Në fokus

December 11, 2017 | 10:12

Krishtlindjet janë për fëmijët

Excited mixed race boy opening Christmas gift

Krishtlindjet janë veçanërisht festa e fëmijëve. Të gjithë presin Babagjyshin me dashuri, i cili do të plotësojë çdo dëshirë të tyre. Në fakt është traditë që, në fillim të muajit dhjetor, të gjithë fëmijët i shkruajnë një letër Babagjyshit, me një listë dhuratash që duan të marrin. Çdo gjë bëhet magjike dhe fëmijët përgatiten për këtë festë me gjithë padjallëzinë e moshës. Nëse keni fëmijë në moshën që besojnë ende te Babagjyshi, mund të vini re se si gjithçka shndërrohet në magji në këtë periudhë. Sot Krishtlindjet e kanë humbur pothuajse të gjithë kuptimin e tyre fetar dhe kanë marrë një rol më shumë tregtar, ku deri në vigjilje të kësaj dite njerëzit vrapojnë për të bërë dhuratat e fundit. Kjo magji e ka kulmin e saj mëngjesin e 25 dhjetorit, kur fëmijët të lumtur vrapojnë për te pema e Krishtlindjes për të gjetur dhuratën e tyre nën të. E kështu magjia vazhdon…!

1

Mbroni Babagjyshin

Plakushi simpatik me mjekër të bardhë që fëmijët e duan kaq shumë, duket se jeton në çdo kënd: në qendrat tregtare, në kinema, në rrugë, në shkollë dhe televizor. Fëmijët takojnë ngado “binjakët” e Babagjyshit, të cilët rrezikojnë ta zhvlerësojnë këtë magji festive. Më mirë shpjegojuni fëmijëve se bëhet fjalë për njerëz që vishen si Babagjyshi. Ata kanë nevojë për magji, mister dhe për pak qetësi: pikërisht për këtë arsye tregojuni për këtë plakush që natën hyn në shtëpi për të shpërndarë dhurata. Është mënyra më efikase për t’i bërë fëmijët të përjetojnë kënaqësinë më të thellë të festave. Ndaj është e rastit të krijoni një traditë që të jetë rreth ardhjes së Babagjyshit në shtëpi: pema, ora kur Babagjyshi vjen, mënyra se si vjen në shtëpi…

T’u tregojmë fëmijëve të vërtetën për Babagjyshin?

Kjo polemikë lindi prej iniciativës së një mësueseje fillore amerikane, e cila u tregoi të vërtetën mizore fëmijëve 6-vjeçarë dhe që ndezi një diskutim të padëgjuar më parë. Si duhet të sillen prindërit? Në fakt, vetëm një gjë është e sigurt: zotëria mitik i veshur me të kuqe është çdo vit i pranishëm… Psikologët Roberta Michelotti dhe Alfio Maggiolini shpjegojnë si duhet të sillemi.

Nuk është gënjeshtër… Një mit i pasur me dëshira

Roberta Michelotti, psikologe dhe psikoterapeute e moshës zhvillimore

Po çfarë gënjeshtre!… T’u thuash fëmijëve që Babagjyshi ekziston është një gjë e shenjtë. Është një përrallë edukative, që forcon përvojën e formimit dhe të rritjes. Përse t’i zhgënjejmë para kohe? Fëmijët ushqehen me magji, adhurojnë kartonët e animuar dhe përrallat. Pandërgjegjshmërisht e dinë se kafshët nuk flasin dhe që superheronjtë nuk ekzistojnë, por jo për këtë arsye do të hiqnin dorë të qëndronin përballë ekranit të vogël. E njëjta gjë vlen edhe për Babagjyshin. Edhe koncepti i pritjes është i rëndësishëm: fëmijët duan gjithçka dhe tani, por gjatë festave ata e dinë se duhet të presin. Që nga letra që i shkruajnë gjyshit veshur me të kuqe dhe deri te marrja e dhuratave të dëshiruara kalojnë të paktën disa javë. Ata e dinë dhe është ndoshta i vetmi moment ku nuk e humbasin durimin. Le të përfitojmë edhe ne. T’i detyrojmë drejt një racionaliteti të parakohshëm duke fshirë vendin ku jetojnë ëndrrat, mitet dhe dëshirat, nuk ka kuptim. U takon fëmijëve tanë të vendosin se kur të dalin nga fëmijëria. Ekziston një fazë rreth moshës 5-6-vjeçare, ndonjëherë edhe më parë, ku vetëdija për realitetin del lehtë në pah: fëmija ndien se përralla është përrallë, por qëndron në stand-by dhe ne duhet ta pranojmë këtë gjë. Përballë pyetjes së drejtpërdrejtë: “A ekziston Babagjyshi?” përgjigjuni me një pyetje: “Po ti si mendon?”. Përgjigjja do të kalibrohet për rrjedhojë, duke përshtatur gjuhën.

3

Momenti i së vërtetës shënon hyrjen në botën e të rriturve

Alfio Maggiolini, anëtar i Institutit “Minotauro” dhe autor i librit “Historia e vërtetë e Babagjyshit”

Vjen një moment ku duhet të keni kurajën për të dhënë të vërtetën. Duke u bazuar në studimet shkencore mosha e duhur është rreth 7 vjeç. Më parë është njësoj si të kishin një barrierë konjitive. Edhe nëse ndonjë fëmijë më i madh mund t’i thotë se Babagjyshi nuk ekziston, ata s’do ta besojnë. Mënyra e duhur për t’ia thënë? Nuk ka një recetë të veçantë. Varet nga konteksti kulturor i familjes. Por këshilla është të përfitoni nga rasti për t’i çuar fëmijët në një nivel më të gjerë reflektimi. Këshilla e fundit: momenti i së vërtetës mund të jetë një zhgënjim i madh, të vegjlit mund të ndihen të tradhtuar, të gënjyer. I takon zotësisë së të mëdhenjve të bëjnë të mundur që kjo ndjesi të kompensohet me vetëdijen se janë vënë në dijeni të një sekreti që u takon të rriturve, që nuk janë më të vegjël. Ky do të jetë një moment gëzimi për të vegjlit tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top