“Të shijoni çdo kënaqësi është e pakuptimtë, t’i evitoni ato është pandjeshmëri”. Kjo thënie e Plutarkut, mund të përmbledhë përsosmërisht se si ndihemi shpesh në momentin kur jemi në kërkim të lumturisë. Shumë mendojnë se mund ta gjejnë lumturinë vetëm nëpërmjet dashurisë, parave apo të mirave materiale.
Megjithatë, shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm që lumturia varet vetëm nga ne dhe nuk është e nevojshme të komplikojmë jetën për të qenë pak më shumë të lumtur. I referohemi as më pak e as më shumë sesa kënaqësive të vogla, por të mëdha që na ofron jeta, që janë gjithmonë aty për të na dhuruar një buzëqeshje në çfarëdolloj momenti dhe vendi…
Kënaqësitë e vogla varen nga njeriu
Mund të shkruajmë faqe të tëra mbi sasinë e kënaqësive të vogla me të cilat përballemi. Shumë prej tyre i dimë se cilat janë, duke filluar nga leximi i një libri apo aroma e një parfumi, te një recetë e sapogatuar apo bukuria e një perëndimi. Sigurisht këto janë momente të bukura, të cilat padyshim i shijoni, por varet shumë edhe se çfarë njeriu jeni, sepse dikush i pëlqen këto gjëra, dikush tjetër jo. Për këtë arsye është e rëndësishme të përqendroheni te shijet personale dhe nga ato të merrni hov për të njohur më mirë se cilat janë kënaqësitë që bëjnë për ju.
Ndaj është e rëndësishme edhe të dalloni se në ç’moment të jetës suaj jeni. Për shembull, nuk është e njëjta gjë të shihni një film me partnerin apo vetëm, në vend që të dilni e të pini një birrë me miqtë apo kolegët.
Shijoni çastin
Sigurisht që shumë prej jush janë duke pyetur: si t’ia bëj që të shijoj kënaqësitë e jetës? Para së gjithash, nuk është e nevojshme t’i kërkoni ato, as t’i planifikoni, sepse kështu do të merrni vetëm efektin e kundërt.
Dikujt i pëlqen të kthehet në shtëpi, të vishet me rroba sportive dhe të shijojë një këngë, ndërkohë që është duke ngrënë biskota me çokollatë. Dikujt tjetër i pëlqen momenti kur blen një disk të ri me muzikën e preferuar dhe i heq ambalazhin. Në këtë mënyrë krijohen më shumë pritshmëri.
Megjithatë, siç e kemi thënë, kjo gjë varet nga personi në person. Numëroni çdo sekondë si të ishte e fundit dhe kështu do të shijoni magjinë e madhe të momentit.
Me këto kënaqësi të vogla që jeta ofron, ndër të tjera, duhet vetëm të vini në praktikë thënien latine: carpe diem për të shijuar sa më mirë shkëlqimin e tyre.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.