Nga Pranvera Paplekaj (Martinaj)
Psikologe Lezhë
Prindër kujdes!
Fëmijët që shkojnë për herë të parë në kopsht dhe nuk janë ende gati për t’u ndarë me prindërit lehtësisht, siç mund të jenë disa bashkëmoshatarë të tyre, është mirë të dini:
Ditët e para të kopshtit është e udhës të veproni në këtë mënyrë:
Mos i lini shumë gjatë në kopsht!
Mos i lini vetëm dhe të vraponi për në punë, merrni masat, asgjë përpara fëmijës!
Mos i krahasoni me shokët që nuk qajnë, me motrën apo vëllain- gabim i madh ky!
Mos iu shprehni fëmijës “vajzat e rritura apo burrat nuk qajnë” kjo shprehje ka pasoja më vonë!
Mos u nervozoni, mos i shikoni vëngër, madje as mos tentoni ta bëni këtë!
Ta shoqëroni fëmijën të dy prindërit nëse është e mundur, të paktën ditën e parë, nëse jo, do ju këshilloja ta shoqërojë prindi që është më i qetë, ai që ruan qetësinë përballë fëmijës, që jo gjithmonë mund të jetë nëna!
Mos u largoni nga ata me sy të përlotur, pasi ua shtoni edhe më shumë ankthin dhe pasigurinë, madje duhet të paraqiteni si i gëzuar dhe i lumtur!
Mos i gënjeni duke u thënë p.sh: vijmë pas 10 minutash dhe të merr mami, babi. Duhet të shkoni fiks në kohën që e keni premtuar!
Përpiquni të jeni sa më shumë kohë së bashku ditët e para dhe të flisni për kopshtin, shokët e rinj, edukatorët, lodrat e reja në kopsht, mallin që ndjeni për njëri-tjetrin.
Përpiquni të mësoni emrat e shokëve të rinj dhe t’ia përmendni në shtëpi!
Flisni shumë për edukatoren, me dashuri, respekt dhe entuziazëm.
Kur të shkoni për ta marrë, hapini krahët nga larg me entuziazëm të madh dhe duke i thënë “të lumtë, ia dole të qëndrosh pa mamin dhe babin”!
Premtojani plotësimin e një dëshire sapo të mbarojë orët e qëndrimit në kopsht, kështu do e mbajë mendjen tek dëshira dhe do arrijë t’ju harrojë sadopak!
Mos ia ndryshoni rutinën në shtëpi fëmijës, p.sh: gatuani ushqimet e preferuara të tij, ndërkohë që fëmija është në kopsht dhe kur të vijë t’i gjejë gati. Kjo e bind disi fëmijën që në shtëpi nuk ka ndryshuar asgjë, edhe pse ai tani është larguar për disa orë!
Këto janë vetëm disa këshilla shumë praktike për të ndihmuar fëmijën dhe veten tuaj të kaloni një moment shumë delikat të jetës së të dy palëve në mënyrë sa më të lehtë.
Jo pak raste ka dhe vazhdon të ketë, ku nga padituria e të rriturve u është shkaktuar traumë psikologjike shumë fëmijëv pikërisht në këtë moment delikat të jetës së të vegjëlve.
Këshilla ime e fundit dhe më e rëdësishmja është “mos neglizhoni asnjëherë gëzimin dhe hidhërimin e fëmijës dhe kështu rrisim fëmijë të lumtur dhe mund të shmangim shumë probleme, çrregullime psikologjike që një pjesë e konsiderueshme e tyre shfaqen në moshën e rritur si shkak i traumave të përjetuara në fëmijëri. Nëse rrisim fëmijë të lumtur i kemi bërë të gjitha në jetë !
Shumë suksese vogëlushëve, prindërve, edukatorëve,
mësuesve, drejtuesve dhe çdokujt tjetër që punon me fëmijët dhe e bën punën me profesionalizëm duke e kombinuar atë me humanizëm!
Të gjithë së bashku mund të rrisim jo vetëm fëmijët tanë të lumtur dhe të sigurt, por edhe të njëri-tjetrit.
Ju lutem mbroni të gjithë fëmijët e kujtdo qofshin ata, pasi sot më shumë se kurrë janë të pasigurtë nga ata që nuk kanë merituar të jenë kurrë fëmija dhe as i rrituri i askujt!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.