Mirëqenie

November 17, 2015 | 14:29

Kënaqësia e tryezës me miq

Tavolina e rregulluar, gati për të pritur miqtë, një darkë me qirinj me partnerin, pjatat tipike të zonës prej nga keni origjinën të përgatitura për t’i shijuar me kolegët… Në dukje, gjeste të thjeshta. Shprehje të drejtpërdrejta të dëshirës për të ndarë një moment, një kujtim një emocion… me të tjerët. Por në realitet, shpesh janë veprime që fshehin ndjenja të ndryshme, nganjëherë edhe të pavetëdijshme. Sidoqoftë, në sintezë, të gatuash për të tjerët do të thotë edhe të shërbesh, por edhe të nxjerrësh në pah dobësinë duke shfaqur egon individuale. Ka edhe rreziqe. Por me t’u ndërgjegjësuar, me të kapërcyer rrisqet, kuzhina bëhet një moment takimi që ofron mundësi dhe momente autentike për t’u ndarë. Me fjalë të tjera: të gatuash me zemër dhe shpirt paqësor është një art, aspak banal, që arrihet nëpërmjet rrugëtimit të vetëdijshëm.

1.Arti i dhurimit

Kujt nuk i ka rënë rasti të përgatisë një darkë për kënaqësi, por e ka bërë thjesht sepse ka qenë i detyruar, ose përkundrazi është përpjekur të përgatisë një pjatë të denjë për një shef me pesë yje thjesht për të befasuar ose për t’i bërë të ndihen inferiorë të ftuarit… nuk ka pasur rastin ta shohë procesin e gatimit si artin e dhurimit. Për t’ia arritur, fillimisht përpiquni të kuptoni se cilat janë arsyet e vërteta që ju bëjnë të ftoni miq për darkë. Kthehuni në traditën tuaj familjare. Si fliste nëna juaj për të ftuarit? Çfarë priste në shkëmbim nga ata? Nga përgjigjja mund të kuptoni se çfarë keni trashëguar dhe se çfarë dëshironi të ndryshoni në këtë aspect.

2.Një shkëmbim intim

Çfarë doni të ndani në të vërtetë me të tjerët? Çfarë pjese të identitetit dhe ndjeshmërisë doni t’u demonstroni atyre? Ndoshta origjinën tuaj kulturore apo fetare, një recetë që ju vjen nga fëmijëria apo një kujtim të udhëtimit të fundit? Sa më shumë të reflektoni, sa më shumë të mendoni për arsyet e ftesës për darkë apo zgjedhjet që bëni, aq më të vetëdijshëm do të bëheni në lidhje me marrëdhëniet me të ftuarit. Të pyesni veten para se të gatuani për të tjerët, do t’ju ndihmojë që të vendosni se çfarë pjese tuajën do të vini në tavolinë.

3.Një interes i çiltër

Nga ana tjetër duhen bërë pyetje edhe rreth të ftuarve: cilat janë pritshmëritë e tyre, preferencat, shijet… Çfarë do të donin ata (apo partneri, në rastin e një darke intime) të merrnin prej teje? Kuzhina është një gjuhë që duhet të jetë mjaftueshëm e thjeshtë për t’i bërë të tjerët të ndihen rehat dhe mjaftueshëm intriguese për t’i joshur. Të flasësh, të shkëmbesh receta, kujtime, të dhëna, mund ta bëjë marrje-dhënien të natyrshme dhe mbrëmjen ta mbajë në një regjistër intim: atë të emocioneve. Një aktore e njohur franceze do të thoshte: “Nëse nuk jeni të aftë për pak magji, mos u merrni me kuzhinën”. Dhe çfarë është magjia, në mos një përzierje intuite joshjeje dhe misteri? Tre përbërësit që e bëjnë takimin magjik dhe special.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top