Kur një epokë zëvendëson një tjetër, ngjarjet humbasin ekuilibrin dhe rivendosja e tyre arrihet me një tjetër standard. Dhe të duash të flasësh për ngjarje që ndodhin në një demokraci tranzite, por që zanafillën e kanë prej diktaturës komuniste, këtu punët ndërlikohen ca. Sepse dy epokat që i ndan një fill i hollë si “Muri i Berlinit” ndajnë dhe psikologji krejt të ndryshme. Por edhe pse duken aq të largëta, ato janë në vazhdimësi të pandërprerë. Këtu puna duket sikur thjeshtësohet ca. Prandaj ndodh që edhe nga disa tema tregimesh, që mbajnë një titull të vetëm mbi libër, mund të njohësh një epokë, psikologjinë njerëzore dhe fate që rrokullisen në një humbellë të thellë.
Kliton Nesturi, një shkrimtar me 6-7 botime letrare e një karrierë të gjatë si realizues dokumentaresh; pra një vëzhgues i hollë ngjarjesh që di t’i materializojë në mënyrë krejt artistike, kërkon të na vërë në provë, duke na dhënë një titull, për të “shitur” të gjithë vëllimin. Dhe padyshim që, duke mos njohur praktikat tregtare, opinioni i tij adoptohet thjeshtësisht me një shprehje: “o të gjitha o asnjërën”.Thënë shkurt: duhet lexuar i gjithë libri për të dalë në të njëjtin përfundim.
“Spaletat” është vetëm një tregim i Nesturit, por duke mbajtur mbi supe peshën e të gjithë vëllimit përfaqëson, qoftë si simbolikisht, të dhjetë tregimet që janë përfshirë nën të njëjtën logo. Në këtë mënyrë, duke i vendosur titujt si në një “pazëll” arrijmë të formojmë një mozaik ngjarjesh e personazhesh, ku sheh si në një kaleidoskop klasik realitete të trishta tranzicioni.
Për Kliton Nesturin, si një shkrimtar me përvojë në prozë e poezi, duket se tregimi mbetet gjinia e tij më e preferuar, përderisa me “Spaletat” e rrit në tre numrin e botimeve në këtë gjini letrare.
Titulli: Spaletat
Autor: Kliton Nesturi
Gjinia: Tregime
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.