Nuk flitet për masa drastike, heqje dhëmbësh dhe zëvendësim të tyre me diçka të huaj, që pavarësisht përmirësimit të teknologjisë, gjithsesi nuk është më e mira e mundshme. Por gjithçka që ofron një klinikë dentare si “Kokoneshi” ka të bëjë me mirëmbajtjen e atyre dhëmbëve që vazhdojnë të jenë pjesë organike e trupit. Kjo është dhe mundësia më e mirë për t’i dhënë një zgjidhje profesionale e korrekte çdo pacienti që ka probleme me shëndetin oral.
Nga Orjona TRESA
26 vjet përvojë mjekësore në qytetin e Kavajës, ku padyshim suksesi ka qenë jetëgjatësia e këtij rrugëtimi. Si ndiheni në këtë kapërcim vitesh dhe cili besoni se është çelësi i suksesit?
Në 26 vite klinika dhe mjekët nuk kanë humbur asnjëherë kontaktin periodik me njerëzit e thjeshtë. Ne kemi mësuar të vlerësojmë kërkesat e tyre, t’u japim zgjidhje profesionale korrekte, duke dëgjuar me kujdes problemet, por gjithashtu dhe opinionet e tyre lidhur me shërbimin si dhe kostot. Kemi orientuar gjithmonë pacientët se suksesi është mirëmbajtja dhe se zëvendësimi i dhëmbëve është opsioni i fundit.
Ndalemi tek profili juaj, stomatologjia, dhe shërbimet që ju ofroni. Sa kanë avancuar me kohën, marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë?
Ndryshimet janë të jashtëzakonshme. Sot përdorim teknika që përpara pak vitesh mendoheshin fantashkencë. Sot në klinikë vendosim implante me anë të teknikës Computer-Guidata (planifikim i vendosjes së implanteve në grafi 3-dimensionale me anë të kompjuterit) pa krijuar plagë të mëdha në gojë dhe me precizion të admirueshëm. Kohët e shërimit janë shkurtuar dhe pacientit i vendosen dhëmbë provizore menjëherë.
Ortodoncia është sfera që njeh më së shumti kërkesa, çfarë mund të thoni rreth saj?
Ortodoncia është FOKUSI kryesor i klinikës për vitin 2020. Malokluzioni (keq-kafshimi) ose dhëmbët e shtrembër, janë shkak madhor për degradimin e shëndetit të gojës. Ne bashkëpunojmë me mjekë ortodonti shumë të mirë dhe njëkohësisht dy nga mjekët tanë po specializohen në Rimini për teknikat më moderne që përdoren sot për drejtimin e dhëmbëve.
Cilat janë më së shumti problematikat që vini re?
Shohim gjithmonë e më shumë malokluzion, kafshim i hapur, kafshim i thellë, i kryqëzuar apo grumbullime dentare, por edhe në pacientët me okluzion të mirë kemi një problem që po bëhet gjithmonë më serioz-bruksizmin.
Çfarë është bruksizmi?
Në gjuhë popullore është shtrëngimi i dhëmbëve ose kërcitja e tyre. Është një fenomen që vjen nga stresi kryesisht, dhe po shtohet masivisht. Përveç dëmtimeve të dhëmbëve që abradohen (konsumohen, shkurtohen), krisen dhe dobësohen, kemi dhe dhimbje koke dhe nofullash.
A ka ndonjë zgjidhje për këtë problem?
Sigurisht. Një nga zgjidhjet më të mira është përdorimi i Bite Elastik. Është një mbrojtëse elastike shumë elegante që mbron dhëmbët gjatë natës, duke amortizuar forca të jashtëzakonshme që shkojnë deri në 400kg/cm2.
Është individual?
Po, Bite Elastik realizohet me anë të marrjes së një mase të gojës së pacientit në klinikë. Më pas ai prodhohet në laborator dhe është i gatshëm për përdorim.
Kur flasim për ortodoncinë kemi parasysh aparatet ortodontike për korrigjimin e defekteve të dhëmbëve. Cila është fjala më e fundit?
Në rastin e një goje me dhëmbë të drejtë pra me okluzion të rregullt, pastrohet kollaj, që përkthehet në shëndet dhe pak ose aspak ndërhyrje tek dentisti (përveç higjienës). Në rastin tjetër, një pacient me malokluzion has vështirësi në pastrimin e dhëmbëve të shtrembër e si pasojë kemi shfaqjen e kariesit, që çon pacientin te dentisti, për mbushje që përsëriten e përsëriten deri sa dhëmbët shkatërrohen, sepse për sa kohë nuk arrihet higjienë e mirë, po për aq kohë do të formohet karies.
Cila mbetet fjala e fundit sa i takon ortodoncisë?
Është sërish ortodoncia në 3D, maskerinat transparente dhe jo vetëm. Me anë të kompjuterit dhe cad-camit prodhohen maskerina transparente që drejtojnë dhëmbët pa rënë në sy, sidomos braketat nuk përjashtohen në rastet më të vështira.
A dhemb vendosja e braketave për drejtimin e dhëmbëve?
Jo. Ky është një keqkuptim. Ditët e para do ketë thjesht një diskomfort dhe vështirësi në përtypje, por dhimbje nuk ka. Sigurisht çdo muaj që aktivizohet aparati do ndjeni sërish diskomfort, dhe kjo zhduket brenda pak ditësh.
Si vendosen braketat?
Braketat janë pllakëza metalike ose qeramike të tejdukshme që ngjiten mbi dhëmbë me anë të një cementi apostafat, i cili forcohet me anë të një drite blu. Braketat më pas lidhen me njëra-tjetrën me anë të harqeve prej teli titanium, të cilat drejtojnë dhëmbët. Këto harqe ndërrohen çdo muaj.
A mund të vendosen braketat gjatë shtatzënisë?
Sigurisht, dhe nuk ka asnjë dëm që mund të vijë prej tyre gjatë shtatzënisë.
Sa gjatë duhet mbajtur aparati ortodontik (braketat)?
Në shumicën e rasteve 18-24 muaj, por ka raste të veçanta që duhen mbajtur edhe më gjatë.
A mund ta rregullojnë braketat kafshimin e thellë?
Sigurisht. Ato mund të drejtojnë dhëmbët e shtrembër si dhe harkun e dhëmbëve, duke rregulluar kafshimin dhe buzëqeshjen. Ky proces merr nja dy vite kohë, por kur t’i hiqni do ta shikoni se vërtet ia vlente t’i vinit!
A e rregullojnë braketat kafshimin e hapur?
Po, braketat mund të rregullojnë në shumicën e rasteve kafshimin e hapur .
Cila është mënyra më e mirë për të drejtuar dhëmbët?
Është individuale. Në shumë raste braketat tradicionale janë shumë efektive, por ka raste që mund të përdoren dhe maskerinat transparente (Ortodonzia 3D). Në secilin rast vendos mjeku!
A duhet të heq ndonjë dhëmb për të drejtuar të tjerët?
Ne shmangim në maksimum heqjen e dhëmbëve, por në disa raste duhet bërë heqja e dhëmbëve të pjekurisë ose heqja e premolarit të parë. Stafi jonë merr shumë seriozisht konsultën për këto raste.
A keni ju ndonjë ofertë për vendosjen e braketave?
Marka tonat janë Forestadent&Dentaurum, të dyja Made in Germany dhe stafi jonë mundohet që t’i bëjë braketat sa më të përballueshme ekonomikisht, duke mundësuar pagesën në disa këste. Ne do të bëjmë të mundur dhe oferta speciale vetëm gjatë ditëve festive. Për më tepër informacion rreth ofertave festive klikoni në Facebook-un Klinika Dentare Kokoneshi & Dentist i Fëmijëve ose skanoni kodin Qr me smartphone për secilën nga faqet.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 150
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.