Papa Françesku shprehu keqardhje për “situatën e dëshpëruar humanitare” për palestinezët në Gazë dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve, në mesazhin e tij të Krishtlindjes më 25 dhjetor.
“Zemra ime pikëllon për viktimat e sulmit të neveritshëm të 7 tetorit dhe përsëris apelin tim urgjent për çlirimin e atyre që ende mbahen peng”, tha 86-vjeçari, në mesazhin e tij të përvitshëm për Krishtlindje.
“Unë bëj thirrje që t’u jepet fund operacioneve ushtarake me të korrat e tyre të tmerrshme të viktimave të pafajshme civile dhe bëj thirrje për një zgjidhje të situatës së dëshpëruar humanitare duke lejuar furnizimin e ndihmave humanitare”, u tha ai mijëra besimtarëve të mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
Papa bëri thirrje gjithashtu për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez “përmes dialogut të sinqertë dhe këmbëngulës midis palëve, të mbështetur nga vullneti i fortë politik dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar”.
Gati tre muaj pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – situata humanitare në Rripin e Gazës është “një katastrofë” sipas Kombeve të Bashkuara, me 85 për qind të popullsisë të zhvendosur.
Lufta filloi më 7 tetor kur persona të armatosur të Hamasit depërtuan kufirin e militarizuar të Gazës dhe vranë rreth 1.140 njerëz në Izrael, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat izraelite.
Papa Françesku tha gjithashtu se ai kërkon “paqe për Ukrainën”, e cila po feston Krishtlindjet më 25 dhjetor për herë të parë, duke shpërfillur datën tradicionale ortodokse të 7 janarit të kremtuar në Rusi.
“Le ta ripërtërijmë afërsinë tonë shpirtërore dhe njerëzore me njerëzit e saj të përvuajtur, në mënyrë që me mbështetjen e secilit prej nesh, ata ta ndjejnë realitetin konkret të dashurisë së Zotit”, tha ai.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.