Kristina Jorgaqi
Studiuese, pedagoge drejtuese e organizatës jo qeveritare për gra e vajza, “YWCA of Albania”
Raporti me veshjen është një ndër raportet më të mira që kam me veten e botën përqark. Duhet të ketë ndikuar për këtë që në fëmijëri vëmendja dhe përkujdesjet e veçanta të mamasë time, që, ndonëse mjeke, dëshirën dhe admirimin e saj për të bukurën e “projektonte” thuajse tërësisht në veshjet e mia. Pamja e jashtme, për mua është e rëndësishme. Në fakt, kujdesi që unë kam për të, është pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes që unë kam për veten në përgjithësi. E kujdesit për shëndetin, mbi të gjitha, por edhe e kujdesit për formën fizike, për mirëqenien shpirtërore dhe atë mendore. Aq sa sot nuk jam në gjendje edhe t’i ndaj cilës prej tyre i kushtoj më shumë vëmendje. E vlerësoj dhe kujdesem për pamjen, pasi kam bindjen se ajo flet për ty shumë më shpejt sesa ti të hapësh gojën e të flasësh për veten. Personaliteti yt është shumë i dukshëm pikërisht edhe nga mënyra se si ti mbahesh, pra, si vishesh, si krihesh, si bën tualet. Në këtë kuptim, thënia e njohur për letërsinë që “Stili është vetë njeriu”, është e vërtetë edhe për imazhin.
Një pamje e jashtme e rregullt, aq më shumë e hijshme, është shenjë e respektit ndaj vetes, por dhe ndaj të tjerëve. E kush nuk e ka provuar vetësigurinë, vetëbesimin që të jep një pamje e mirë, e përkujdesur, e hijshme?! Një pamje e tillë ngjall, gjithashtu, emocione, bën të lindin energji pozitive tek njerëzit rreth e qark. Efekti që bën një njeri i hijshëm, në kuptimin e gjerë të fjalës, është pak a shumë si efekti që ka tek njeriu një pejzash i bukur i natyrës apo një vepër arti. Një “sy estetik”, më shumë sesa dhuratë e pastër e natyrës, është dhuratë që vjen prej kultivimit të vazhdueshëm. Mendoj se stilin e veshjes njeriut ia kushtëzon edhe profesioni si dhe veprimtaritë e ndryshme që ai kryen. Puna ime si studiuese dhe pedagoge në universitet, po njëherësh angazhimet në një organizatë joqeveritare për gra e vajza (YWCA of Albania), marrja me veprimtari fizike etj. më kanë shtyrë drejt një stili sport-elegant, për të anuar, sipas rastit, herë nga një stil shumë sportiv(kur udhëtoj, kur shkoj në palestër, kur shkoj me trajnime nëpër Shqipëri), herë nga një stil më elegant, por gjithnjë me elemente sporti (kur punoj në zyrë, kur jap mësim, kur marr pjesë në një konferencë apo mbledhje). E rëndësishme është që njeriu ta përshtatë veshjen, por edhe krehjen e tualetin me mjedisin ku gjendet. Çfarë nuk duhet të ndryshojë, është stili, në kuptimin e asaj që është individuale, origjinale, e jotja. Dhe këtë ta jep shija, inteligjenca, përvoja, bonsensi, por jo paraja. Me para mund të blesh rroba, por jo stil. Ky krijohet në kohë dhe me jo pak mund. Nuk është e thënë që t’i takosh botës së artit apo të modës, që të pretendosh të kesh stilin tënd. Aspak. Çdo njeri, brenda mundësive që ka, mund të përpunojë stilin e vet e të dallohet prej të tjerëve. Dhe, meqenëse vij prej botës së librave, do doja të rekomandoja leximin e një libri, që do t’i ndihmonte shumë gra e vajza për të ndërtuar raporte të mira me pamjen. Ky është libri i Sofia Loren “Femrat dhe bukuria”, një vepër jo vetëm e dobishme, po edhe e shkruar bukur, thjeshtë dhe në mënyrë mjaft tërheqëse. Nuk do ta teproja, po ta konsideroja një bibël të kanuneve të hijeshisë femërore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.