Marrëdhënie

October 30, 2016 | 6:19

Koha e duhur për intimitet e adoleshentit

Për familjarët është e vështirë të kuptojnë që fëmija i tyre po rritet dhe ai vetë dëshiron ta ndjejë këtë. Gjithashtu, për prindin është e vështirë të pranojë që fëmija i tij, i cili sapo ka hyrë në pubertet, mund të ketë një marrëdhënie.

Familja si qelizë bazë e shoqërisë, është përbërësi kryesor me të cilin fëmija ka marrëdhënie të ngushta deri rreth moshës 12 vjeç. Pikërisht në këtë moshë, bota e fëmijës pasurohet me kërkesa dhe informacione të reja. Ai fillon t’u drejtohet burimeve të tjera për informacione dhe përmbushjen e kërkesave të tij, të cilat shkojnë për shtat me ritmet e tij fizike dhe mendore. Pas kësaj moshe, nisin të shfaqen konflikte që, në situata të caktuara dhe në mungesë të një komunikimi efektiv profesional ose të kujdesshëm, acarohen ose mund të sjellin pasoja jo të këndshme në jetën e adoleshentit dhe personave që e rrethojnë atë. Për familjarët është e vështirë të kuptojnë që fëmija i tyre po rritet dhe ai vetë dëshiron ta ndjejë këtë. Gjithashtu, për prindin është e vështirë të pranojë që fëmija i tij, i cili sapo ka hyrë në pubertet, mund të ketë një marrëdhënie.

Për adoleshentin është akoma më e vështirë të pranojë që familjarët e tij nuk përshtaten me kërkesat dhe kureshtjen e tij për të zbuluar botën dhe për të pasur një marrëdhënie. Kjo mospërputhje mendimesh dhe idesh nxit herë pas here lindjen dhe thellimin e konflikteve, që ndryshojnë në varësi të karakteristikave dhe nivelit kulturor, arsimor e financiar të familjes në të cilën bën pjesë adoleshenti. Konfliktet më të shpeshta janë në lidhje me marrëdhëniet ndërpersonale që mund të ndërtojnë adoleshentët. Në një analizë të thjeshtë që mund të bëjmë në lidhje me shërbimin që ne ofrojmë, shqetësimet në lidhjet ndërpersonale vazhdojnë të jenë në nivel të lartë, si dhe problematikat me anëtarët e familjes, të cilët ndikojnë shumë në jetën e tyre të përditshme.

Edhe fusha e psikologjisë që ka studiuar etapat e zhvillimit njerëzor, studimet e ndryshme që janë bërë, nuk kanë përcaktuar një moshë fikse kur një fëmijë adoleshent mund të ndërtojë një marrëdhënie dashurore. Këshilla e tyre është që të ndodhë sa më vonë të jetë e mundur, sepse fëmija adoleshent është në proces rritjeje. Megjithatë, prindërit kanë detyrimin dhe përgjegjësinë për t’iu përgjigjur adoleshentit, ose e shprehur me termin profesional “fëmijës së rritur”. Ndaj, prindërit duhet të jenë të informuar me ndryshimet në ketë periudhë të jetës së tij, mund ta ndihmojnë adoleshentin për t’u mirorientuar në zgjedhjet që ai dëshiron të bëjë. Kjo mund të parandalojë rrezikun e përfshirjes në një marrëdhënie të rrezikshme, kërcënuese apo në dukuri shoqërore negative, të cilat mund ta dëmtojnë dhe t’i japin një kthesë të rrezikshme jetës së tij.

Një prind i komunikueshëm dhe që dëgjon me vëmendje kërkesat e fëmijës, nxit tek adoleshenti nevojën për të bashkëpunuar më në harmoni të dyja palët së bashku. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top