Mirëqenie

December 2, 2016 | 10:13

Kontraceptivët dhe shtimi në peshë

Shumë shpesh jam përballur me femra të ndryshme që ankohen për shtim peshe menjëherë pasi kanë përdorur për një kohë të caktuar kontraceptivë oral. Ato ndryshojnë kërkesat ushqimore të organizmit të një gruaje që i përdor dhe përdorimi i tyre herë pas here mund të çojë në efekte negative dhe ndërlikime. Këshillohet që këto pilula të shoqërohen me një konsumim më të madh të vitaminës C, B2 (riboflavina),B12 ,B6 (pyridoksinë) dhe acidit folik.

1

Ndjeshmëri më të madhe ndaj efekteve negative apo ndërlikimeve që mund të rrjedhin si pasojë e përdorimit të kontraceptivëve oralë janë femrat, të cilat kanë një dietë të varfër ushqimore, që kanë kaluar një sëmundje të rëndë, që kanë pësuar një ndërhyrje kirurgjikale, që sapo kanë lindur dhe të gjitha ato të cilat kanë përdorur për një periudhe kohore afro 2 ose 3 vite me rradhë.

Gjatë muajve të parë të përdorimit të pilulës kontraceptive, këshillohet gjithmonë kryerja e një kontrolli fizik dhe ekzaminimi nëpërmjet gjakut. Thuhet se pilula mund të dëmtojë metabolizmin e karbohidrateve, duke shkaktuar shtimin në peshë ose rritjen e nivelit të insulinës e glukozës në gjak. Mjeti kontraceptiv shton punën e mëlçisë, e cila patjetër duhet të punojë shumë, në mënyrë që të metabolizojë. Në qoftë se mëlçia është në rregull, pilula nuk do të ketë kurrfarë veprimi përcjellës. Në qoftë se jeni e sëmurë nga hepatiti, shtimi i punës së mëlçisë mund të shkaktojë probleme. Marrja e estrogjenit me anë të pilulës mund të shkaktojë mbajtjen e lëngut në indet jashtëqelizore, dobëson lehtë qarkullimin e gjakut, veçanërisht në këmbë. Te disa gra kjo mund të shkaktojë krijimin e celulitit, edhe pse pilula gjithsesi nuk është shkaktari kryesor i paraqitjes së celulitit. Në disa raste përdorimi i kontraceptivëve shoqërohet me shtim peshe. Në fakt, pilula nuk përmban kalori. Në disa raste shkaktohet ndryshim, i cili rregullon ndjenjën e urisë, ndaj paraqitet nevoja e shtuar për ushqim.

Disa biologë gjermanë kanë zbuluar se pilula ndryshon ekuilibrin e disa lëndëve në organizëm, shkakton mungesë të Beta Karotenit (substancë e domosdoshme për prodhimin e vitaminës A), shton nivelin e kolesterolit. Beta Karoteni është i mirë për organizëm, sepse pengon çrregullimet në qarkullimin e gjakut dhe disa lloje të kancerit. Është e njohur se, kolesteroli duhet të jetë patjetër nën kontroll të vazhdueshëm, në mënyrë që të eliminohen problemet me zemrën dhe enët e gjakut. Për këtë duhet të zgjidhni ushqimin që është i përshtatshëm!

– Jo yndyrë! Nëse me gjithë ushqimin e kujdesshëm, kolesteroli edhe akoma është i lartë, duhen eliminuar yndyrat me origjinë shtazore, veçanërisht gjalpi dhe duhet të zëvendësohen me vaj ulliri. Organet e brendshme, siç janë gjëndrat, veshkat, mëlçia, duhet eliminuar tërësisht nga ushqimi, ndërsa sallamet lejohen vetëm kohë pas kohe. Mishi i kuq mund të përdoret në ushqim 2 herë në javë. Ditëve të tjera duhet ngrënë mish pule, mish lepuri, mish gjel deti apo bishtajoret, siç janë fasulja, qiqra.

– Perimet zvogëlojnë mungesën e Beta Karotenit: mjafton që gjellëve çdo ditë t’u shtohen karota, speci, domatja, korja dhe misri (përafërsisht 100 gramë). Veç kësaj, perimet ulin shkallën e sasisë së kolesterolit. Prandaj, përveç krundeve dhe drithërave, së paku një herë në ditë duhet ngrënë perime me gjethe jeshile, siç janë sallatat dhe spinaqi. Gratë, të cilat përdorin pilulat, dy herë në vit duhet të kontrollojnë kolesterolin.

– Konsumoni shumë ujë! Të ushqyerit e rregullt mund të zgjidhë edhe një dukuri të pilulës kontraceptive: ruajtjen e lëngjeve. Disa persona gabimisht besojnë se mosmarrja e lëngjeve do të zbusë enjtjen. Në të vërtetë është e kundërta: duhet pirë sa më shumë ujë, sepse uji nxit punën e veshkave dhe pastrimin e organizmit. Përmirësohet edhe mikroqarkullimi. Perimet kanë shumë ujë, mirëpo gjatë ditës duhet pirë së paku një litër e gjysmë. Pijet e gazuara dhe pijet alkoolike duhet shmangur, sepse ngarkojnë veshkat dhe vështirë të çlirohen nga organizmi.

Sugjerimet kryesore për ju që keni vendosur të përdorni këtë metodë kontraceptive:

  1. Duhet të konsumoni ushqime të dobishme, veçanërisht ato që përmbajnë karbohidrate komplekse
  2. Reduktoni marrjen e sheqernave
  3. Përdorni sa më shumë vitamina, veçanërisht acidin folik, vitaminën C, B kompleks. Por, duhet treguar kujdes me sasinë e tyre, sepse sipas mjekëve është e ndaluar të konsumohet më shumë se 25-50 miligramë vitaminë B6 në ditë dhe më pak se 100 miligramë vitaminë C në ditë

Këto këshilla duhen ndjekur me shumë rigorozitet, veçanërisht në ato raste kur dëshironi të mbeteni shtatzënë, pas ndërprerjes së pilulave kontraceptive. Sipas studimeve të bëra, shumica e grave që kanë mbetur shtatzënë gjatë 4 muajve të parë pas ndërprerjes së pilulave kanë rezultuar me një mangësi të theksuar të sasisë së vitaminës B6 dhe acidit folik. Përdorimi i kontraceptivit te disa femra shkakton mbajtje të ujit në organizëm dhe si rrjedhojë fryrje apo shtim në peshë.

Fakti që ju mund të keni dëgjuar se tek dikush tjetër kontraceptivi ka patur efekte negative, nuk do të thotë se do t’ju ndodhë edhe juve.

Ekspertët sqarojnë se ndryshimet fiziologjike në trupin tuaj, jo domosdoshmërisht lidhen me përdorimin e metodave kontraceptive.

Kontraceptivët përmbajnë forma sintetike të estrogjenit dhe progresteronit, hormone të cilët lidhen me të gjitha funksionet endokrine.

Efektet anësore që mund të ketë përdorimi i kontraceptivëve janë përzierje, dhimbje koke, ndjeshmëri më e lartë e gjoksit, marrje mendsh, cikël menstrual i çrregullt, grumbullim i ujit në organizëm, në disa raste edhe shtim në peshë. Shtimi në peshë, pasi keni filluar përdorimin e metodave kontraceptive, jo domosdoshmërisht lidhet me përdorimin e tyre. Faktorë të tjerë mund të jenë shkaktarë.

Ka disa lloje kontraceptivesh siç janë:

  • Hormonal. Ata janë një kombinim i estrogenit me progestin, që zakonisht është një formë përbërëse e estradiol ose vetëm progestin. Që të dyja këto përdoren në forma të ndryshme, si:

– Në formë pilule

– Mjete intramurale progrestin lëshuese/prodhuese

– Injeksione

– Implantët

– Pjesë ngjitëse në trup

Estrogjeni është hormon femëror më i bollshëm dhe është përgjegjës për karakteristikat femerore. Përbërësi estrogen mbajtës që përdoret më shumë në kontraceptivet oral është Estradioli, i cili gjithmonë përdoret i kombinuar me progestin.

Efektet anesore të këtyre kontraceptivëve janë të shumta dhe me pasoja. Ndër to mund të përmendim:

1. Efektet në Riprodhim. Kur përdoren gjatë gjithë ciklit menstrual me progesteron, ndërpresin funksionin normal të hormoneve të tjerë riprodhues, si LH hormoni luteinizues, FSH që është hormoni folikulo-stimulues dhe që ndalon ovulimin. Estrogeni, nga ana tjetër ndryshon strukturën qelizore të mbështjelljes së uterusit dhe bllokon implantimin e vezës së fertilizuar.

2. Efektet anësore të Estrogjenit. Gjatë dy apo tre muajve të parë të përdorimit të kontraceptivëve oral, efektet anësore të estrogjenit në pilulen e kombinuar (me progestin) janë:

– të vjella të shumta

– dhimbje koke

– marrje mendsh

– zbutje të gjoksit dhe zmadhim të tij

Estrogjeni ka efekte anësore shumë të zgjeruara në shumë funksione të tjera të trupit dhe organizmit të femres. Këtu mund të përmendim:

  1. Rritja e densitetit të kockës tek femra
  2. Ështe rregullues i kolesterolit dhe balancimit të nivelit të lipideve të tjera, por në të njëjtën kohë rrit shanset e klaugulës së gjakut dhe gjithashtu rrit nivelet e rrezikut për goditje tek disa femra

Progesteroni është emri i hormonit natyral që prodhohet në trupin e njeriut. Progestogjeni është forma sintetike. Efektet anësore janë:

1. Efekte në riprodhim

Progesteroni mund të parandalojë shtatzëninë në disa mënyra që janë:

  • Bllokon hormonin luteinizues, njëri nga hormonet më të rëndësishëm riprodhues të ovulacionit
  • Formon një barrierë
  • Pakëson aftësinë e tubave të fallopit
  • Ndryshon mbështjelljen e uterusit, duke e bërë shumë më të vështirë për vezën e fertiluar për t’u implantuar

Efektet anësore të Progestinave:

  1. Ndryshime në hemoragji uterine, që mund të çojë deri në mungesë të ciklit menstrual
  2. Rrjedhje e padëshirueshme e qumështit të gjirit
  3. Dhimbje abdominale dhe fragjisje
  4. Diarre
  5. Këputje, lodhje dhe dobësi të dukshme
  6. Pakësim të dëshirës seksuale
  7. Të vjella të shpeshta
  8. Çrregullim gjatë fjetjes
  9. Akne, të kruajtura të shumta dhe të shpeshta të lëkurës
  10. Depresion, acarim dhe çrregullim në sjellje.
  11. Enjtje të fytyrës, të nyjeve ose të këmbëve
  12. Shtim në peshë

Efekte serioze në zemër dhe në sistemin e qarkullimit, çka do të thotë se shkakton rritje të presionit të gjakut, trombozë, atak zemre dhe goditje nervore të paekuilibruar. Rreziqe këto që mund të jenë një ndihmesë në formimin e kancerit të gjirit dhe kancerit cervikal, më të rrezikshëm te femrat dhe me pasoja nga më fatalet.

Marrja e kontraceptivëve mund të çojë deri në shkatërrimin e dhëmbëve.

Marrë nga libri “Jeto shëndetshëm” Anila Kalleshi

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top