Një shprehje e një psikiatri të famshëm thotë: “Një jetë pa konflikte, është si të ekzistosh në një jetë koprace”. Për shumë gjatë në realitetin njerëzor është menduar se jeta në çift pa zënka e konflikte është shenjë e një ekzistence të shëndetshme. Nëse do t’i referohemi pohimit të specialistëve të marrëdhënieve njerëzore, psikologëve dhe sociologëve, sipas të cilëve konfliktet janë pjesë përbërëse e bashkëjetesës në çift, do të theksonim se ky pohim është relativisht i vonë. Pikërisht për këtë, është e udhës të kujtojmë se jeta në çift nuk është gjithmonë një lumë i gjatë dhe i qetë. Nëse konfliktet janë të pashmangshme dhe nganjëherë të dobishme, ato padyshim nuk duhet të rrënojnë jetët tona. Të përpiqemi të kuptojmë se ne nuk duhet thjesht t’i jetojmë gjërat, por të perceptojmë kuptimin e tyre. Që do të thotë, të përpiqemi t’u gjejmë kuptimin mosmarrëveshjeve. Konfliktet favorizojnë pjekurinë midis partnerëve. Një çift që shmang çdo përballje, jeton një jetë pa histori dhe pa dinamikë. Përplasjet e përditshme janë tregues të qartë se marrëdhënia është e gjallë. Shumëkush ngre pyetjen: Pse çiftet konfliktohen? Por më mirë do të ishte të pranonim: Eshtë e pamundur të mos bësh zënka në një jetë dyshe. Të mësosh të ndash detyrat, të menaxhosh dy karriera, të praktikosh preferenca e shije të ndryshme, edukimin e fëmijëve… është aftësia për të pranuar se kemi shije, prioritete dhe ide jo gjithmonë identike. Kundërshtimet midis njëri-tjetrit ndërtojnë identitetin e secilit nga ne, sepse ne identifikohemi duke qenë të ndryshëm. Termi konflikt lidhet shpesh me perceptimin njerëzor mbi mosmarrëveshjet midis partnerëve. Megjithatë, hulumtimet kanë treguar se ekzistenca e konfliktit nuk është gjithnjë e dëmshme. Hera-herës, konfliktet prodhojnë efekte pozitive. Konfliktet i lejojnë partnerët të shprehin lirshëm ndjenjat e tyre dhe na ndihmojnë të zbulojmë zgjidhje alternative për problemet tona që në situata të qeta, thjesht lihen në harresë, por që thellë në vetëdijen tonë mbeten aty, duke na lënduar. Pak rëndësi ka se sa herë konfliktohemi dhe për çfarë, intensiteti i konflikteve dhe arsyet e tyre. Përkundrazi, është mënyra se si reagojmë ndaj konflikteve që mund të sjellë dështimin e për rrjedhojë, krizën në çift. Paaftësia për t’u përballur me konflik- krizat tin sjell kritikën, përbuzjen, heshtjen e për rrjedhojë mungesën e komunikimit. Për të kursyer monotoninë e heshtjes, për të mos pasur frikë nga konflikti, të përpiqemi të dialogojmë hapur, në mënyrë që kontrastet midis njëri-tjetrit të mos cenojnë jetën në çift. Suksesi i një marrëdhënie dashurie nuk është vetëm te interesat e përbashkëta apo te besnikëria e përkushtuar për njeriun që dashurojmë, por te qasja e tyre përballë konfliktit. Nuk mund të ndajmë të njëjtat ide dhe interesa, por mund të dëgjojmë pikëpamjet e njëri-tjetrit me mirësi dhe respekt. Respekti për mosmarrëveshjet është një nga elementët e rëndësishëm të një dashurie të shëndetshme. Është njerëzore që në përditshmëri të ndjejmë mërzi dhe që ndjesitë tona t’i shprehim në diskutim e sipër, por çfarë ndodh kur biem në gjykime e kritika për personalitetin e tjetrit? E rëndësishme është të pranojmë ndryshimin mes nesh dhe të kuptojmë se qëllimi nuk është se me patjetër duhet një fitues në fund dhe se askush nuk dëshiron të marrë pushtetin mbi tjetrin. Le të përcjellim mesazhin se vëmendja e respekti ndaj nevojave, dëshirave dhe ndjenjave të partnerit ju ndihmon të përballeni më mirë me situatat konfliktuale. Së fundmi, konflikti do të ishte një mënyrë konstruktive e komunikimit, për aq kohë sa prirja për të heshtur do të zgjonte veçse mosmarrëveshje e keqkuptime.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.