Çdo ditë është një dhuratë që duhet jetuar dhe vlerësuar plotësisht, edhe me pengesat dhe vështirësitë e saj…
Jeta është kaq e mbushur me vështirësi dhe shpesh ne e vështirësojmë edhe më shumë atë me budallallëqe; ndoshta do të mjaftonte të lëshohim pak fillin, duke pasur një sjellje më pak të ashpër e të egër me veten, për të qenë më pozitivë dhe duke e ngjyrosur me rozë horizontin tonë. Në këtë artikull do të mundohemi t’ju japim disa këshilla për të jetuar më mirë.
Gjeni kohë
Shumë njerëz janë të bindur se jeta është e mbushur me detyrime dhe punë dhe që t’i kushtojmë kohë vetes për t’u argëtuar apo për të mos bërë asgjë, është diçka e dënueshme. Në fakt, të bëni diçka që ju pëlqen me të vërtetë apo që thyen monotoninë është një ilaç për shpirtin dhe mendjen. Është edhe një mënyrë shumë e shëndetshme për t’u çlodhur.
Mos mbani inate
Inati dhe mëria përkeqëson cilësinë e jetës dhe ngjyros me hije të zezë të gjithë mënyrën se si veproni. Ndërsa falja ju lejon të fitoni mbi ndjenjat negative, të cilat nëse zgjasin për shumë kohë mund të dëmtojnë. Ndaj është thelbësore t’i vini vetes qëllim që të largoni çdo ndjenjë negative dhe të evitoni ndjenjat e hakmarrjes apo të rivalitetit.
Bëni çmenduri të vogla, pa humbur vetëkontrollin
Është pozitive dhe e shëndetshme të dilni ndonjëherë nga rutina e përditshmërisë; ndihmon t’ i largoheni monotonisë, të mos mërziteni dhe ta jetoni pozitivisht jetën.
Është e rëndësishme që të gjithë ne të ndjekim një disiplinë mendore që na lejon të kemi vetëkontroll në lidhje me aspekte të ndryshme të jetës. Në veçanti duhet t’i themi “jo” një stili jetese të papërgjegjshme, ashtu siç nuk duhet të përfshihemi nga inati, të marrim vendime në momente inati dhe të kemi dëshirë të hakmerremi ndaj dikujt.
Qeshni shumë
Edhe pse mund të duket e çuditshme, shumë njerëz kanë humbur aftësinë e të qeshurit dhe nuk mundohen as në raste të veçanta të gëzohen, ose kur u paraqitet rasti ata e detyrojnë veten të qëndrojnë seriozë. Por e qeshura i bën më të lehta mendimet dhe ju bën më pozitivë ndaj të tjerëve dhe ndaj aktiviteteve me të cilat duhet të përballeni gjatë ditës. E qeshura është një nga mënyrat më të natyrshme dhe të shëndetshme për të ulur stresin dhe për të fituar pak harmoni, si dhe një përfitim mjaft i madh për ekuilibrin emotiv.
Është e nevojshme edhe të mësoni të çdramatizoni dhe t’i pranoni me filozofi edhe kritikat apo gjërat që nuk shkojnë mbarë.
Mos iu impononi të tjerëve
Në marrëdhënie me të tjerët, sidomos nëse bëhet fjalë për personat e dashur, është mirë të qëndroni në harmoni dhe të jeni bashkëpunues. Që marrëdhënia të jetë e tillë, sa herë që jeni të përfshirë nga situata konflikti, duhet të kujdeseni që të arrini në një kompromis që t’i kënaqë të dyja palët e përfshira. Duhet të mësoni të jeni diplomatë dhe të mos ia impononi të tjerëve vullnetin tuaj, por të merrni në konsideratë edhe vullnetin e tyre dhe të mësoni të dëgjoni edhe arsyet që ata kanë.
Krijoni hapësirat tuaja
Edhe pse hapësirat janë të kufizuara, është e rëndësishme që secili të krijojë një hapësirë vetëm për veten; nga këndvështrimi psikologjik mund të mund të bëhet e mërzitshme ndarja e çdo centimetri të shtëpisë me dikë tjetër (edhe me partnerin). Ndaj është thelbësore të gjeni një hapësirë personale, ku të vendosni gjërat që i keni më fort përzemër dhe ku të qëndroni për t’u çlodhur herë pas here pa ju shqetësuar kush.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.