Buzëqeshni
Niseni bisedën me një buzëqeshje të ngrohtë. Kjo tregon se jeni të sigurt dhe keni qëndrim pozitiv, kështu i bëni të tjerët të ndihen rehat. Nëpërmjet buzëqeshjes ju thyeni akullin.
Prezantohuni
Mënyra sesi i thoni dikujt se kush jeni e vendos nëse do e vazhdoni bisedën apo jo. Niseni thjesht, prezantoni veten dhe pyesni edhe ata por pa u bërë i bezdisur. Përshtateni prezantimin tuaj në varësi të kontekstit, nuk është njësoj një prezantim në një interviste dhe një prezantim në një kafene.
Gjuha e trupit dhe qëndrimi
Ndonjëherë nuk ka rëndësi se çfarë thoni, por si e thoni. Kur takoni dikë për herë të parë, shtrëngojini dorën, kështu do të dukeni të sigurt. Kur flisni përpiquni të krijoni kontakt me sy, por edhe kur flasin ata ndiqini me sy që t’i lejoni të kuptojnë se po i ndiqni.
Flisni qartë
Sigurohuni që të jeni koherentë në ato që thoni dhe të jeni të kuptueshëm për të gjithë. Mos flisni me zë shumë të lartë dhe as mos pëshpëritni, pasi në rastin e parë do të dukeni sikur keni vetëbesim të tepruar, ndërsa në të dytin dukeni sikur nuk keni vetëbesim. Gjithashtu edhe të flisni shumë shpejt nuk është ide e mirë, pasi për të tjerët mund të jetë ë vështirë t’ju kapin. Për një bisedë dhe përshtypje të mirë, duhet të jeni të sjellshëm dhe të tregoheni të zgjuar në çdo gjë që thoni.
Qëndroni larg telefonit
Të mbani telefoni larg është një zgjedhje e zgjuar. Vendoseni telefonin “silent”, kështu biseda juaj nuk do të shkëputet nga telefonata ose mesazhe. Përdorimi i telefonit ju bën të dukeni të pasjellshëm dhe jep përshtypjen sikur nuk ju intereson takimi.
Vishuni pastër
Një nga shumë gjërat që një njeri vëren gjatë një takimi të parë është mënyra se si ju visheni. Vishuni në varësi të rastit, kështu do të dukeni të veshur mirë. Rritni besimin tuaj duke veshur diçka të rehatshme. Mos harroni të hekurosni rrobat, pasi ato nuk duhet të kenë rrudha.
Jini të përpiktë
Mund ta keni dëgjuar shprehjen “koha është flori”. Bëjeni këtë shprehje tuajën dhe jini gjithmonë në kohë, kjo tregon se jeni të disiplinuar dhe i vlerësoni të tjerët. Më mirë të shkoni herët sesa vonë.
Jini vetvetja
Të qenit shumë strategjik dhe të shkoni shumë larg me mirësjelljen ju bën të dukeni të shtirur. Bëhuni njeriu që në të vërtetë jeni. Mbani mend se ndershmëria është çelësi për të impresionuar dikë.
Qëndroni të informuar
Qëndroni të informuar rreth lajmeve dhe ngjarjeve aktuale, pasi mund të flisni për këto kur takoni dikë për herë të parë dhe nuk dini asgjë për interesat e tjetrit. Bisedat rreth ngjarjeve që ndodhin rreth jush ndihmojnë të dyja palët të kontribuojnë në bisedë.
Burimi / OraNews
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.