Kalimi i kohës në plazh dhe vallëzimi si mënyrë për të larguar dhimbjet, frikën dhe dëshpërimin – është kjo teknika e terapistes Julia Vishnepolsky në Los Angeles, e cila ndihmon pacientët të ulin stresin dhe ankthin ndërsa mësojnë se si të jenë në paqe me jetën e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Angelina Bagdasaryan u takua me terapisten për të mësuar më shumë rreth fuqisë terapeutike të kërcimit.
Julia Vishnepolsky thotë se çdo lëvizje i shërben një qëllimi. Ndërsa dëgjon muzikë me kufje, Vishnepolsky vallëzon duke hequr emocionet, për të ulur stresin dhe ankthin.
“Im atë vdiq papritur nëntë vjet më parë dhe kuptova se kërcimi më ndihmoi të përballoja emocionet e dëshpërimit. E kuptoja veten më mirë përmes vallëzimit”, thotë ajo.
Ajo që filloi si hobi u shndërrua në një profesion – Julia filloi terapinë përmes vallëzimit, mori një diplomë për këshillimin klinik të shëndetit mendor dhe iu përkushtua terapisë së arteve ekspresive dhe lëvizjes së vallëzimit. Ajo zgjodhi me kujdes klasën e përsosur, në plazhin e Venecias të Los Angelesit në shtetin e Kalifornisë.
“Ne studiojmë ndërlidhjen e fortë mes lëvizjes së trupit dhe emocioneve, mësojmë të përdorim muzikën dhe vallëzimin për të na ndihmuar të largojmë depresionin, të ulim stresin dhe të tejkalojmë traumat e fëmijërisë. Kur kërcejmë, ne tregojmë një histori që ndonjëherë është shumë e vështirë të thuhet me fjalë”, thotë Julia.
Çdo të hënë, dhjetëra – ndonjëherë qindra njerëz vijnë në plazh dhe duke luajtur muzikë në kufjet e tyre, praktikojnë terapinë e vallëzimit. Kurset kushtojnë 20 dollarë, por nëse dikush nuk është në gjendje të paguajë, sërish janë të mirëpritur. Zonja Vishnepolsky beson se nëse dikush ndjen nevojën për të ardhur në kurs, ata duhet të vijnë.
Një DJ luan muzikën që grupi mund ta dëgjojë me kufje. Terapistja tregon lëvizjet ndërsa njerëzit përpiqen të shprehen përmes kërcimit dhe të lënë në plazh hallet e tyre.
“Ndjehem e lirë, e çliruar. Ndjej se stresi i të qenit njeri ka filluar të largohet… është për tu shënuar. Shpesh herë njerëzit qajnë për të nxjerrë emocionet. Ky është vendi ku mund të vish dhe të ndjesh çdo gjë”, thotë praktikantja Christina Weber.
“Ndjehem i çliruar. Sikur nuk kam asnjë njeri rrotull dhe thjesht vallëzoj. Jam pranë oqeanit dhe vallëzoj. Është një mrekulli!”, thotë Edgar.
Për kalimtarët, mund të duket si një klub vallëzimi pa muzikë në plazh, por banorët e zonës janë mësuar me këtë pamje. DJ Dave Kim thotë se i pëlqen të luajë për pacientët. Dikur, edhe për të ishte muzika ajo që e ndihmoi të mëkëmbej.
“Para tre vjetësh pata një goditje ishemike, një mpiksje gjaku në tru. Kjo bëri që të paralizohesha në anën e djathtë të trupit. Kështu që, duhej të punoja vërtet shumë për të rivendosur lidhje mes trurit dhe trupit tim – dhe kur arrita ta bëja këtë, isha në gjendje të rehabilitohesha”, thotë ai.
Julia Vishnepolsky gjithashtu jep mësime të terapisë muzikore në ambientet e azileve, pasi sipas saj ndihmon të moshuarit të përballojnë vetminë.
“Kërcimi nuk është vetëm për dasma. Kërcimi funksionon në çfarëdolloj gjendje që të jesh. Njerëzit mund të thonë – oh nuk jam në humor për të kërcyer, por ai është pikërisht momenti kur duhet të kërcesh dhe të vallëzosh!”, thotë ajo.
Burimi / VOA
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.