Çdo fytyrë ka nevojë për kremin e vet, në kuptimin që çdo lloj lëkure – sipas karakteristikës së saj – ka nevojë për një krem të caktuar. Po si t’ia bëni kur nuk dëshironi të përdorni një krem “standard”, nga ato që ndodhen në treg? E lehtë: duhet ta bëni në shtëpi, me produkte natyrale. Zbuloni atëherë se si të përgatisni një krem fytyre të bërë në shtëpi, që është i efektshëm për të hidratuar dhe ushqyer lëkurën tuaj.
- Krem fytyre me petale trëndafili
Kremi i fytyrës me petale trëndafili është i përsosur për femrat që e kanë fytyrën e thatë. Ky krem i veçantë ndihmon për të hidratuar dhe ushqyer lëkurën e tharë dhe të pahidratuar nga i ftohti. Është shumë i lehtë për t’u realizuar dhe ka aromë shumë të mirë. Sekreti i bukurisë natyrale për të pasur lëkurë të hidratuar është një krem mbrojtës i bërë në kushtet e shtëpisë: me aromën e petaleve të trëndafilit dhe delikatesën e bajameve. Ja një recetë me petale trëndafilash dhe vaj bajamesh për të mbrojtur lëkurën.
Përbërësit:
– 2 lugë vaj bajamesh
– 4 duar petale trëndafili
– 3 lugë vodka
– Ujë
– 1 lugë dyll bletësh
– 4 pika vaj argani
Përgatitja:
Merrni një kavanoz të pastër. Hidhni në të petalet e trëndafilit, shtoni vodkën dhe mbusheni me ujë. Mbylleni dhe lëreni të pushojë për rreth dy javë. Me të kaluar koha e nevojshme, hapni kavanozin dhe shtoni vajin e bajameve dhe dyllin e bletëve në banjomari. Përziejeni mirë deri sa të bëhet krem dhe në fund shtoni vajin e arganit. Është një recetë e lehtë, natyrale dhe ekonomike, mbi të gjitha është kremi perfekt për lëkurën e fytyrës!
- Krem fytyre me agrume
Përveç se janë të shijshme, të freskëta, dhe të shëndetshme, agrumet mund të përdoren si përbërësi sekret për receta të shkëlqyera të bukurisë. Për kujdesin e lëkurës, agrumet janë një përbërës i shkëlqyer, si për maskat e fytyrës ashtu edhe si krem trupi. Në veçanti në periudhën e vjeshtës e të dimrit, kur i ftohti dhe era thajnë lëkurën e fytyrës, maska me agrume është ideale për të hidratuar, për ta ushqyer si dhe për t’i dhuruar shkëlqim e aromë asaj. Për të shfrytëzuar sa më mirë të gjitha cilësitë e agrumeve, kemi përzgjedhur një recetë bukurie shumë të lehtë për t’u bërë.
Përbërësit:
- 1 portokall
- Lëngu i gjysmë kokrre limon
- Kos
- 2 lugë çaji me mjaltë
Përgatitja:
Prisni portokallin dhe shtrydhni të gjithë lëngun në një kavanoz. Më pas bashkoni edhe lëngun e gjysmë limoni. Përziejeni mirë dhe shtoni më pas dy lugët me mjaltë. Gjithmonë duke e përzier mirë shtoni ngadalë kosin, deri sa të vini re që përbërja merr densitetin e duhur. Përhapeni këtë krem në fytyrë dhe lëreni të pushojë për 20 minuta. Më pas shpëlani fytyrën me ujë.
- Krem fytyre me aloe vera
Produkti perfekt për ato që kanë fytyrën me yndyrë: kremi i fytyrës i bërë me aloe vera!
Kjo bimë “mrekullibërëse” përmban karakteristika unike, si një fuqi e madhe hidratuese e qetësuese, që ndihmon fytyrën të riekuilibrohet në mënyrë natyrale. Kremi i fytyrës me aloe vera është një hidratues i shkëlqyer, që mund të përdoret edhe si krem pas dielli gjatë stinës së verës. Këshilla jonë, nëse është e mundur, është që ta zëvendësoni xhelin e aloe vera-s komercial me produktin natyral, të marrë direkt nga bima, të cilën mund ta keni edhe në shtëpi.
Përbërësit:
- Vaj bajamesh
- Dyllë bletësh
- Çaj me kalendula
- Xhel aloe vera
- Vaj esencial
Përgatitja:
Faza e parë
Hapi i parë për të bërë vetë një krem me bazë aloe vera është të bashkoni katër lugë vaj bajamesh me një lugë dyllë bletësh në një kavanoz të qelqtë. Mënjanë, gjithmonë në një kananoz ngrohni në banjomari një lugë çaj kalendule me dy lugë aloe vera dhe më pas shtoni gjysmë luge sodë buke. Kur kjo e fundit të jetë shkrirë vazhdoni përzierjen duke e hequr nga zjarri dhe shtoni përzierjen me aloe vera në kavanozin me vaj bajamesh e dyllin e bletëve.
Kujdes: mos e nxehni në temperaturë shumë të lartë kremin, në mënyrë që të evitoni shkatërrimin e përbërësve dhe përziejeni shpejt, pasi në këtë mënyrë dylli i bletëve do të ngrijë.
Faza e dytë
Me të bashkuar të dy përbërësit, rrihini mirë me makinën elektrike deri sa kremi të përziehet mirë. Shtoni më pas disa pika vaj esencial me një aromë që ju pëlqen dhe përziejeni përsëri. Nëse kremi ju duket shumë i hollë mund t’i shtoni pak dyllë bletësh që ta bëni më të trashë. Kremi është gati, nuk ju mbetet veçse ta hidhni në një kavanoz steril dhe ta ruani në frigorifer, nëse do ta përdorni brenda 30 ditëve. Nëse parashikoni që ta përdorni për më shumë kohë këtë krem, atëherë mund ta ruani në ngrirje.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.