Në fokus

November 2, 2019 | 8:14

Krijimi i moralit… Fëmija, prind i njeriut!

Një tematikë e rëndësishme nga këndvështrimi psikologjik, por edhe ai social, filozofik dhe fetar është zhvillimi i ndjenjës së moralit tek individët, nga fëmijëria në moshën madhore. Të kuptojmë mekanizmat e formimit të moralit dhe faktorët që kanë ndikim tek ai, na ndihmon të kuptojmë më mirë veten në ndërveprim me shoqërinë. Gjithashtu është një vlerë shumë e madhe për të orientuar edukimin e brezit të ri kur në moshën madhore bëhemi prindër apo mësues.

1

Një nga psikologët e parë që u mor me këtë problem ishte Jean Piaget, i cili, në shkrimet e tij të para, u fokusua veçanërisht te morali i fëmijëve, duke studiuar mënyrën sesi fëmijët luanin, që të kuptonte konceptin e tyre mbi të mirën dhe të keqen. Duke u bazuar në vëzhgimin e rregullave të lojës dhe të intervistave për veprime si vjedhja apo gënjeshtra, Piaget zbuloi se dhe morali mund të konsiderohet një proces zhvillimi.

Fëmijët fillojnë me zhvillimin e një morali bazuar në përmbajtjen strikte të rregullave, detyrave dhe bindjeve ndaj figurave autoritare: ky lloj morali diktohet nga bindja se një veprim i gabuar pasohet automatikisht nga dënimi. Më tej, nëpërmjet ndërveprimit me fëmijë të tjerë, ata zbulojnë se një sjellje, duke ndjekur rregullat, ndonjëherë mund të jetë dhe problematike. Dhe ja ku zhvillohet një nivel autonom i mendimit moral, i karakterizuar nga aftësia e interpretimit të rregullave kritikuese dhe përzgjedhëse duke u bazuar në respektin reciprok dhe bashkëveprimin.

Piaget nxorri një konkluzion, në dukje paradoksal, se ky vizion autonom i moralit, si respekti për tjetrin, është më i fortë dhe çon në sjellje më koherente se sa morali i fëmijëve më të vegjël. Kështu, Piaget arriti në përfundimin se shkolla duhet që të emfatizojë proceset vendimtare të bazuara mbi bashkëpunimin, zgjidhjen e problemeve dhe që nxënësve t’u kërkohet të punojnë me rregulla të përbashkëta të bazuara te respekti i roleve të secilit.

Studimet e Piaget u zgjeruan më tej nga Lawrence Kohlberg (1958), i cili përpunoi një teori zhvillimi mbi cilësinë e moralit të bazuar në 6 nivele. Metoda që ai përdori, u thellua tek intervistat e bëra 72 fëmijëve të moshave 10, 13 dhe 16 vjeç të shtresës mesatare e të ulët. Atyre iu kërkua të interpretonin një histori ku morali i saj mund të ishte kontrovers

Historia:

Në Europë, një grua ishte në prag të vdekjes nga një formë shumë e rrallë kanceri. Ekzistonte një ilaç, për të cilin doktorët mendonin se mund ta shëronte dhe që një farmacist e kishte shpikur së fundmi. Ilaçi kushtonte shumë që të përgatitej dhe, veç kësaj, farmacisti i shtonte çmimit edhe 10-fishin e kostos. Ai paguante 200$ për përgatitjen e ilaçit dhe kërkonte 2000$ për një dozë. Bashkëshorti i gruas së sëmurë, Heinz, u kërkoi miqve t’i jepnin hua lekët e ilaçit, por arriti që të mblidhte vetëm 1000$, gjysmën e çmimit. Shkoi te farmacisti dhe i tha se gruaja e tij ishte duke vdekur, ndaj për këtë arsye i kërkoi që të paguante më pak ilaçin ose t’ia jepte më vonë pjesën e mbetur. Farmacisti nuk pranoi dhe i tha: “Jo, e kam zbuluar vetë ilaçin dhe kam ndër mend të fitoj nga ai…”. Kështu, Heinz u dëshpërua aq shumë, saqë e vodhi atë. A duhet ta bënte?

2

Bazuar në këtë histori, në fëmijëri sjellja e bashkëshortit interpretohet sipas dy niveleve të para të zhvillimit të moralit. Më pas, sjellja zhvillohet edhe në nivelet e tjera. Kështu, shohim se morali zhvillohet nga të mësuarit social, që varion sipas kontekstit në të cilin jetohet: kriteret morale të marra në fëmijëri dhe gjatë adoleshencës, në kontekstin familjar e social, nëpërmjet maturimit nga një nivel në tjetrin, do të ruhen më pas edhe në moshën madhore, edhe në situata të ndryshme.

Në vitet ’70, studimet më të zgjeruara të bëra nga grupi i kërkimit Kohlberg, filluan të tregonin anomalitë e sekuencës në nivele të zhvillimit të moralit. Një nga linjat më produktive të kërkimit ishte ajo e Elliot Turiel: teoria e dominimit. Sipas kësaj teorie, te fëmijët, duke filluar nga 39-muajsh, dallohen dy dominime respektive konceptuale: marrëveshjet sociale dhe domosdoshmëritë morale. Veprimet në dominimin e moralit kanë efekte të brendshme, ndërsa veprimet që i përkasin sferës shoqërore kanë efekte të brendshme ndërpersonale dhe është për këtë arsye që mosdakordësia është më pak e rëndë se sa mosbindja ndaj normave morale të njohura botërisht.

Kritika e dytë më e madhe ndaj teorisë së Kohlberg u zhvillua nga Carol Gilligan, i cili, mes të tjerash, e kritikoi se kishte përdorur vetëm meshkuj në intervista, duke nxjerrë kështu një vizion jo të plotë për teorinë e tij. Gilligan zhvilloi një koncept morali duke u kujdesur për moralin e drejtësisë dhe të të drejtave. Përfundim Ka një dakordësi të përgjithshme mes studiuesve të kësaj lënde mbi parimin se zhvillimi i moralit ndodh në stade të ndryshme.

Personaliteti i një adulti reflekton karakteristikat e zhvilluara gjatë fëmijërisë, edhe në aspektet e konceptimit dhe plotësimit të moralit. Vitet e para të jetës, në veçanti nga gjashtë në trembëdhjetë vjeç, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm në formimin e personalitetit, por edhe në sjelljet sociale.

Roli i prindërve dhe i shkollës është thelbësor. Në këtë periudhë formohet nocioni i moralit të individëve e, për rrjedhojë, edhe i shoqërisë. Por shpesh, shoqëria aktuale e orientuar kryesisht ndaj konsumit dhe grumbullimit të parave, në këtë periudhë thelbësore të marrëdhënies prind-fëmijë, zakonisht shoqërohet me zhvillimin e karrierës së njërit apo të dy prindërve dhe koha e vëmendja që i kushtojnë formimit të moralit të fëmijës është e kufizuar. Nuk merret mjaftueshëm në konsideratë fakti që, në zhvillimin psikologjik e moral, fëmija është prindi i njeriut.

Përgatiti: Manjola Ereqi / Revista Psikologjia 2016

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top