Besimtarët e krishterë kremtojnë këtë të diel festën e Krishtlindjes. Në Tiranë, u mbajt në orët e para të mëngjesit, në ambientet e Katedrales së Shën Palit mesha e Krishtlindjeve për besimtarët katolikë.
Mesha drejtohej nga kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj, i cili në fjalën e tij uroi të gjithë besimtarët dhe i bëri apel rinisë që të rizbulojë të ardhmen e vendit.
“Në këtë ditë të bekuar ritingëllon me thjeshtësi, butësi dhe forcë fjala e engjëjt: Lavdi hyjit në lartësitë qiellore e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë. Unitet dhe vlera për familjen tonë shqiptare që mblidhet në këto festa. Rinia shqiptare të rizbulojë të ardhmen e vetë në tokën e vetë sepse e ardhmja na përket ne. Të varfrit kurrë të mos dorëzohen përballë pikëllimit që ndonjëherë ballafaqohet me jetën e tyre. Fëmija hyjnor ka një mesazh paqe në pasojat që po mbjell lufta, aty ku është krisma e armëve, akoma më shumë e qara e këtyre fëmijëve na thërret për reflektim”, ka thënë Arjan Dodaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.