Këshilla & Arsye

November 17, 2016 | 6:00

Kosova në sytë e një italianeje, një histori sa e vështirë, po aq me miqësi të tensionuara

refugjate-kosovare

Foto nga eksodi kosovar, mars 1999

Një italiane që shkruan për Shqipërinë. Një italiane që shkruan për Kosovën. Çfarë e bën një vajzë të një kombësie tjetër të shkruajë për vendet shqipfolëse? Çfarë e tërheq për më tepër një vajzë të re të shkruajë e rikthejë në vëmendje ngjarje dhe histori që kanë lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare?

Një juriste në profesion, shkrimtare, gazetare dhe bloggere, pasi ka treguar Shqipërinë nga pikëvështrimi i një vajzë të re italo-shqiptare në librin “Aroma e portokalleve të Vlorës”, autorja Francesca Masotti vendos të tregojë këtë herë Kosovën me, “Fiori del Kosovo” (Lulet e Kosovës).

libriNë librin e saj të fundit, Masotti tregon një histori të vështirë, e përbërë nga abuzime, emocione dhe miqësi të tensionuara nga konfliktet e viteve ’90 serbo-shqiptare.

 

foto-prezantim-libri

Arbër Agalliu, gazetar

Gazetari që jeton në Itali, Arbër Agalliu e rrëfen kështu në një analizë prezantuese të librit, ndjesinë që ka përshkruar tek ai teksa rrëfente një histori, të cilën ngjashmërisht i ishte dashur ta përjetonte edhe në vendin e tij të lindjes.

“Në bibliotekën P.Throruar pata kënaqësinë të prezantoja librin e shkrimtares së re e të talentuar fiorentinase, Françeska Mazoti, “Lulet e Kosovës”. Librin e lexova këtë verë. Ishte një gjë shumë e bukur të lexoje gjatë pushimeve librin e Françeskës, pak para se të shkoja në Puglia, pasi pata mundësi të kontaktoja edhe arbëreshët e Puglias dhe Molizës.

Nisa ta shfletoj librin nën çadër, pasi isha në plazh, më bëri përshtypje menjëherë, pasi bën fjalë për një nga ato histori që e kam dëgjuar me veshët e mi. Nuk jam kosovar, por e kam përjetuar edhe pse në moshë të vogël, në mënyrë indirekte. Mbaj mend vitet ’98-’99, që ndoshta ka qenë dhe periudha më e vështirë derisa ndërhynë forcat e NATO-s, kur në Shqipëri mbërritën më shumë se 600 mijë qytetarë shqiptarë të Kosovës. Këto janë shifra të dhëna nga organizatat ndërkombëtare, por besoj se numri ishte edhe më i lartë. Atëherë, në qytetin e Beratit, qytetit ku kam lindur, gjyshi im i hapi dyert e shtëpisë një familjeje kosovare. Në mos gaboj, bëhet fjalë për një familje prej afro 12-15 persona të vendosur në një shtëpi të vogël. Imagjinoni shtëpinë tuaj, të vogël, ku jeton një familje e vogël, e përbërë nga nëna, babai, fëmijët dhe gjyshërit. 6 persona në 60-70 metër katror. Imagjinoni të gjendeni një ditë me 12 persona të tjerë, në një moment të vështirë, sepse Shqipëria zyrtarisht nuk ishte në gjendje në atë kohë. Ishte periudhë pas vitit ’97 dhe mbi të gjitha kishte vështirësi ekonomike, por mikpritja është një nga karakteristikat e popullit shqiptar. Qe një tragjedi që na preku të gjithëve.

Bukuria e këtij libri është se Françeska ka shkruar data dhe fakte që vërtet kanë ndodhur, data të sakta si 24 marsi i ’99, bombardimet e NATO-s në Beograd dhe në mënyrë paralele zhvillon edhe tregimin e dy shoqeve, që nga momenti kur ishin fëmijë deri kur u bënë zonja. Shohim edhe vështirësinë e këtyre dy personave të pafajshëm që rriten bashkë, që luajnë bashkë, që jetojnë bashkë si dy motra, por që ku arrijnë në një pikë të jetës së tyre, duhet të ndahen. Do t’i duhet të ndahen kundër dëshirës së tyre. Nuk është vendim i tyre, janë shkaqe të tjera ato që i bëjnë të marrin vendime të ndryshme”.

fra

Francesca Masotti, juriste, shkrimtare, gazetare dhe bloggere

Për autoren e librit “Fiori del Kosovo”, Francesca Masotti, kjo vepër e prodhuar në një hark kohor prej dy muajsh, kishte të bënte me rolin e femrave në periudhën kur shënohen ngjarjet nga eksodi masiv kosovar në marsin e ’99-ës.

Desha të nënvizoj në këtë libër edhe rolin e femrave. Jo vetëm që dy protagonistet janë vajza, por janë edhe nënat që kanë një rol të konsiderueshëm. Siç ndodh shpesh në tragjedi të tilla, femrat janë ato që pësojnë dyfish këto vështirësi, siç ndodh edhe në pjesën e fundit të librit, ku flitet për një femër që dhunohet. Në të gjitha këto luftra, femrat janë ato që për fat të keq poshtërohen më shumë. Jo vetëm se është një burrë që e dhunon, por në këtë rast, një ushtar, dhe poshtërimi është i dyfishtë. E titullova “Dy lulet e Kosovës”, sepse në të vërtetë ato janë lule, dy vajza. Për fjalët në shqip më ka ndihmuar partneri im, ndërsa për fjalët në serbisht, i kërkova ndihmë shokut të partnerit tim, i cili është serb”.

 

francesca-masottiFrancesca Masotti lindi në Firenze në 1988, aty ku diplomohet për Juridik. E apasionuar pas të shkruarit dhe fotografisë, bashkëpunon si gazetare me revista të ndryshme italiane, për të cilat shkruan si italisht dhe anglisht. Ajo shquhet veçanërisht për shkrimet e saj promovuese për Shqipërinë.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top