Kërkimi i bukurisë, ndjekja e një ideali estetik, janë prej kohësh një pikëpyetje e madhe për njerëzit, sidomos për femrat. T’u pëlqesh të tjerëve bën pjesë në shoqërinë njerëzore, por shpesh ajo që e vë në krizë këtë gjë, është para së gjithash, marrëdhënia me imazhin që reflektohet përballë pasqyrës (me veten). Kirurgjia estetike po përjeton një boom në dhjetëvjeçarin e fundit. Në shumë raste, përfaqëson një zgjidhje për të rregulluar problemet që na bëjnë të mos jetojmë mirë me veten dhe mund të ndihmojë për t’u ndier më mirë. Por, në raste të tjera, imazhi që shohim për veten është i shtrembëruar nga mendja: gjigantizohen defektet apo vërehen ato gjëra që nuk ekzistojnë. Pyetja që duhet të bëjmë në këto raste është: çfarë na shtyn të dëshirojmë të ndryshojmë kaq radikalisht dhe a mund të jetë ndryshimi i trupit zgjidhja për të sistemuar të gjitha problemet e brendshme?
Ndërkohë që studime të fundit kanë treguar se kirurgjia estetike mund të sjellë një përmirësim në jetën e pacientit, të tjera studime nënvizojnë se ndryshimet që vijnë si pasojë e një ndërhyrjeje kirurgjikale mund të kenë efekte negative në sferën emocionale. Në fund të fundit, kirurgjia estetike mund të prodhojë përfitime për një numër të madh pacientësh, por ndryshimet mund të krijojnë disa vështirësi në nivel psikologjik.
Arsyet e ndryshimeve psikologjike
Të vendosësh për një ndërhyrje të kirurgjisë plastike kërkon një mund të madh dhe një bindje të lartë. Pritja e takimit me kirurgun prodhon ankth dhe rimëkëmbja pas operacionit është një tjetër faktor stresi, sidomos sepse mund të ndërveprojnë faktorë emotivë si mungesa e perfeksionit që, më parë, shkaktonte probleme dhe mungesa e mbështetjes së duhur nga ana e familjarëve dhe miqve. Për shembull, një fëmijë preferon ta shohë nënën e tij si është mësuar ta shohë gjithmonë. Bezdia fillestare që shkaktohet pjesërisht nga fashat dhe, më pas, nga fryrjet dhe skuqjet e zonës së operuar mund të japin njëfarë ndjenje depresioni në javët e para pas ndërhyrjes kirurgjikale, faktor i përbashkët me të gjitha llojet e kirurgjisë, jo vetëm asaj estetike. Simptomat e kësaj gjendjeje ankthi janë të ngjashme me atë të depresionit pas lindjes. Pas shërimit, më pas, rikthimi në shoqëri është një provë e vërtetë: shikimet kureshtare dhe ndonjëherë mosmiratimi i të tjerëve mund t’i shtyjnë pacientët të izolohen, të mbyllen në vetvete ose të inatosen. Në disa raste, ndryshimet janë shumë pozitive dhe të dukshme, ndaj impakti me shoqërinë është një situatë delikate. Për ata që janë të predispozuar të vuajnë nga depresioni, ankthi dhe shqetësime të tjera emotive, është më e mundur që të verifikohen këto simptoma. Një këshillë e mirë është që, para dhe pas kirurgjisë estetike, të kërkoni mbështetje e nga ana e familjarëve apo miqve të ngushtë, ose nga një psikolog. Përveç kësaj është mirë të keni besim te specialisti i zgjedhur dhe t’i zbatoni me përpikëri këshillat dhe kurat e tij.
Më shumë besim në vetvete
Kandidati ideal për ndërhyrjet e kirurgjisë estetike është një person që ndien një shqetësim real që lidhet me një defekt të caktuar fizik dhe ka, përkundrejt procedurave kirurgjikale, një sjellje të shëndetshme realiste. Edhe pse kirurgjia estetike mund të ndryshojë për mirë perceptimin për veten, është mirë që raporti me veten të jetë në harmoni dhe i shëndetshëm që para ndërhyrjes.
Menaxhoni pritshmëritë
Të keni pritshmëri konkrete dhe realiste është e një rënd- ësie thelbësore. Edhe nëse ndërhyrja mund të prodhojë një impakt pozitiv te njerëzit me të cilët shoqëroheni, rritja e vëmendjes apo mosmiratimi i tyre mund të jetë një provë që duhet ta përballoni. T’i drejtoheni kirurgjisë estetike për të përmirësuar një defekt të fytyrës ose të trupit është njëra gjë, të prisni që të përmirësojnë edhe të tjerët aspekte të jetës së tyre është komplet gjë tjetër. Ndërkohë që rezultatet e kirurgjisë estetike mund të përcaktojnë një ndryshim pozitiv për shumë aspekte të jetës së pacientit, kjo nuk është një arsye e vlefshme për t’iu nënshtruar një operacioni. Arsyeja e ekuilibruar për të bërë një ndërhyrje të kirurgjisë estetike duhet të jetë dëshira për të përmirësuar pamjen në një zonë të caktuar të trupit. Një studim i vitit 2005, i bërë nga Shoqata Amerikane e Kirurgjisë Plastike (Asps) nxjerr në pah që 75% e të intervistuarve pranon se e ka zgjedhur kirurgjinë estetike për të pasur një imazh më të mirë dhe një stil më aktiv jetese. Njëkohësisht 70% e tyre ka vërejtur një avantazh emocional dhe psikologjik pas kirurgjisë, me impulse pozitive edhe për lumturinë personale, vlerësimin dhe sigurinë në vete. Po aq e dukshme, edhe e dhëna e fundit: 45% e tyre shijon çdo ditë avantazhin se është bërë më tërheqës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.