Konsumimi i një veze në ditë mund të ulë rrezikun e zhvillimit të diabetit tip 2, ka zbuluar një studim i ri. Gjetjet nga studimi i kryer nga një universitet në Finlandë i shtohen debatit të vazhdueshëm: vezët janë të mira apo të këqija për diabetin? Ky studim i fundit tregon se kur bëhet fjalë për parandalimin e rrezikut, vezët janë të mira.
Pas një eksperimenti të kryer te një grup meshkujsh, shkencëtarët zbuluan se personat që konsumuan 1 vezë çdo ditë kishin një profil të lipideve në gjak të ngjashëm me personat që nuk janë të rrezikuar nga diabeti.
Dieta ushqimore është shumë e rëndësishme si për njerëzit me diabet 1 ashtu edhe ata me diabet 2. Njerëzit me diabet tip 1 nuk mund të prodhojnë insulinë, që është shumë e rëndësishme për të rregulluar glukozën në gjak. Ndërsa njerëzit me diabet tip 2 nuk mund të prodhojnë mjaftueshëm insulinë ose trupi nuk reagon siç duhet ndaj saj.
Shkencëtarët e Shoqatës Amerikane të Diabetit mendojnë që vezët janë të shëndetshme prandaj rekomandojnë konsumimin e tyre nga pacientët me diabet. Vezët përmbajnë rreth 0.5 gramë karbohidrate, ku, në teori, mbajnë nivelet e sheqerit në gjak nën kontroll. Vezët janë të pasura gjithashtu në kalium, gjë që është e mirë për zemrën duke mbajtur nën kontroll nivelet e sodiumit, që ndihmon me prodhimin e insulinës.
Autorët e studimit të ri nga Universiteti i Finlandës Lindore, të publikuar në revistën “Molecular Nutrition and Food Research”, thonë se, pa e tepruar me to, vezët sigurojnë disa përfitime mbrojtëse. Ata dalin në konkluzionin se një vezë në ditë është e mirë për njeriun.
Burimi / shendeti.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.