Këshilla & Arsye

June 8, 2017 | 8:12

Këshilla për të shmangur kapriçot e fëmijëve tuaj

Vendosini rregulla fëmijës në varësi të moshës  |  Një fëmijë i vogël 8 ose 10 muajsh nuk e ka kapacitetin për të kuptuar dhe për të toleruar frustrimet. Nëse ai bën kapriço për të luajtur me një objekt delikat si p.sh: telefoni, celulari etj, ju mund ta ndihmoni që të pranojë ndalimin e atij objekti duke i ofruar një lodër. Nëse fëmija është në moshën parashkollore, dialogu duhet të bëhet rregull për sjelljet kapriçoze. Nëse nuk funksionon kështu, duhet të aplikoni një ndëshkim që të ketë një pasojë të menjëhershme si p.sh: Ta detyroni të shkojë në dhomën e tij, ta ndaloni të shohë programin televiziv që ishte duke ndjekur. Nëse fëmija është nga 10-12 vjeç, ai mund të kuptojë shumë mirë pikëpamjet dhe rregullat tuaja, por e rëndësishme është që këto rregulla të mbështeten nga arsye të pëlqyeshme që të pranohen.

1Jini të qartë dhe të vendosur në rregullat e rëndësishme  |  Bëni përpjekje që fëmija juaj të zbatojë rregullat që i keni vendosur që në vogëli, para moshës shkollore. Disa rregulla të domosdoshme janë si p.sh: Të qëndrojë në karrigen e tij në makinë, të mos godasë fëmijët e tjerë, të flejë e të zgjohet nga gjumi në orarin e duhur. Për këto rregulla bazë përpiquni të mos bëni kompromise. Ka situata të tjera në të cilat ju mund të tregoheni më tolerantë. Si p.sh: Fëmija mund të vendosë vetë se cilin libër t’i lexoni para se të flejë, çfarë supe do të hajë, çfarë lodre t’i blini si dhuratë etj. Mos harroni t’i bëni të qartë fëmijës se ka situata në të cilat rregullat nuk duhen shkelur. Kujdes! Rregullat nuk duhet të jenë të panumërta, sepse dhe fëmija bëhet nervoz. Kur në një familje ekzistojnë rregullat, ato duhen respektuar nga të gjithë pjesëtarët e familjes dhe të ndiqen me kujdes nga të dy prindërit.

Përballoni me qetësi të qarat e fëmijës suaj  |  Përpiquni të kuptoni nëse fëmija qan për një arsye domethënëse. Nëse ankohet se ka dhimbje, uri, frikë duhet të reagoni për të qetësuar situatën. Nëse qan se dëshiron diçka, duhet të vendosni nëse do t’ia plotësoni dëshirën. Në rastet kur fëmija bën kapriço, zemërime të çastit, injorojeni. Mos insistoni me fraza të tipit: “Pusho së qari”, “Sa qaraman/e je bërë”. Nëse ju vjen keq për fëmijën se është duke kaluar një moment frustrimi si pasojë e refuzimit tuaj në plotësimin e një dëshire, mos e përkëdhelni në momentin kur është duke qarë apo duke bërë kapriço të ndryshme. Mundohuni të mbani qëndrim indiferent në atë moment. Shpesh fëmijët janë kapriçozë për të marrë vëmendjen tuaj, për t’ju ndërruar mendimin dhe të bëjnë atë që ata duan. Ata qajnë për t’ju ndryshuar mendimin. Mos u dorëzoni para shantazheve të fëmijës. Nëse ai bërtet, përplas dyert, shtrihet përdhe, lëreni të lirë të shfryhet, mjafton të jetë në një vend të sigurt ku ju e kontrolloni.

2Mos krijoni një marrëdhënie të barabartë me fëmijën tuaj  |  Nëse fëmija është dy vjeç mos tentoni t’i flisni atij për rregulla. Ai nuk e kupton domethënien e tyre kështu që mjafton t’i zbatoni ato. Në moshën 4-5 vjeçare mund të filloni të flisni me fëmijën për disiplinën, por shmangni vendosjen e rregullave sepse në këtë moshë mungon ende aftësia për të gjykuar. Në moshën e adoleshencës, ju mund të diskutoni për disiplinë me fëmijën tuaj dhe së bashku mund të vendosni rregullat dhe ndëshkimet. Sa më tolerant të tregoheni në vitet e para të jetës me fëmijën tuaj, aq më shumë do të rrezikoni ta përkëdhelni atë. Në përgjithësi fëmijët e kanë të pamundur të zbatojnë rregullat. Janë prindërit ata që kanë për detyrë t’i mësojnë ato t’i respektojnë.

Mësojini të luajnë edhe vetëm  |  Detyra e një prindi është të përziejë momentet kur luan bashkë me fëmijën me momentet kur e lë të lirë atë të luaj edhe vetëm. Sigurisht duke i ofruar fëmijës mjete që e angazhojnë si lojëra, libra dhe nga ana tjetër ai e ka për detyrë t’i mësojë përdorimin e tyre për t’u argëtuar. Edhe pse mund të qëndroni me orë të tëra nën shoqërinë e fëmijës suaj, nuk është e nevojshme që ju të bëheni shoqëruesi i tij në çdo sekondë. Nuk jeni i detyruar t’i siguroni në çdo çast praninë tuaj. Nëse ju duhet të merreni me diçka tjetër, mësojeni të luajë edhe vetëm. Studimet kanë vërtetuar se në vitin e parë të jetës, fëmija mund të luajë vetëm nga 15-20 minuta.

Mësojini pritjen  |  Pritja i shërben fëmijës për të mësuar të jetë më i duruar. Gradualisht ai do të ambientohet me faktin se nuk do të ketë menjëherë shpërblimin për atë që bën, siç ndodh edhe në botën e të rriturve. Prindërit nuk duhet të ndihen në faj nëse fëmija duhet të presë në disa raste si p.sh: Kur jeni duke folur në telefon, kur merreni me punët e shtëpisë etj. Pritja nuk e dëmton zhvillimin psikologjik të fëmijës, përkundrazi, pritja shërben për ta bërë më të fortë individin në të ardhmen. Për ta ndihmuar fëmijën që t’i përballojë më lehtësisht pengesat, kërkoni të gjeni alternativa të tjera të ngjashme me kërkesën e fëmijës si p.sh: “Nuk mund të hash tortë në këtë moment, por do të jap një frut” ose të gjeni momentin e duhur: “Nuk mund të hash tortën tani, pas dreke, po”.

Mos e mbroni si pasojë e ndryshimeve  |  Të ndërrosh shtëpinë, fillimi i vitit shkollor, janë situata normale të jetës së përditshme. Këto ndryshime na shërbejnë për të zgjidhur problemet. Jini i gatshëm për fëmijën tuaj, por lejojeni atë t’i përballojë këto momente me forcat e tij. Fëmija ka nevojë të përballet me problemet reale. Jo çdo gjë është e thjeshtë dhe e bukur në këtë jetë! Në këtë mënyrë karakteri i fëmijës do të marrë përfitime.

3

Mësojeni të respektojë nevojat tuaja si prind  |  Nevojat themelore të fëmijës si dashuria, ushqimi, siguria etj., janë të rëndësishme, por dhe jeta juaj si prindër ka rëndësinë e saj. E rëndësishme nuk është vetëm koha që i kushtoni fëmijës suaj, por mbi të gjitha ka vlerë cilësia e kohës që ju i kushtoni njëri-tjetrit. Që do të thotë se, prindërit duhet të bashkëveprojnë dhe të bashkëbisedojnë me fëmijët. Mundohuni t’i kushtoni kohë fëmijës suaj, por shmangni qëndrimet e mbrëmjeve dhe çdo fundjave bashkë duke hequr dorë nga hapësira juaj personale. Në këtë mënyrë rrezikoni marrëdhënien tuaj si çift dhe ekuilibrin mendor. Programoni mbrëmje në çift për të rimarrë energjitë e humbura. Fëmija ka nevojë të mësojë të ketë besim te ju edhe pa ju pasur gjithnjë pranë. Duhet të mësojë të respektojë të drejtat tuaja dhe në këtë mënyrë ai mëson të respektojë në të ardhmen edhe të drejtat e të tjerëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top