Në fokus

August 27, 2018 | 8:53

Kujdes! Ja çfarë ndodh kur konsumojmë ushqime jo të sigurta

 

Duke marrë shkas nga informacionet e përditshme të kohëve të fundit, sipas të cilave pothuajse çdo ditë evidentohen me dhjetëra tonelata ushqime jo të përshtatshme për konsum dhe një numër i konsiderueshëm subjektesh gjobiten, mbyllen e penalizohen për prodhim, tregtim dhe shpërndarje të ushqimeve të pa garantuara dhe të pa sigurta, është e nevojshme që të mësojmë se çfarë ndodh kur konsumojmë ushqime të pasigurta, të pa garantuara e jashtë standardit.

Nga Dr. Enriko Ceko

Nga Dr. Enriko Ceko

 

 

 

 

 

 

 

 

Nëse konsumojmë ushqime të pasigurta në trupin tonë hyjnë përtej masës që mund të përballojë trupi i njeriut, baktere, parazitë, viruse, kimikate, etj., që nëpërmjet traktit gastrointestinal, përshkojnë tërë trupin e njeriut, duke sjellë dëme shpesh të pariparueshme. Simptomat më të shpeshta të sëmundjeve që merren nëpërmjet ushqimit janë dhimbje abdominale, lodhje, irritime, diarre, të vjella, etj., dhe më tej mund të ndodhin edhe komplikime të ndryshme, që mund të çojnë deri në rrezikun e humbjes së jetës.

Shumica e sëmundjeve që merren me anë të ushqimit janë akute, që do të thotë se zgjasin për një kohë të shkurtër dhe mund të kalohen edhe pa ndonjë trajtim të veçantë, por në disa raste (raste që po shpeshtohen kohët e fundit), kalohet në sëmundje kronike të rrezikshme, që prekin pothuajse të tëra organet e trupit të njeriut.

Bakteret, parazitët, viruset dhe kimikatet mund të penetrojnë në ushqime përgjatë tërë vargut të proceseve të përgatitjes së tyre që nga lëndët e para ë futen në procesin e prodhimit të ushqimeve, e deri në tavolinën e konsumatorit përfundimtar.

Bakteret

Salmonela, kryesisht gjendet në mishin e papërpunuar, bulmetrat, prodhimet e detit, vezët, etj.

Kampylobakter, kryesisht gjendet në mishin e pulave të papërpunara dhe në qumështin që nuk ka kaluar në procesin e pasterizimit.

Shigela, kryesisht transmetohet nga njerëzit e infektuar te të tjerët, si rezultat i mungesës së higjienës personale. Edhe uji, me të cilin furnizohen ndërtesat nga ana e enteve publike të ujësjellës kanalizimeve, mund të kontaminohen me këtë bakter, për shkak të dëmtimeve në kanalizime.

Esherikia koli, kryesisht gjendet në ushqimet e shpejta të pa gatuara mirë, në qumështin dhe lëngjet e frutave të pa pasterizuara dhe në produktet bujqësore të freskëta.

Listeria, kryesisht në mishin e papërpunuar dhe në qumështin e pa pasterizuar djathërat e buta, ushqimet gjysmë të gatshme, etj.

Vibrio, kryesisht gjendet në prodhimet e detit.

Klostridium, kryesisht gjendet në ushqimet e konservuara dhe në peshkun e kripur dhe të tymosur.

Viruset

Viruset janë kapsula me përmasa më të vogla se bakteret, që përmbajnë material gjenetik. Ato shkaktojnë infeksione që mund të çojnë deri në vdekje dhe transmetohen nga njeriu i infektuar te të tjerët. Njerëzit që janë të infektuar me viruse mund të kontaminojnë ushqimet, pijet, tualetet (publike), vendet e punës, vendet publike si autobusët, stolat, lodrat publike, etj.

Burimet më të shpeshta të marrjes së sëmundjeve virusale janë:

– Përgatitja e ushqimeve nga njerëzit e infektuar me viruse

– Peshku që vjen nga ujë i kontaminuar

– Produkte bujqësore që ujiten me ujë të kontaminuar, etj.

Sëmundjet më të shpeshta virusale janë:

  • Inflamacion i aparatit tretës (kryesisht Norovirus)
  • Inflamacion i mëlçisë (Hepatitet)

Parazitët

Parazitët janë organizma që jetojnë në trupin e organizmave të tjerë.

Kriptosporet dhe Xhiardina intestinalis janë vetëm dy nga parazitët që përhapen kryesisht nëpërmjet ujit të kontaminuar. Ushqimet që janë në kontakt me këtë ujë mund të infektojnë konsumatorët. Trikinela është një parazit tjetër që merret nga konsumimi i mishrave të pa gatuara mirë.

Kimikatet

Kimikate të dëmshme që shkaktojnë sëmundje mund të gjenden në ushqime të tilla si:

Peshk apo produktet e detit që janë ushqyer me alga që prodhojnë toksina, Këta lloje peshqish si ton, etj, mund të jenë kontaminuar edhe nga baktere që prodhojnë toksina, që kalojnë te njeriu nëse peshku apo produktet e detit nuk janë gatuar mirë.

Kërpudha të egra, që kanë në trupin e tyre toksina.

Fruta dhe perime të pa lara mirë përpara konsumimit si të freskëta dhe të pa pastruara përpara gatimit si dhe të gatuara jo mirë, të cilat kanë përmbajtje të lartë pesticidesh.

Personat më të rrezikuar:

  • Personat më të rrezikuar nga ushqimet pasigurta janë:
  • Fëmijët
  • Gratë shtatzëna dhe fetusi
  • Të moshuarit
  • Njerëzit me sistem imunitar të dobët

Këto grupe kanë risk më të lartë për të zhvilluar simptoma të ndryshme që lidhen me ushqimet e pasigurta, por askush nuk është i përjashtuar.

Simptomat

Siç u theksua edhe më lart, simptomat e zakonshme të sëmundjeve që vijnë nga ushqimet e pasigurta janë dhimbje abdominale, lodhje, irritime, diarre, të vjella, etj, që zgjasin nga disa orë në disa ditë, ndërsa simptomat e komplikuara mund të jenë dhimbje koke, ndryshim i ngjyrës së lëkurës shoqëruar me komplikacione të tjera të rënda, çrregullime në shikim, këputje, humbje ndjenjash, paralizë, çrregullim frymëmarrjeje, aborte spontane, artrite, çrregullime të trupit nga ana përpjestimore dhe e raporteve të pjesëve të trupit, tension arterial, sëmundje të veshkave, sëmundje kardiovaskulare, etj.

 

Burimi / perqasje.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top