Asnjeri nuk mbetet imun ndaj ndikimeve, për arsyen e thjeshtë sepse askush nuk jeton vetëm, i izoluar. Fakti që ne jemi qenie sociale, na bën të ndjeshëm për të provuar ndikimin e personave që lidhen ngushtë me fëmijërinë tonë. Të parët janë prindërit. Pastaj, rrethi zgjerohet gjithnjë e shumë, duke u shndërruar në atë që përbën botën në të cilën jetojmë. Pa dyshim që si çdo fëmijë në zhvillim, adoleshentët janë më tepër të preokupuar për veten e tyre, për mënyrën se si të tjerët i perceptojnë. Në këtë këndvështrim, ata kanë nevojë të ndjekin dhe të udhëhiqen nga modele. Ka raste kur ndikimi i tyre është i pandërgjegjshëm. Ndonjëherë ai zhvillohet edhe në vetëdije të plotë, aq sa përcakton një vlerësim tejet pozitiv e që shpesh shndërrohet në admirim. Ka admirim, ka dhe imitim. Prindërit përfaqësojnë modelin e parë, të cilin fëmijët e imitojnë instinktivisht, për më tepër kur ata janë të vegjël. Me kalimin e kohës vjen pjekuria me kriteret të saj, nëpërmjet të cilave pranohen ose jo disa karakteristika të personalitetit dhe disa sjellje. Për këtë arsye, nevoja për modele ‘shtegton’ tek ata që na rrethojnë ose tek ato që media televizive promovon. Prej këtu prindërit kalojnë në plan të dytë, sepse ata kanë qenë tashmë “të përdorur”, dhe tërheqja lëviz nga ata tek mjedisi më i afërt ose tek personat me famë. Shokët dhe kolegët në moshën e adoleshencës bëhen më të rëndësishëm sesa prindërit, sepse kjo grupmoshë mbart vlera të përbashkëta, për shkak të përkatësisë që ofron për llojin e saj. A nuk dëgjojmë shpeshherë prindërit të thonë se rrethi shoqëror u ka “prishur” fëmijën, se ai ka qenë i ndikuar mjaft herë negativisht nga ata? Ideja e një modeli të zakonshëm, inferior, poshtë nivelit të pritshmërisë, (duke marrë si referencë një individ të caktuar) nuk kërkohet më kohët e fundit, në krahasim me modelin e huazuar, të lidhur ngushtë me pamjen e jashtme dhe pozicionimin që shoqëria ia jep një personi të caktuar. Kultura egocentriste (individualiste), ajo e “unit”, ditët e sotme identifikohet me kulturën e trupit, e formës fizike dhe imazhit, pamjes. Për këtë arsye, ndikimet e grupeve të jashtme në moshat e pre-adoleshencës dhe adoleshencës janë më të forta se ato të prindërve, sidomos për sa i përket dukjes së tyre. Problemi i humbjes graduale të rolit formues të prindërve ka qenë evidentuar jo rrallëherë nga ata që kanë kundërshtuar apo kritikuar modernitetin. Pesëdhjetë vjet para, i shqetësuar nga dhuna në rritje dhe sjelljet e rrezikshme të të rinjve, Konrad Lorenz shkruante: “Modifikimet që ka pësuar struktura e familjes në vitet e teknologjizimit të vazhdueshëm që po kalon shoqëria, vepron në mënyrë konstante në dobësimin e kontaktit midis prindit dhe fëmijës”. Ai vë në dukje se modeli atëror tek djemtë është marrë tani nga meshkujt më të mëdhenj, pavarësisht se mund të mos ketë asnjë lidhje me strukturën e personalitetit sipas kornizave tradicionale. Për sa i përket çështjes së autoritetit, Lorenz konstatonte se: “Vetëm në momentin kur dashuron një njeri me të gjithë qenien tënde dhe e shikon atë në lartësinë e dëshiruar prej teje, do të jesh në gjendje të kuptosh dhe ta bësh për vete traditën e tij kulturore. Fatkeqësisht, në ditët tona është rritur ndjeshëm numri i të rinjve në formim e sipër, të cilët shfaqin një mungesë të theksuar të figurës atërore. Shpeshherë, babai biologjik e ka mjaft të vështirë të përballojë transformimet e forta që pëson adoleshenti, dhe grumbullimet e mëdha nëpër shkolla dhe universitete e bëjnë të pamundur që një mësues apo kujdestar me përvojë ta zëvendësojë”. Nevoja për modele mbetet, por ato janë kalimtare, pa bosht (substancë), thonë psikologët, të cilët tregojnë shqetësim për krizën aktuale të edukimit dhe për marrëdhëniet jofunksionale midis gjeneratave. Modeli i prindërve konkurron me modelin e imponuar të personave mediatikë, me “yje” skenike, të cilët promovojnë së tepërmi ndryshimin e vazhdueshëm të imazhit, duke lënë pa përmendur vlerat që lidhen me botën e brendshme të secilit prej nesh dhe ato të cilat dalin në sipërfaqe nëpërmjet disa karakteristikave të qëndrueshme. “Kam parë një dokumentar në të cilin një vajzë e vogël, rreth dhjetë vjeçe, ankohej për mamanë e saj, e cila kishte bërë shumë ndërhyrje estetike, me qëllim që të ngjasonte me të famshmen Kleopatra. Vajza qante dhe i thoshte mamasë se nuk donte Kleopatrën, por mamanë e saj”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.