Është vetëm 23 vjeçe, por pasioni për të kuruar të bukurën, i vesh asaj gjithë dëshirën e përkushtimin për t’u marrë me të kohë e pa kohë. Të kurohesh estetikisht sipas saj, do të thotë të parandalosh e kujdesesh për veten, për të pasur gjithmonë një imazh të pastër.
Klea Mustafa, një farmaciste e ardhshme e brezit të ri që i shtohet dita-ditës kësaj fushe, prej dy vitesh ka hedhur në baza të shëndosha gjithë esencën e shkollës. Ajo ka krijuar me dhjetëra produkte, të cilat fillimisht i teston vetë, ndërsa për të interesuarit ka marrë urimet më të mira për rezultatet pozitive që kanë përftuar.
Si lindi ideja e krijimit të një linje tuajën?
“Erboristeria Di Klea” lindi nga nevoja personale, pasi dëmtova flokët e mi me anë të një dekolorimi të bërë vetë në shtëpi. Në ato çaste më duhej diçka emergjente për të risjellë në gjendjen e mëparshme flokët, ekstremist të dëmtuar. Gjatë asaj periudhe investova shumë për trajtime të shtrenjta e kura të ndryshme, derisa u lodha nga rezultate të cilat ishin vetëm momentale. Kështu që vendosa ët hiqja dorë nga çdo gjë që kishte përmbajtje kimike e vendosa të krijoj diçka me përbërës tërësisht natyralë dhe të shihja nëse kjo gjë do të më jepte efektet që unë po kërkoja. Pas një muaji trajtimesh intensive, mikeshat e mia filluan të më komplimentonin e të më kërkonin ndihmë dhe këshilla për trajtime të ndryshme në lidhje me problemet që ato kishin me flokët dhe aty më lindi ideja të krijoja linjën time me përbërës tërësisht natyralë dhe produkte të personalizuara.
Si ishte ky eksperiment i parë?
Ishte pikërisht produkti për rigjenerimin dhe ristrukturimin e flokëve, të cilin e përshtata me problemin tim. Bleva tre vajra kurues, një vazo me bimën Aloe Vera për të marrë prej saj xhelin mrekullibërës dhe mjaltë. I bashkova të gjithë përbërësit dhe e përdorja këtë maskë 3 herë në javë. E lija të vepronte gjatë natës në mënyrë që çdo fije floku të merrte ushqimin e nevojshëm për t’u rigjeneruar.
Sa e vështirë ishte të përshtatje dijet përmes shkollës dhe praktikën në realitet?
Dega që unë kam studiuar më jepte mundësi shumë të mira për ndjekjen e laboratorëve të ndryshëm. Në këtë mënyrë i kisha mësuar metodat e krijimit të produkteve. Vështirësia më e madhe ishte të siguroja lëndën e parë cilësore dhe gjithashtu, gjetja e materialeve për krijimin e një laboratori të vogël që të më ndihmonte të eksperimentoja e të krijoja produktet e mia.
Sa produkte kozmetike keni realizuar deri më tani?
Aktualisht “Erboristeria Di Klea” ofron rreth 30 lloje të ndryshme produktesh me bazë neutrale dhe gjithashtu ofrohet edhe shërbimi i produkteve të personalizuara, duke u përshtatur me nevojat e klientëve.
Si e përçoni linjën tuaj, ka një adresë të veçantë apo rrjet social?
“Erdoristeria di Klea” është një dyqan i cili operon vetëm Online në rrjete sociale si Instagram, Facebook dhe së shpejti produktet do të ofrohen në një Website ekskluziv online ku një pjesë e të cilit do të jetë i dedikuar veçanërisht për Erboristerinë.
Sa punë dhe pasion ka në realizimin e një produkti?
Puna dhe pasioni janë të lidhura shumë ngushtë mes tyre. Secili produkt që ofrohet ka në përmbajtje 1/2 punë dhe 1/2 pasion.
Prej dy vitesh krijoni produktet nga më të ndryshmet, në fakt, cili ka rezultuar më i suksesshmi?
Produktet më të suksesshme kanë rezultuar formulat për trajtimin e flokëve dhe kremi me Mukusin e kërmillit.
Momentalisht, duke qenë se kemi hyrë në stinën e vjeshtës, a ka një produkt që do t’ia këshillonit lexuesve?
Vjeshta është stina ime e preferuar dhe përpiqem të marr prej saj çdo të mirë që ofron. Për të gjithë lexuesit do të rekomandoja të përdorni maska antioksidante me përbërës kryesor shegën dhe kungullin. Lëkura juaj do të jetë falënderuese nëse ju do t’i aplikoni këta dy përbërës.
Cilat janë risitë e radhës?
Muaji tetor do të jetë i mbushur me surpriza në “Erboristeria di Klea”. Pas suksesit të linjave të mëparshme për kujdesin ndaj flokëve, fytyrës dhe trupit, do të ofrohet për të gjithë klientët tanë linja tërësisht Vegane dhe një gamë e re produktesh të tjera me përbërës tërësisht natyralë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.