Nga bebet e porsalindura deri tek 80-90-vjeçaret, 100 ndërhyrje në muaj, mbi 20.000 ndërhyrje në rreth 24 vite punë, mjekja okuliste kirurge Prof/as Arjeta Grezda, drejtuese e Kabinetit të Glaukomës në QSUT dhe titullare e Klinikës së Syrit “Art”, tregon mënyrën e diagnostikimit, të parandalimit dhe të trajtimit të glaukomave dhe katarakteve.
Pothuaj një çerek shekulli me kirurgjinë e syrit. Cila është ndjesia?
Shfletimi i kalendarit mbrapsht e parakalimi i gjithë rrugës së përshkruar, sigurisht që së pari të përcjell nostalgji për faktin se si je rritur e pjekur si qenie humane, si je plotësuar profesionalisht, si kanë evoluar trajtimet medikamentoze, teknikat kirurgjikale, qoftë edhe vetë ndërgjegjësimi në rritje i pacientëve dhe kujdesi i tyre për syrin. Së dyti, krenari të natyrshme në çfarë ke arritur të realizosh me shpatullat e tua e me këmbënguljen në dashurinë e profesionit si edhe mirënjohje për të gjithë familjen time, Profesorët e nderuar, miqtë e kolegët që kanë besuar e vazhdojnë të besojnë tek unë e që më kanë mbështetur në gjithë këto vite në mënyrë të pakushtëzuar.
I gjithë ky rrugëtim në fund të fundit përveç përmbushjes shpirtërore e profesionale, përkthehet në mënyrë të drejtpërdrejtë me përgjegjësi, sepse sa më i madh besimi, aq më shumë rriten edhe pritshmëritë e pacientëve drejt teje si edhe pritshmëritë e tua ndaj vetes dhe në detyrim që kjo eksperiencë e grumbulluar i duhet ofruar edhe brezit të ri të specializantëve. Përgjithësisht pacientët na shohin në veprim dhe nuk na perceptojnë edhe ne njerëz si gjithë të tjerët me emocionet, mbingarkesën, stresin që vetë kirurgjia sjell. Kirurgjia në përgjithësi si edhe ajo e syrit, është gjithmonë e mbushur me të papritura e me adrenalinë, sepse punohet mbi biologjinë individuale të çdo pacienti dhe e parë në këtë këndvështrim kilometrazhi në profesion, sigurisht që të ndihmon, por sërish çdo rast duhet ta trajtosh si të ishte unik, sepse është unik për pacientin që vetëm atë dritë syri ka!
Jeni drejtuese e Kabinetit të Glaukomës në QSUT dhe e specializuar edhe në kirurgjinë e kataraktit. Mund të na thoni çfarë janë këto dy sëmundje dhe si trajtohen?
Katarakta apo perdja e syrit, është një mjegullim në rritje i thjerrëzës së syrit që çon në uljen e tejdukshmërisë së saj, duke e pakësuar kështu në mënyrë të vazhdueshme aftësinë e të parit. Katarakti lidhet me moshën mbi 55 vjeç dhe me ndryshimet në metabolizmin e thjerrëzës, diabetin apo traumat e syrit. Ndërhyrja kirurgjikale është e vetmja mundësi e mjekimit në suksesin e plotë, ku Thjerrëza artificiale që zëvendëson perden pas heqjes, përbëhet prej materialit inert dhe jo të dëmshëm për organizmin dhe syrin. Prandaj, reaksione të nxjerrjes pothuajse nuk ndodhin. Teknologjia e avancuar me ultratinguj dhe ndërhyrja me anestezi lokale bën që operacioni të zgjasë rreth 20-30 minuta.
Ndërsa Glaukoma është një sëmundje e syrit (neuropati optike), në të cilën nervi optik pëson një dëmtim të pakthyeshëm. Nëse nuk trajtohet, çon deri në verbim. Zakonisht shoqërohet me rritjen e tensionit të syrit, megjithatë ekziston edhe një lloj glaukome me tension normal të syrit. Glaukomën e klasifikojmë me kënd të ngushtë, Glaukoma me kënd të gjerë si edhe Glaukoma kongenitale. Trajtimi i glaukomës përcaktohet në varësi të llojit si edhe të stadit të avancimit të sëmundjes. Trajtimi përfshin mjekim medikamentoz, ndërhyrje me laser (llojet e ndërhyrjeve me laser janë të ndryshme, në përputhje me llojin e glaukomës, trajtim kirurgjikal (kanaloplastika, sklerektomia e thellë, trabekulektomia etj).
Si mund ta parandalojmë dëmtimin e nervit të syrit nga glaukoma, dhe në përgjithësi, cila duhet të jetë rutina e kontrollit të syve?
Diagnostikimi sa më i hershëm është çelësi i suksesit në parandalimin e dëmtimit të nervit nga glaukoma. Pas diagnostikimit, pacienti duhet të ndjekë me përpikëri të gjitha këshillat e mjekut me qëllim, parandalimin e përparimit më tej të sëmundjes. Çdo individ duhet të kryejë të paktën një herë në vit kontroll tek okulisti. Çdo individ duhet të paraqitet menjëherë te mjeku për çdo shqetësim të syve, si ulje/kufizim të pamjes, skuqje apo dhimbje të syve, dhimbje të kokës etj. Për çdo person që ka një të afërm që vuan nga glaukoma, rekomandohet kryerja e kontrollit specifik për glaukomën çdo 2 vjet për personat me moshë 40-50 vjeç, dhe çdo një vit për personat me moshë mbi 50-vjeçare. Kujdes duhet pasur në rastin e fëmijëve, nëse vihen re shenjat e mësipërme, duhet të kryhet një vizitë tek okulisti për të përjashtuar praninë e glaukomës kongjenitale (të lindur).
Në Klinikën e Syrit “Art” të cilën e drejtoni ju, cilat janë kategoritë e pacientëve të cilët trajtoni?
Duke qenë kirurge okuliste e specializuar në trajtimin e glaukomës dhe kataraktit, kontingjenti i pacientëve që kërkojnë konsultë mjekësore i përket këtij spektri. Sigurisht që trageti nuk është vetëm trajtimi kirurgjikal i këtyre sëmundjeve, por edhe kurimi e parandalimi i tyre. Ndërkohë trajtohen rastet e traumave në sy trauma të shkaktuara si gjatë punës, ashtu edhe nga mjete rrethanore. Teknologjia sot të ndihmon me anë të të gjitha pajisjeve të realizosh matje të sakta të të gjitha strukturave të syrit.
Prof.Arjeta ç’mund të na thoni për Arjetën jashtë klinikës, për Arjetën pa përparësen e mjekut?
Arjeta pa bluzën e bardhë është mamaja krenare e dy djemve, me partneritetin e më të madhit prej tyre Ensarit, i cili menaxhon klinikën e syrit “Art” në pritje të plotësimit të ëndrrës së të voglit, Arbërit, për të studiuar Informatikë Elektronike. Arjeta pa përparëse është e dhënë pas fashion design-it në sensin e ndjekjes së modës, në kurimin e detajeve, të punimit me dorë, dantellës, llojin e materialit të përdorur, mëndafshi kashmiri!
Arjeta pa përparëse ka ndjekur 9 vjet edukim muzikor për violinë dhe muzika mbetet bashkëshoqëruese e padukshme, duke më shoqëruar në çdo hap e duke më dhënë ritmicitet në mendim dhe veprim. Përvoja gjatë specializimit në Indi, përplasja me kulturën indiane, ndoshta më ka ngacmuar të jem vazhdimisht në kërkim të kulturave të ndryshme nga e jona.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.