Aktualisht shumë femra të moshave të ndryshme më shkruajnë për probleme të sferës seksuale lidhur me mungesën e dëshirës. Një pjesë e mirë e tyre nuk janë koshiente për ndërlidhjen dëshirë – eksitim – orgazëm, që çdo raport seksual i kënaqshëm duhet të përmbajë. Sot femra është më e lirë të shprehë moskënaqësinë seksuale, por ekzistojnë disa krahina ku marrëdhënia me partnerin kthehet në detyrë dhe detyrimisht gjithçka e detyruar humb lirinë e veprimit, sidomos humb kontaktin me ndjesinë e brendshme, duke u kthyer madje në ndjesi negative (inat, turp, dhimbje).
Shpesh harrojmë që dëshira seksuale është pjesë e DOMOSDOSHME e marrëdhënies. Nëse nuk ka dëshirë femra nuk lubrifikohet dhe mashkulli nuk arrin ereksionin, nëse sjellja e partnerit nuk është në sintoni me pëlqimin e femrës, ajo e humb dëshirën gjatë raportit, duke shkaktuar mungesë lubrifikimi dhe raporti mund të rezultojë jo i këndshëm, madje i dhimbshëm. Ndonjëherë pretendojmë se çdo gjë duhet të ndodhë në mënyrë automatike, duke harruar që çifti kalon disa faza dhe çdo herë ndjesia e dëshirës duhet të jetë koshiente, pra femra duhet ta ketë të qartë çfarë do dhe çfarë i pëlqen në lidhje me sjelljen e partnerit. Dëshira e partnerit nuk mjafton për të kryer një marrëdhënie, nëse partneri ka dëshirë maksimale, mund të provojë t’i risjellë dëshirën femrës me puthje, ledhatime dhe sjellje që ajo parapëlqen.
Ndonjëherë çifti shkëput aspektin seksual nga marrëdhënia më e gjerë, duke harruar që seksualiteti ëshë teatri, ku trupi shpreh pakënaqësitë dhe mërzitjen, ashtu si pasionin dhe intimitetin. Një aspekt shumë i rëndesishëm i dëshirës kur mungon, vjen edhe nga fakti që partnerët pretendojnë të kenë të njëjtën rutinë seksuale në të gjitha fazat e lidhjes, por ashtu siç lidhja ndryshon, ashtu edhe aspekti seksual merr formën në bazë të mirëqenies. Dëshira është aspekti i seksualitetit, që më shumë ndikohet nga gjendja shpirtërore, stresi, feja apo morali, kultura ku çifti jeton dhe sidomos, fazat e ciklit hormonal (ndryshimet më të mëdha te femra ndodhin në adoleshencë, shtatëzëni, pas lindjes dhe në pre dhe menopauzë).
Nëse jemi përballë emocioneve negative, kemi një kundërshtim aktiv të seksualitetit, saqë shtiremi sikur jemi të sëmura, kemi frikë nga raporti, na vjen vështirë dhe ndjehemi më të qeta kur partneri nuk na kërkon raporte, jemi përballë një Dëshire Kundërshtare dhe jo një rënieje, qoftë edhe kohore të dëshirës seksuale. Nëse rënia ose mungesa e dëshirës kalon 6 muaj dhe ju nuk jeni duke përdorur ilaçe (psikofarmakologji), por dëshironi të keni një jetë seksuale aktive, ju këshillohet të konsultoheni me një psikoseksolog.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.