Problemet e lidhura me shëndetin mendor dhe shqetësime të tilla, shpesh konsiderohen të parëndësishme dhe neglizhohen, derisa gjendja shpirtërore të rëndohet. Sipas studimeve dhe praktikës, bisedat individuale dhe grupore ndikojnë dukshëm në parandalimin e përkeqësimit të shëndetit mendor.
Ne jetojmë dhe lindim në grup, në një familje. Gjatë rritjes, krijojmë grupe shokësh dhe jemi vazhdimisht të përbërë edhe nga grupi. Problemet tona psikologjike të shëndetit mendor shfaqen gjithmonë në marrëdhënie me veten dhe marrëdheniet tona me grupin ku bëjmë pjesë. Një nga problemet që ndeshim, veçanërisht tek të rinjtë, pa anashkaluar edhe moshat e tjera është “vetmia dhe izolimi”, e cila është e çudishme, sepse jetojmë në kohën e mundësive, që janë në favorin dhe disfavorin tonë, ku investimi më i madh i komunikimit rrjedh përmes internetit dhe rrjeteve sociale. Kjo e ka dëmtuar shëndetin psikologjik, sepse marrëdhëniet tona reale ndodhin ballë për ballë me njëri-tjetrin, duke e kuptuar atë, duke komunikuar emocionet nga njëri tek tjetri dhe kjo nuk ndodh në rrjetet sociale, sepse materialet që shkëmbehen aty kanë të bëjnë me mënyrën e paraqitjes, e asaj që duket bukur dhe jo asaj që ndodh realisht në shpirt dhe mendje.
Komunikimi i drejtpërdrejtë ka rëndësinë e pakrahasueshme dhe ndikuese të asaj që ne realisht jemi, e jo asaj që ne prezantohemi. Me zhvillimin e teknologjisë është zbehur nevoja për të pasur njerëz të drejtpërdrejtë për komunikim. Ne nuk duhet të neglizhojme faktin dhe përfitimet që jep mundësia e teknologjisë, por duke mos shkëputur marrëdhëniet e natyrshme, sepse këtu është baza e një qasjeje të mirë ndaj vetes dhe grupit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.