kërkojmë edhe falje për atë që nuk kemi mundur të bëjmë, sikurse këtë vit mjaft të vështirë që kaluam. Asnjëri nuk do ta donte këtë situatë, por fal angazhimit tuaj dhe përkushtimit në të mirë të edukimit dhe nxënies së fëmijëve, bashkëpunimi ynë ka qenë një pikë kyçe dhe gurë i rëndësishëm për themelet e forta që i presin të vegjlit në klasën e parë.

Katerina Kapllani, mësuese “Dora D’Istria”

Katerina Kapllani, mësuese “Dora D’Istria”

Sigurisht, barrë të madhe kishit ju prindër këtë herë mbi supe. Jo thjeshtë një kontroll rutinë detyrash, por bërje detyrash e punimesh hap pas hapi….

Pavarësisht vështirësive ju prindërit gjetët forca për të bërë më të mirën e mundshme. Ju faleminderit që më keni ndihmuar në këtë vit të vështirë dhe keni kuptuar më mirë punën e rëndësishme të mësuesve, të cilët bënë shumë mirë piktorin, artistin, kameramanin, regjisorin, spikerin, humoristin, psikologun, hulumtuesin, prindin dhe të gjitha këto për të arritur tek misionari i dijes.

Bashkërisht krijuam përvojën e re dhe bashkërisht mësuam nga përvoja e njëri-tjetrit. Shumë prej komunikimeve nuk mund t’i shpëtoj retorikës së mirësjelljes e vlerësimit reciprok, të qeshura, mos dëshirës për t’i përfunduar detyrat deri në fund, lajka e ledha fëmijërore, të cilat pa dyshim që kanë një masë të madhe pafajësie brenda, por që t’i bëjnë ditët e vështira më të lehta dhe punën më të  bukur. Këtë radhë kemi fituar e lumturuar ditët tona nën zymtësinë e pandemisë me humorin tuaj, ankesat e prindërve, dëshirat që fëmijët kanë, e plot të papritura të tjera që gjithkush ka pasur, me bisedat tona edhe paksa të vona, detyrat apo ndonjë dëshirë përshëndetje me mall.

E mbyllëm këtë vit shkollor si asnjë herë tjetër dhe fatkeqësisht nuk mundemi të organizojmë takimet tona dhe festën tonë afër njëri-tjetrit me plot emocione dhe fjalë zemre, të qeshur pa fund dhe dëshira të ëmbla lozonjare.( eh, për këtë ia kemi marrë “dorën” festat tona kanë jehonë se bëhen dhe më vonë dhe për këtë të jeni të sigurt kur të ktheheni në shkollë do të bëjmë festë e çfarë feste se … …)

Sigurisht që ne sa mbaronim një aktivitet mendonim për tjetrin, këtë kishim bërë dhe për këtë 1 Qershor, kishim thurur ëndrra e kishim bërë plane, po jo të pa realizueshme pasi festa jonë do vazhdojë ndonëse larg njëri- tjetrit. Do t’ju uroj festën tuaj plot dashuri, po të qenit larg s’më lejon t’ju përqafojë dhe përgëzojë për gjithçka që keni bërë në këtë vit shkollor, në këto muaj të vështirë.

Unë jam e bindur se së bashku kemi kaluar një kohë heroike. Dhe për këtë i “faleminderit”  Covid-19 se na ritregojë që në fund shëndeti dhe familja mbetet me e shtrenjtë. Ju do ta mbani mend gjatë këtë përvoje e do të flisni për vite e vite me radhë për këtë vit shkollor, për fëmijët për mësuesen, për shkollën, për vështirësitë dhe sfidat ku kaluat….

Jam e lumtur t’u them se për të kapërcyer këto vështirësi më keni ndihmuar ju bashkëpunëtorët e mi, engjëjt e vegjël plot kurajë e fjalë zemre… Kam qenë me fat që në këtë vitin më të vështirë të karrierës sime pata kënaqësinë të bashkëpunoj po ashtu me prindërit dhe fëmijët më të përkushtuar e më emocionues të jetës sime. Nuk po përmend emra, por ju them se ndihem e lumtur që këtë vit të njëzetë të profesionit tim për herë të parë e ndava në një shkollë dhe klasë të re të cilën e ngritëm së bashku nga asgjë dhe e bëmë një folezë të ëmbël diturie.

Ju që mbaruat klasën përgatitore ju përcjellë plot emocion për në klasën e parë por sa herë të kaloni në korridoret mos harroni që unë do t’ju pres krahëhapur për t’ju përqafuar e ndihmuar, e mbase t’ju rregulloj xhupin a shallin, se mos ftoheni, a t’ua rregulloj çantën e rëndë në supet tuaja të vogla, te njoma, e t’ju shpupuris flokët plot gaz… do ju pres zakonisht të dilni plot zhurmë e hare si në ditët tona të mbushura plot jetë nga çapkënllëqet tuaja. Në fund të gjithë jemi prindër para se të jemi mësues dhe ju ishit fëmijët e mi të parë në Shkollën “Dora d’Istria”.

Shkolla sot duket pa jetë…..mungojnë zërat tuaj kumbues e aktivitetet plot hare …..por mos harroni vështirësitë kalohen së bashku dhe së bashku do festojmë sërish 1 Qershore të tjera. Disa foto kujtime se bashku do të na risjelli në shkollë për pak çaste, e këto çaste do të mbeten gjatë në memorien tonë se janë bërë plot dashuri nga ju……Gëzuar 1 Qershorin!

“JU JENI KAMPION”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top