Nga: Sonila Gruda
Komunikimi është një nevojë sa themelore aq dhe primare, saqë shpesh nuk i japim rëndësinë e duhur, duke anashkaluar shumë aspekte ndaj të cilave, nëse do të ishim më të vetëdijshëm, do të përmirësonim komunikimin tonë, pra dhe të “qëndruarit” në botë. Në fakt, çdo vend ku ndërveprojmë është një formë komunikimi. Ai është një nevojë themelore, si për njerëzit ashtu dhe për kafshët: një domosdoshmëri jetike, nëse mendohet se nga aftësia e secilit për të transferuar në mënyrë efektive informacionet e natyrave të ndryshme, varen mundësitë që ata kanë për t’u ushqyer, riprodhuar, për t’u njohur si anëtarë të një grupi shoqëror, për të siguruar – në brendësi të tij – një vend, për të marrë ndihmë dhe mbështetje. Komunikimi është një domosdoshmëri dhe një aftësi themelore për qeniet njerëzore dhe në përgjithësi, për të gjitha gjallesat. Nuk mund të mos komunikohet.
Njerëzit nuk vendosin të jenë apo jo komunikues, pasi komunikimi është i pranishëm që nga lindja. Shembull është e qara e foshnjës menjëherë pas lindjes, që komunikon dhimbjen e përzier me habi. Ne komunikojmë gjithmonë për të arritur një qëllim: për të zbuluar dhe shpjeguar diçka, për të shprehur ndjenjat vetjake, për të treguar interes ndaj një situate të caktuar, për t’u siguruar që personat të shfaqin sjelljet e duhura ndaj një situate të veçantë. Në këto dhe shumë raste të tjera komunikimi është thelbësor: aktivizon një proces marrëdhëniesh, shkëmbimi dhe mirëkuptimi reciprok mes bashkëbiseduesve. Për sa i përket komunikimit mes njerëzve, duket se bashkëjetojnë si aftësitë e lindura dhe ato të fituara nga përvoja gjatë fazave të zhvillimit. Edhe pse fëmijët lindin të pajisur me strukturat e nevojshme të të folurit si edhe me ato të perceptimit ndijor (prekja, shikimi, dëgjimi, shijimi dhe nuhatja), kjo nuk do të thotë se aftësitë gjuhësore janë të lindura apo të paraformuara, si aftësia e frymëmarrjes.
Cili është roli i përvojës? Hulumtimet e shumta dhe të rëndësishme të realizuara nga Jean Piaget (pedagogjist i njohur zviceran), kanë evidentuar se për zhvillimin e gjuhës, është thelbësore ekspozimi i hershëm i fëmijës në marrëdhëniet shoqërore, por ekzistojnë dhe të ashtuquajturat periudha “kritike” të të nxënit, faza gjatë së cilës është e nevojshme të jepen mësime të gjuhës së folur dhe të zhvillimit të aftësive konjitive. Periudha kritike për përvetësimin e aftësive gjuhësore zakonisht shtrihet mes lindjes dhe fazës së pubertetit. Gjatë kësaj periudhe, te fëmija, aftësitë e ndryshme gjuhësore dalin në dritë në mënyrë graduale, fillimisht me përvetësimin e leksikut dhe më pas me njohuritë sintaksore, gjithnjë e më komplekse dhe të artikuluara. Është thelbësore për zhvillimin e aftësive gjuhësore që faza e të nxënit të fillojë që në muajt e parë të jetës, ndërsa gjatë moshës gjashtë dhe njëmbëdhjetë vjeçare, aftësitë gramatikore të plotësohen dhe pasurohen me anën e shkollimit. Përvetësimi dhe pasurimi i gjuhës nuk përfundon asnjëherë. Pra, është një aktivitet që zgjat gjatë gjithë jetës. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, Noam Chomsky bëri një analizë krahasuese mes gjuhëve të ndryshme, dhe dalloi ngjashmëri të forta mes strukturave gramatikore dhe sintaksore, gjë e cila e shtyu të konkludonte se ekziston një aftësi “mendore universale”. Sipas Chomsky, kemi të bëjmë si me aspekte të lindura të rregullave gramatikore, të cilat përbëjnë parimet e përbashkëta gjuhësore mes individëve, si dhe të fituara ku bëjnë pjesë gjuha e folur dhe dialektet, që mësohen në kontekstin social në të cilin individët ndodhen. Elementet e lindura dhe të fituara bashkëkzistojnë te sjellja. Çdo shkollë psikologjike ka interpretimin e saj për sa i përket
sjelljes: Biheviorizmi, për shembull, beson se ajo vjen si rezultat i përshtatjes me ambientin; duke mos u interesuar rreth shkaqeve, kjo rrymë synon të zgjidhë çrregullimet e sjelljes përmes kushtëzimeve të ndryshme nga ato ambientalë.
Psikoanaliza, në të kundërtën, dhe pse pranon ndikimin e mjedisit të jashtëm, kthen vëmendjen e saj tek ambienti “i brendshëm” i individit, si – problemet dhe konfliktet – e të pandërgjegjshmes së tij. Simptomat dhe çrregullimet e sjelljes konsiderohen si një manifestim sipërfaqësor i problemeve psikologjike, që janë shkaku i vërtetë që duhen zbuluar dhe kuruar. Dimë që shpesh nuk është e mundur të ndryshojmë realitetin e jashtëm, por mund të tentojmë të ndryshojmë përgjigjen tonë ndaj realitetit, duke zhvilluar reagime më të pjekura.
Që nga lindja, njerëzit dhe kafshët përdorin modele të caktuara të sjelljes në përgjigje të stimujve që vijnë nga jashtë apo nga trupi i tyre (organizmi i brendshëm). Për shembull, kur një stimul i dhimbshëm prek një nga gjymtyrët, si njerëzit, ashtu dhe kafshët kontraktojnë muskujt për ta larguar nga burimi i dhimbjes. Arratisja para një rreziku është një sjellje instinktive e çdo specieje.
Pjesa më e madhe e sjelljeve të lindura është e modifikuar nga përvoja ose edukimi. Për shembull, këlyshët gërvishtin dyshemetë e shtëpive, brejnë me kthetra ose dhëmbë mobiliet e shtëpisë; por pasi edukohen nga pronari fillojnë dhe e frenojnë këtë sjellje instinktive mes mureve të shtëpisë, por janë të lumtur kur gërmojnë gropa të mëdha në momentet kur gjenden në lulishte apo livadhe. Në të kundërt, sjelljet e mësuara janë rezultat i të nxënit që na shoqëron gjatë rritjes; janë të modifikuara nga përvoja, por gjithashtu ndikohen edhe nga shumë faktorë si: kushtet e jetesës, arsimit dhe edukimit të marrë, shëndetit fizik dhe atij mendor.
Një sjellje e lindur, për shembull, është prirja për t’u bashkuar në grupe. Në këtë instinkt natyror ndërhyn përvoja: sjellja individuale modifikohet për të ndërtuar sjelljet e grupit. Për shembull, anëtarët e një ekipi sportiv ose të një grupi pune sillen sipas udhëzimeve të liderit për të arritur qëllimet e përbashkëta. Edhe grupet që formohen rastësisht kanë një organizim të vërtetë. Një shembull janë grupet e adoleshentëve që adoptojnë të njëjtën mënyrë veshjeje, të foluri dhe të vepruari, duke hequr përkohësisht dorë nga sjelljet dhe opinionet personale, për të siguruar miratimin e shokëve apo të liderit.
Të udhëzosh sjelljen dhe komunikimin, për të qenë më të efektshëm është një ushtrim kompleks që përfshin jo vetëm përmbajtjen e asaj që duam të përcjellim, por edhe kontrollin e faktorëve psikologjikë dhe mjedisorë. Një rrymë amerikane, e quajtur Effective Public Relation (marrëdhëniet publike të efektshme) (1953) e Profesor Scott M. Cutlip të Universitetit të Wisconsin, përmbledh në shtatë faktorë aspektet që e lejojnë komunikimin të jetë më i efektshëm:
- Plotësia: duhet të përmbajë të gjitha informacionet e nevojshme.
- Saktësia: duhet të përmbajnë vetëm informacionet e nevojshme, pa u ndalur në çështje jo rilevante.
- Konsiderata: marrja parasysh e gjendjes emotive dhe emocionale të bashkëbiseduesit (empatia).
- Konkretësia: bazuar në të dhënat që e mbështesin përmbajtjen, duke iu përgjigjur pyetjeve.
- Mirësjellja: të komunikuarit me mirësjellje, pa e detyruar bashkëbiseduesin për të dhënë përgjigje, rrit shanset që komunikimi të jetë sa më konstruktiv.
- Qartësia: informacioni duhet të ketë një qëllim të qartë.
- Korrektësia: nuk duhet të jenë të pranishme gabime gramatikore dhe sintaksore. Në këtë aspekt të fundit, duhet të përfshihet vëmendje ndaj të gjitha karakteristikave që i japin besueshmëri personit, kujdesi për pamjen, sjellja, postura, zëri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.