Të merresh me edukimin e një fëmije mbi të gjitha kërkon vullnet dhe përkushtim. Mandej, puna, përvoja, alternimi i hapave drejt këtij rrugëtimi, padyshim që kërkon një zemër të madhe për të arritur suksesin e dëshiruar. Është si të thuash një proces jetik që thërret së brendshmi e jo çdokush mund ta ketë fatin për ta bërë në perfeksionin e vet.
Vilma Kume pavarësisht vështirësive, e ka gjetur shtegun e duhur drejt plotësimit në këtë aspekt, duke qenë jo thjesht një administratore, se sa një grua e përkushtuar për brezat më të mirë të së nesërmes. “Bim Bam Bum” është kopshti ku starton një e ardhme, pas së cilës, Vilma pohon se, “nëpërmjet formave të larmishme didaktike, mësimore, argëtuese, synojmë të rritim vetëvlerësimin dhe besimin e fëmijës tek vetja e tek të tjerët”.
Si e morët këtë hap dhe sa e vështirë është të menaxhosh një institucion të tillë?
E vërtetë. Nuk ishte aspak e lehtë. Kjo, për faktin e thjeshtë të mungesës së përvojës sime në drejtim e menaxhim. Por, të them të drejtën, sfidat kanë një shije të veçantë për mua e për këtë motiv unë nuk u druhem. Kështu, që të pranoja këtë detyrë sa impenjative aq edhe shpërblyese, ishte rrjedhojë logjike. Impenjative pasi më duhej të merresha me përzgjedhjen e stafit, me marrëdhëniet me prindërit, të cilët, me të drejtë, janë skeptikë kur bëhet fjalë për t’ua besuar dritën e syve të tyre duarve të tjera. Shpërblyese për faktin se është si të jetosh shumëfish, përherë fëmijë, kur punon me pjesën më të dlirë të shoqërisë njerëzore, me fëmijët.
Si është të shihni breza që rriten mbi bazat që keni ngritur në kopshtin “Bim Bam Bum”?
Është një emocion më vete të shohësh si rriten çdo ditë para syve të mi deri sa vjen momenti që nga bebe pak muajsh largohen me një bagazh emocional e zhvillim psikomotor që i bën të gatshëm për të kaluar në një stad tjetër rritjeje, atë të shkollës. Tingëllima e ëmbël e zërit të tyre tek më thërrasin: Mima, Lima, Dina ( hahahaaa) është çka më ngazëllen jo pak edhe në ditë të ngarkuara për shkak të vëmendjes e përkujdesjes së veçantë që kërkojnë, secili në mënyrën e tij. Shkurt, kur rri me ta, të shërohet shpirti.
Çfarë i bën për vete familjarët kur vijnë tek ju?
“Ohhhh”, kjo është pasthirrma e parë që familjarët lëshojnë nga kënaqësia e ndjenja pozitive që tejçon ambienti.
Ku mbështetet puna juaj në përditshmëri?
Bazat mbi të cilat është ngritur “Bim bam bum” janë shumë të forta. Në fakt, puna jonë mbështetet mbi pasionin, përgjegjësinë, profesionalizmin, transparencën, por mbi të gjitha, mbi dashurinë. Brenda hapësirave të “Bim bam bum” ka shumë DASHURI dhe kjo i bën fëmijët të ndihen ngrohtë dhe të sigurt me ne.
Cili është programi që ju aplikoni?
Programi ynë mbështetet mbi një kurrikulë edukative. Ne aplikojmë një program cilësor, i cili ka në qendër fëmijën. Programi inkurajon të nxënit nëpërmjet eksplorimit dhe zbulimit. Eksperimentimi, kënaqësia dhe njohja e formave të ndryshme të muzikës inkurajohen çdo ditë. Do të doja t’ju merrja për dore e t’ju prezantoja me “Bim bam bum”-in, kopshtin tonë të veçantë që në emër. Bim bam bum, onomatopeja e tingujve që krijojnë fëmijët teksa luajnë, kështu ka lindur ideja e tij. Nga muzika e lojërave, gurgullimave të qeshjeve, gugatjeve të vogëlushëve. Veprimtaritë e planifikuara zhvillojnë një vetëimazh pozitiv. Nëpërmjet formave të larmishme didaktike, mësimore, argëtuese synojmë të rritim vetëvlerësimin dhe besimin e fëmijës tek vetja e tek të tjerët.
Materialet didaktike, por edhe hapësirat sipas programit të aktivitetit fizik janë një tjetër kusht për të plotësuar një institut arsimor. Si i keni organizuar të gjitha?
Sapo hyn në hapësirat e “Bim bam bum” ndeshesh me ngjyra të gjalla, që harmonizohen këndshëm me ndriçimin natyral. Pesë ngjyra eko-miqësore ndihmojnë dallimin midis klasave, të cilat janë me madhësi të bollshme. Ngjyrat ndërthuren dhe kombinohen duke krijuar një efekt kaleidoskopik, sidomos në një mur me shirita e vrima, që të kujton djathin kaçkavall zvicerian. Në secilën klasë, mobilimi, duke nisur nga raftet e lodrave dhe mjeteve didaktike, përfshirë edhe shtëpinë me çati (imazh i arkitekturës së hershme shqiptare), është përshtatur për moshën e fëmijëve.
Klasat rrethojnë një sallë të madhe, të përbashkët, në të cilën kryhen aktivitete të shumta argëtuese dhe mësimore. Këtu ka hapësira gjigante, këtë sezon prezantojmë një projekt të ri prej 400 metra katrorë hapësirë e brendshme dhe po aq hapësirë e jashtme, i cili do të jetë terreni i duhur për të zhvilluar aktivitetin dhe zhvillimin psikomotorik të fëmijës. Do të ketë palestër dhe një atelie arti. Ejani na vizitoni dhe prekni nga afër kopshtin “BimBamBum”!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.