Kryeministri Edi Rama ka qenë i ftuar në studion e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” në News24, ku ka folur pikërisht për fenomenin e bixhozit dhe nismën e qeverisë për t’i vënë kyçin në 31 dhjetor të këtij viti. Emisioni u ndal pikërisht në këtë plagë të shoqërisë.
Njeriu që i tha ‘JO’ bixhozit në Shqipëri foli në studio hapur dhe jashtë debateve politike ku tha ndër të tjera arsyet se si vendosi për të mbyllur përfundimisht lojërat e fatit dhe bastet. Kryeministri e nisi me një batutë me t’u akomoduar në studio: “Shyqyr që në këtë studio nuk të bërtasin ata që të ftojnë”.
“Faleminderit për ftesën, pashë në prapaskenë historinë për varësinë e bixhozit, zbatimi i ligjit është një sfidë e jashtëzakonshme. Bixhozi ishte i paligjshëm edhe në periudhën e komunizmit dhe dënohej me burg. Në 1989 ishin 200 raste të paligjshme”, tha Rama.
Sakaq Elvis Naçi u shpreh se me vendimin për mbylljen e basteve, kryeministri ka bërë gjënë më të mirë dhe po godet në rrënjë një plagë dhe një ves që shqiptarët po i shkatërron dita-ditës.
Rama tha se bixhozi rrënon familjet por se sërish u përball me reagimin e shumë njerëzve që nuk e donin.
“Këtu ndalimi i aktivitetit që siç e tha Elvisi është shumë i përhapur është i lidhur me burimet kriminale të financimit. Unë e kam deklaruar këtë sfidë qysh në ditën e fitores së zgjedhjeve, e kam deklaruar me bindje të plotë që kjo i ka të gjithë të këqijat. Rrënon familjet, prindërit shkatërrohen, ajo që kam parë pasi bëra këtë deklaratë, ishte reagimi i parë i njerëzve që nuk e donin këtë gjë. Hyjmë në një beteje për të luftuar pjesën informale”, tha kreu i qeverisë.
Ai u shpreh më tej se ishte një industri e mbështetur politikisht.
“Një nga momentet e mia të këqija si drejtues i shumicës ishte kur mbeta vetëm me Erion Braçen për të bërë një kompromis për ta shtyrë këtë. Fuqia e lobeve nuk është e vogël, kudo në botë është e fuqishme. U vendos të shtyhet për 31 dhjetorin e këtij viti. Kjo e basteve mori super xhiro. Ishim në Dibër në një mbledhje qeverie. Ishte një proteste që më urojnë mua mirëpritjen nga opozita. Më thonë shoqëruesit dalim nga rruga tjetër, ishte rruge 150 metra. Kishte rreth 20 lokale nga të dyja anët. 90% ishin baste, kazino, bingo, komplet rruga thashë: kjo është çmenduri duhet të ndalojë. Kur e shef atë pamjen këtu 68% e njerëzve e fillojnë 10 deri ne 15 vjeç, ikin nga shkolla dhe luajnë bixhoz”, rrëfeu kryeministri.
Burimi / BalkanWeb
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.