Në fokus

May 7, 2016 | 8:30

Kim Mehmeti: Një rrëfim për…

LETËRSIA & PUBLICISTIKA

Në letërsi jam ai i vërteti, ai që dua të jem. Letërsia është plotësia ime. Ajo është bota ku ndjehem i lirë, ku jam sundimtar i pandikuar nga asgjë, ndërsa publicistika është ajo tepria në mua, të cilën ndjej nevojë ta zbraz, shkaku i dhembjeve të kokës, të shkaktuara nga ndjenja se jetojmë në kohë kur dikush dëshiron të na shpallë budallenj që nuk shohin e nuk kuptojnë gjë. Letërsia është bota ime e brendshme, e cila varet vetëm nga unë dhe të cilën mund ta mbroj më lehtë se atë të jashtmen. Nga letërsia nuk do heq dorë asnjëherë, e publicistikën me dëshirë do e kisha shpallur të kaluar timen, sikur mos ndjeja nevojë edhe më tej të kryej edhe obligimin tim qytetar, e të them atë që e mendoj lidhur me proceset që zhvillohen në shoqëritë shqiptare. Ajo që ndërlidh letërsinë time me veprimtarinë publike, ka të bëjë me qenien time të ndjeshme dhe impulsive, e cila në art, sinqeritetin e vet e realizon deri në fund, e në sferën e publicistikës nuk pranon t’i heshtë të vërtetat që i mendon, por duke mos shkelur mbi njerëz. Më në fund, duhet thënë: letërsia më ka sjellë vetëm kënaqësi e lumturi, që i kam ndarë me gjithë ata që më duan e i dua, e publicistika më ka dhuruar vetëm shqetësime dhe trishtime rrëqethëse, që i kam ruajtur të mbyllura në vetvete duke mos i ndarë me askënd.

SHKUPI & TIRANA

Në rini e ëndërroja Tiranën duke bërë gjumë në Shkup. Tani shpesh më ndodh ta ëndërroj Shkupin tim të atillë siç do doja të jetë, duke bërë gjumë në ndonjë nga hotelet e Tiranës. I takoj gjeneratës, e cila nuk mundi në rini – atëherë kur gjërat janë më të nevojshme, ta shijonte shqiptarinë të afërt e të plotë, siç munden sot fëmijët e mi. Pra, ndjehem si humbës i madh, sa i përket të kaluarës sime pa Tiranën. Por, e di se e humbura nuk kompensohet, andaj mundohem ta jetoj të plotë të sotmen. Unë jam në Shkup po aq sa në Tiranë: edhe kur jam këtu, Tiranën e kam pranë, sa shkaku se jam përfaqësues i Top-Channel-it për Maqedoninë, po aq edhe për arsye se në Tiranë tani më njohin po aq sa në Shkup dhe, atje e këtu, kam njerëz të dashur, të cilët në mos më shumë – po ashtu sa edhe unë ata, njëherë gjatë ditës më kujtojnë dhe më lajmërohen. Tani, unë jetoj plotësinë time, por i vetëdijshëm se humbja dhe dhembshuria për kohët kur kishim një mur që na ndante, është diçka që do mbetet në mua si pronë e trashëguar nga e kaluara. Por megjithatë, ia arrij ta jetoj të bukurën që ma sjell e sotmja me Tiranën e Prishtinën si kryeqytet i identitetit tim krijues e publicistik, dhe me Shkupin si kryeqytet i individualitetit tim, si një nga brinjët e rëndësishme të trekëndëshit shqiptar, e të cilit të gjithë ne shqiptarët e këtushëm, duhet të bëjmë çmos që t’ia kthejmë atë që të tjerët ia morën gjatë dekadave të kaluara: emblemën e shqiptarisë.

KANUNI & LIGJI

Kanuni gjithmonë ka tentuar që veset dhe prirjet njerëzore t’i vërë nën kontroll, por duke afirmuar urtësinë njerëzore. Ligji gjithmonë ka shprehur orvatjet e sunduesit për t’i nënshtruar njerëzit, por duke afirmuar forcën. Duke qenë kanuni më i njerëzishëm se ligji, ka ndodhur që kanunet të jetojnë aq gjatë sa nuk ka mundur asnjë ligj. Por, edhe Kanuni edhe Ligji, dëshmojnë se sikur njeriut t’i lejohej të jetonte pa kufizime, pa frikë nga ndëshkimi që e pret, ai do ishte më i shthurur. Ligji dhe Kanuni janë dëshmi sa gjinia njerëzore u trembet veseve të veta të këqija dhe destruktive. Ato janë pasqyrë e së vërtetës se sjelljen njerëzore shpeshherë nuk e përcakton vetëdija e lartë që ai ka, por frika nga ajo që thotë Ligji apo Kanuni. Nëse është kështu siç them, atëherë edhe Ligji edhe Kanuni tregojnë shkallën e vetëdijes të një shoqërie, ato janë pasqyrë e dobësive njerëzore, të cilat mbase nuk do mund të kontrolloheshin pa pasur një kodeks që tregon cilat janë pasojat nëse nuk do respektonim rendin e një shoqërie.

MITI & REALITETI

Miti është fryt të cilin imagjinata ia imponon realitetit, e realiteti është domosdoshmëri që duhet ta regjistrojë vetëdija jonë. Miti është edhe ikje nga e vërteta, e realiteti është tërësi gjurmësh që ka lënë njeriu në natyrë, si dëshmi se kurrë nuk e ka kuptuar që tërë ajo që na rrethon e që imagjinojmë ta kemi, nuk është asgjë tjetër përpos një gërshetim iluzionesh, një grumbull veprash madhështore dhe gabime të gjinisë njerëzore. Miti është kurora e iluzioneve, është ishulli ku prehen të pakënaqurit me realitetin. Kështu që, mitet dhe realiteti janë në të njëjtin relacion si gjumi dhe ëndrrat. Pra, mitet janë ëndërritjet e njerëzve përderisa ata janë zgjuar dhe përballen me realitetin.

GRUAJA & FËMIJËT

Gruaja dhe fëmijët e mi janë boshti im kurrizor, burimi i qëndresës, pasuria që i bën të vlefshme edhe gjitha pasuritë e tjera që kam. Duke qenë familja pasuria ime më e shtrenjtë, ndaj saj sillem ashtu siç i ka hije atij që di si ta ruajë thesarin e tij të vetëm që ka: e mbaj sa më fshehtë nga sytë e botës, sa më larg jetës sime publike, duke dashur t’i kursej nga ajo që do të thotë të kesh burrë dhe prind një njeri të cilin deri në mesditë e lavdërojnë, e pastaj e shajnë duke i ngjitur epitete nga më monstruozet. Ndaj gruas sillem si ndaj njeriut që me vetëdije ka dashur t’i bashkojmë lumturitë dhe pikëllimet jetësore, e ndaj fëmijëve si ndaj krijesave që pa i pyetur fare – vetëm shkaku i egoizmit tim – i kam bërë pjesë të jetës sime. Pra, ndaj gruas sillem si ndaj njeriut më të afërt që kam, por të cilës nuk i kam ndonjë borxh të veçantë, përpos që duhet ta dua e ta respektoj deri në përjetësi, e ndaj fëmijëve kam qëndrim tjetër: ndaj tyre sillem si ai që tërë jetën duhet të paguajë të padrejtën që ua ka bërë – i ka sjellë në këtë jetë vetëm që të madhërojë lumturinë e vet, duke mos pasur parasysh sa ata do jenë të lumtur me prindërit që kanë. Pra, fëmijëve ua kam borxh lumturinë, e gruas vetëm atë që përfshin “kontrata” mes dy njerëzve që e dinë se çka humbin e çka fitojnë kur bashkohen për ta ndërtuar të ardhmen e vet të përbashkët.

Botuar në revistën Psikologji, Tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top