Në fokus

August 18, 2016 | 8:25

Kohët moderne, faktor në nxitjen e smirës

Nga Gëzim TUSHI Sociolog

Nga Gëzim TUSHI
Sociolog

Ambicia dhe zilia personale, nga opinion social apo e lidhur me ndjenjat e individit të përveçëm, janë ndjenja të natyrshme humane, të lidhura pazgjidhshmërisht me thelbin e natyrës së njeriut. Ato janë ndjenja që shpesh, në moment dhe rrethana të caktuara, përdoren si instrumente që e nxitin në luftën për realizimin e detyrave dhe objektivave të “Projektit të Jetës Personale” që e ka çdo njeri që jeton në shoqëri. Nominalisht ambicia, zilia, lakmia. Egoizmi, të para en block të duken si ndjenja që ontologjikisht janë identike. Por edhe pse të përafërta, e vërteta nuk është kështu. Sidoqoftë, ambicia ndryshon nga zilia. Në kushtet e shoqërisë individualiste, kur vlera sociale e njeriut është e lidhur me suksesin personal, shpeshherë të vlerësuar pa kushte, të qenit njeri me ambicie të spikatura nuk është gjë e keqe. Sidomos ajo bëhet mjet aktiv, nxitës për njeriun që të vlerësojë veten, arritjet e tij, por duke i krahasuar ato edhe me arritjet dhe rezultatet e të tjerëve. Ambicia ka vlera kur vendoset në sferën e gjykimit komparativist të arritjeve individuale të njeriut në raport me rezultatet që kanë të tjerët në atë fushë. Kufiri pozitiv i ambicies, si motiv i personalizuar dhe stimulues, ka vlerë kur atë e “kthen kundër” vetes, kur e përdor si optikë për të parë arritjet dhe mangësitë e tua, por dhe arritjet e shënuara nga të tjerët në fushën materiale, financiare, kulturore, arsimore etj. Ambiciozët nuk janë njerëz të këqij që duhet të na shqetësojnë. Përkundrazi, mungesa e tyre në fushat e ndryshme do të ishte pa dyshim një fatkeqësi dhe pengesë për arritje e suksese sociale. Ka fusha të tilla si shkenca, politika, arti, biznesi etj., në të cilat asnjë arritje e shënuar nuk mund të shënohet nëse nuk ka njerëz me ambicie ndaj “kufijve” të suksesit dhe progresit që kanë shënuar të tjerët, që janë para teje. Asnjë politikan që nuk ka pasur ambicie, nuk ka bërë dot karrierë politike. Filozofi Francis Fukuyama e vlerëson shumë faktin që politika nuk bëhet pa politikanë ambiciozë. Por kjo nuk do të thotë se duhet barazuar me “ambicien e hierarkisë” që e kanë ata politikanë që kur kanë pushtet, janë kundër atyre që janë më të zot se ata. Kjo lloj ambicieje provinciale politike është e ndeshur shpesh në realitetin e politikës sonë. Nga ana tjetër, zilia është tjetër ndjenjë. Ajo ka tipologji, esencë dhe strukturë të ndryshme nga ambicia. Zilia është përgjithësisht ndjenjë jopozitive, që nuk është nxitëse, ngaqë shfaqet vetëm në pasivitet më shumë si lakmi ndaj njeriut ambicioz dhe të suksesshëm. Është një lloj ambicie negative do ta quaja unë, e cila më shumë të frenon, të mban zvarrë pas “leximit dashakeq” të arritjeve të njerëzve, që vërtet kanë ambicie të personalizuara, por njëherësh edhe fuqi personale kompetitive për t’i realizuar idetë dhe projektet. Ziliqarët janë përgjithësisht njerëz pa projekte të kristalizuara dhe pa vitalitetin e duhur për t’i realizuar ato, sepse janë më shumë vanitozë, profesionistë me bateri të shkarkuara, pa kreativitet dhe besim te vetja. Zilia ka metamorfozën e saj, të kthimit në urrejtje për arritjet e të tjerëve. Në këto kushte, ajo si ndjenjë është e dështuar, sepse nuk i jep njeriut asnjë rezultat pozitiv. Sa më shumë ziliqar me arritjet e të tjerëve të jetë njeriu, aq më pak mundësi ka të gjejë koordinatat e orientimit të shëndoshë të punës me ambicie të forta sociale e personale. Me gjithë ndryshimet dhe transformimet që kanë ndodhur në relacionet e njeriut me shoqërinë, ato janë ende peng i koncepteve dhe “besnikërive të vjetra”, të paragjykimit të meritave individuale. Nuk është e lehtë të evidentosh në shoqërinë tonë njerëzit me talent dhe rendiment të veçantë; ata janë përballë presionit të ziliqarëve, dembelëve, lakmitarëve, parazitëve, vanitozëve, njerëzve të paaftë, që duke qenë ambiciozë për atë që duan apo ëndërrojnë të realizojnë, përpiqen të ngrenë “mure” dhe ushqejnë mentalitete, që të dobësojnë ambicien dhe kurajën qytetare të njerëzve të shquar. Shoqëria jonë akoma ka koncept minimalist, që nuk të nget, po qe se nuk ke ambicie dhe qëndron në turmën e ziliqarëve, por i paevidentuar personalisht. E keqja fillon kur njeriu me ambicien e tij evidentohet, bëhet i shquar, i njohur publikisht. Dhe është për të ardhur keq që dembelit, ziliqarit, parazitit, shoqëria jonë nuk i bie në qafë sa njeriut të aftë dhe publik. Por kohët po ndryshojnë me shpejtësi. Madje që në fillimet e modernitetit u parashikua saktë tendenca, se “zhvillimi i individit mund të bëhet vetëm në lojën e jetës me rivalitetin e saj të tërbuar” (Erich Fromm, “Shoqëria e shëndoshë”, f. 241). Në këto kushte kanë ndryshuar qëndrimet dhe vlerësimet për njeriun ambicioz dhe ziliqar. Shoqëria moderne nuk është më aq shumë solidare dhe humaniste, por më shumë individualiste dhe solitare. Ndaj edhe ndjenja të tilla, si ambicia dhe zilia, kanë pësuar evolucionin e tyre në raport me progresin e shoqërisë me natyrë liberale dhe tipologji individualiste. Fjala vjen, disa shekuj më parë, në epokën e lulëzimit të ideve humaniste dhe iluministe, filozofi dhe psikologu Benedikt Spinoza, ambicien dhe zilinë i ka konsideruar “dobësi njerëzore”. Sipas tij, “ambiciozi nuk e vret mendjen për asgjë tjetër veçse për lavdi”. Për Spinozën, ata janë të mundimshëm dhe meritojnë të urrehen nga shoqëria, sepse përbëjnë forma çmendurie, por nuk hyjnë në sëmundje (Eric Fromm, “Shoqëria e shëndoshë”, f. 19). Pa dyshim ambicia, zilia dhe format e egoizmit individual janë forma të ndjenjave njerëzore, që kanë afinitet e ngjashmëri midis tyre dhe janë mjete që përdoren në “lojën e jetës” e sidomos në kushtet e konkurrencës së fortë dhe rivalitetit të tërbuar midis njerëzve. Ato janë bërë forcë lëvizëse, që e nxitin njeriun të ecë në jetë. Varet si përdoren ato nga njeriu që është i orientuar për mirë apo keq. Kjo kohë, e tillë është. Njeriu është qenie sociale, por që në shoqëri jeton individualisht dhe ka objektiva jetësorë të personalizuar. Ka një debat moral, sociologjik dhe intelektual nëse smira dhe zilia duhen konsideruar “mjete të mençurisë së njeriut të epokës postmoderne. Në përgjithësi njeriu i kohës sonë, ziliqar dhe ambicioz, i ka këto cilësi si pjesë përbërëse të ndjenjave, sepse është i përfshirë në ankthin e mungesës së besimit për arritjen e suksesit personal dhe pafuqinë për t’i realizuar ato në mënyrë të dobishme. Zakonisht, ato janë të forta si ndjenja dhe shfaqen dukshëm te njeriu postmodern, i cili duke qenë në terren social të lëkundshëm dhe rrëshqitës ekzistencialisht, është i kapur nga ethet e karrierës së rrufeshme, pasurimit, konsumimit etj. Në këto kushte ka shumë raste evidente në shoqërinë tonë, në politikë, art, jetën akademike, financiare, kur zilia, smira dhe ambicia shpesh dalin nga kontrolli human dhe bëhen dashur pa dashur “karburant” për të synuar arritje subjektive me çdo kusht dhe çmim, pa vlera dhe meritë, jashtë kostos së dinjitetit personal, në rrugë intrigash dhe me mjete të zhveshura nga skrupujt moralë. Jemi në kushtet e një “… ndryshimi real të modeleve të marrëdhënieve, një vlerësimi konstant të individit konsumator dhe një realiteti sociologjik ku vëmendja ndaj tjetrit është jashtëzakonisht e vogël”… Dominik Wolton (“Të shpëtojmë komunikimin” f. 95). Zilia dhe cinizmi nuk janë ndjenja që qëndrojnë të izoluara. Ato në shumë njerëz shoqërohen nga situata e boshësisë, vanitetit dhe cinizmit personal. Sepse ziliqarët dhe smiranjosët kur humbasin orientimin human, sensin e ekuilibrit, janë njerëz që nuk kanë aftësi të bëjnë dallimin midis vlerës dhe mundësisë individuale e pavlefshmërisë sociale të përpjekjeve ziliqare e cinike. Si rregull, njeriu ambicioz dhe sidomos ziliqarët e kanë të vështirë të ndajnë në çdo rast iluzionin nga e vërteta, rrugën konjukturale nga ajo e drejtë për të arritur suksesin. Ziliqarët dhe ambiciozët, nëse nuk arrijnë t’i kontrollojnë këto ndjenja, e kanë “të lehtë” që pa asnjë problem dhe brejtje ndërgjegjeje të “prostituojnë” me gjithçka, për të realizuar qëllimet ambicioze e ziliqare. Në këtë botë në të cilën ka kaq shumë peshë hipokrizia, intriga dhe paraja, është e natyrshme që njerëzit të jenë gjithnjë e më tepër të orientuar nga ambicia dhe zilia. Koha është e tillë që favorizon lartësimin e gjërave dytësore, dhe për pasojë i nxit njerëzit të bëhen egoistë, ambiciozë e ziliqarë. Megjithatë, kjo është koha moderne. Është mashtrim i madh social të predikosh mentalitetin, kulturën dhe filozofinë antipragmatiste të të jetuarit, në kohën kur kushtet përgatitin njerëz ambiciozë e ziliqarë, që nuk “…vuajnë dhe vdesin për jetën, mirëqenien dhe lumturinë e të tjerëve” Max Horkheimer (“Kritika e arsyes instrumentale”, f. 95). Njerëzit kanë arsye pak madhore dhe që nuk varen prej tyre, që të jenë egoistë e ziliqarë. Koha që jetojmë është bërë shumë e vështirë për të arritur suksesin e çdo lloji. Nuk ka më suksese në rrugë të lehta. “Çelësat” e jetës njerëzore kanë ndryshuar shumë. “Portat e jetës” nuk hapen me “kyçet e ndryshkur” të iluzioneve për thelbin e natyrës humane të njeriut.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top