Marrëdhënie

April 12, 2016 | 7:56

Klodiana Kapo: Kur Albani …më joshte me lule

Albani më sillte vazhdimisht lule, duke e ditur që ishin dobësia ime. Tregonte vëmendje në telefonatat që bënte. Më pyeste si më kishte ecur dita, a isha lodhur në punë, çfarë më kishte ndodhur. Mundohej të më mbështeste dhe të më përgëzonte për kronikat e mia.

“Albani më sillte vazhdimisht lule, duke e ditur që ishin dobësia ime”. Dhe ky nuk është një sinjal për t’u shpërfillur. Nëse vajzës i pëlqejnë lulet dhe djali i dhuron gjithnjë, kjo do të thotë se ai do dhe di t’u përgjigjet dëshirave të saj. Ndaj dhe gazetares Klodiana Kapo nuk mund t’i kalonte tangent vëmendjes një sinjal i tillë, që në fillimet e lidhjes donte të thoshte jo pak për seriozitetin dhe vazhdimësinë e saj. Por ka edhe më: “Tregonte vëmendje në telefonatat që bënte. Më pyeste si më kishte ecur dita, a isha lodhur në punë, çfarë më kishte ndodhur. Mundohej të më mbështeste dhe të më përgëzonte për kronikat e mia. Ishte konciz dhe i përmbajtur në çdo hap që bënte”. Fundja, po të kish qenë ndryshe, ka të ngjarë të mos funksiononte. Nëse për Klodin një vëmendje e dhënë në këtë mënyrë kishte rëndësi, Albanin nuk do të ngurronte, do ta jepte dhe pikërisht ashtu siç vajza e re e dëshironte…

***

Por kishte edhe të përbashkëta mes Klodianës dhe Albanit, prej dy vitesh prindërit e një djali të vogël. Mes të përbashkëtave, pasioni për detin. Rezultonin që të dy të ishin romantikë në shijet e tyre. Ndoshta Albani e nuhati këtë pasion të Klodianës, ndoshta deshi t’i tregonte asaj se edhe ai kishte të njëjtin pasion, ndaj dhe e ftonte gjithnjë, që së bashku me miqtë, të shkonin në bregdet. “Unë deri diku jam natyrë romantike. Perëndimi i diellit, zhurma e detit, ajri i mbushur me jod, dritat, më bëjnë të mendoj ndryshe. Më krijojnë një gjendje emocionale të brishtë. Albani i ka shfrytëzuar këto detaje, shëtitjet buzë bregut, mbrëmjeve, aq sa më bëri të dorëzohem pa kushte”. Pat qenë një pasdite e datës 20 janar të vitit 2002, kur Albani hodhi seriozisht grepat. E nxitur dhe nga efektet e një perëndimi të mrekullueshëm, Klodi pranoi t’i jepte një mundësi… Edhe pse dimri mund t’i kushtëzonte deri diku dy të rinjtë, alternativa e tyre më e mirë për të qenë vetvetja dhe pa komplekse ishte Durrësi. Ashtu siç tregon Klodi, në njohjen e saj që zgjati mbi një vit, kanë mbetur disa detaje që sot i kujton me humor.

***

“Ajo që më ka bërë për vete te Albani është përkushtimi dhe vëmendja që i jep detajeve. Sakaq, është dhe shumë argëtues. Pushimeve, edhe pse nuk kishim mundësi t’i kalonim bashkë, sepse nuk ishim ende të fejuar, Albani vinte fshehurazi tek shtë- pia e prindërve të mi në Durrës dhe kërkonte të takoheshim. Të zhvendoseshim diku. Më ftonte të shijonim ato çaste që kur u shndërruan në kujtime, na mbetën gjatë në mendje”. A nuk është një detaj i kujdesshëm një mënyrë tjetër e shprehjes së dashurisë një tatuazh domethënës? Sigurisht që po. “Për ditëlindjen time bëri një tatuazh sunshine”, – thotë Klodiana, duke shpjeguar se domethënia e këtij tatuazhi kishte të bënte me lidhjen e tyre ne bregdet. “Kjo ma ka bërë më tërheqëse lidhjen”… Sot, pas kaq vitesh, ata janë prindër të Elkanit 2 vjeç, “të dërguarit të Perëndisë”, siç preferon t’ia saktësojë emrin Klodi… dhe të tre, ata vazhdojnë të jenë po kaq romantikë, të lidhur me detin, me aromat dhe zhurmat e tij, me perëndimin…

1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top