Mirëqenie

January 2, 2017 | 6:00

Kujdes para tryezës së.. festave

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Tryezat e festave të fundvitit janë gjithnjë tunduese. Para tyre nuk ka kompromis, të zgjedhësh njërën e të lësh tjetrën. Zbukurimi dhe larmia e produkteve bëjnë të gjendesh para faktit të të provuarit njëherësh të gjitha. Në këtë përballje të pakthyeshme, abuzimi me ushqimin na shton tri-katër kilogramë më shumë të masës trupore. Ç’t’i bësh? A mund t’i thuash dot jo? Natyrisht që për çdo gjë ka zgjidhje dhe ajo është fare e thjeshtë. E para nuk duhet t’ju mungojë vullneti për të treguar kujdes, ndërsa plani i dytë është praktikimi i këshillave të dietologëve, të cilët na e bëjnë më të lehtë arritjen e qëllimit.

Kujdes me alkoolin

Sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike duhet të shmangin përzierjen e pijeve, që nga ato me gaz deri tek ato alkoolike. Nuk duhet të konsumoni më shumë se 100 gramë alkool. Në qoftë se për 1gr. yndyrë nevojiten 9 kalori, për 1gr. alkool nevojiten 7 kalori. Gjithashtu, tregoni kujdes me pijet me gaz dhe atyre të konservuara, pasi përmbajnë sheqer.
Sasia ditore e sheqerit që i duhet trupit tonë është vetëm 10% e kësaj ose 1 lugë. Arsyeja pse nuk na vjen për të vjellë nga sasia e madhe e sheqerit është acidi fosforik, i cili pret shijen e ëmbël. Pas 20 minutash, sheqeri provokon një shpërthim të insulinës. Mëlçia përgjigjet dhe shndërron në yndyrë sa më shumë sheqer që të mundet. Pas 40 minutash, absorbimi i kafeinës është i plotë. Arteriet zgjerohen, rritet tensioni i gjakut dhe mëlçia vazhdon të hedhë sheqer në gjak. Përçuesit e adenozinës në tru janë bllokuar. Pas 45 minutave, trupi rrit prodhimin e dopaminës, duke ngacmuar kënaqësinë në tru. Pas 60 minutash, acidi fosforik lidh kalciumin, magnezin dhe zinkun në zorrën e hollë, duke siguruar një nxitje të mëtejshme të metabolizmit. Kjo shkaktohet nga sasia e madhe e sheqerit që gjithashtu rrisin nxjerrjen urinare të kalciumit. Kafeina, duke qenë diuretik, ju bën të urinoni shpesh. Kjo siguron largimin nga trupi juaj të magnezit, kalciumit dhe zinkut që duhet të shkonte te kockat e trupit tuaj. Këshillohet të konsumoni sa më shumë lëngje natyrale frutash, sidomos portokalle e agrume, të cilat ndihmojnë mjaft në metabolizmin e yndyrave.

1

Jepuni përparësi sallatave!

Sallatat përmbajnë kalori dhe shumë vitamina. Ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, me hipertension dhe kolesterol të lartë apo diabet, duhet të përdorin sa më pak mish. Gjeli i detit përmban një aminoacid esencial për trupin e njeriut, triptofanin. Ky aminoacid nuk mund të sintetizohet nga vetë organizmi. Ai vepron si një bllok ndërtues në sintetizimin e proteinave.

Po kështu përmban selenium, i cili ndihmon në parandalimin e kancerit. Seleniumi është një përbërës i rëndësishëm i shumë reaksioneve metabolike, duke përfshirë metabolizmin e hormoneve tiroide, sistemet antioksidante të mbrojtjes dhe sistemin imunitar. Gjithashtu, ndihmon në riparimin dhe sintezën e ADN-së, në qelizat e dëmtuara, ndalon zhvillimin e qelizave kancerogjene dhe veteliminimin e tyre. 100gr. gjel deti përmban një sasi seleniumi rreth 39% të nevojave ditore. Gjeli i detit është burim i pasur i vitaminës B-niacin. Përbërës të ADN-së e kërkojnë këtë element, një mangësi e së cilës lidhet me dëmtime gjenetike.

Niacina është shumë e rëndësishme edhe për përdorimin e proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve për energji. Ajo ndihmon në normalizimin e nivelit të sheqerit në gjak. Mangësi të vitaminës B6 ndikojnë në dëmtim të enëve të gjakut nga një molekulë e quajtur omokisteinë. Vitamina B6 ndihmon kthimin e kësaj molekule në të padëmshme. Një sasi prej 100gr. mishi të gjelit të detit jep rreth 22.5% të nevojave
ditore në niacin. Përmban hekur, i cili është një mineral i domosdoshëm sidomos për anemikët apo personat që kanë humbje të flokëve. Po kështu përmban dhe zink, proteina, kolagjen dhe pak kolesterol. Por, kujdes! Ajo që e bën të rrezikshëm konsumimin e gjelit të detit është lëkura e tij, e cila ka të përqendruar mjaft yndyra të ngopura, mjaft kalori dhe kolesterol. Në 50gr. lëkurë gjenden 83mg kolesterol dhe rreth 270 kalori. Kujdes i madh duhet bërë dhe në mënyrën se si e gatuajmë. Që të shmangim yndyrat e tepërta do të ishte e mirë t’i jepnim një valë dhe lëngun e përftuar ta linim jashtë të ftohej, në mënyrë që të hiqnim yndyrën që ngel sipër. Po kështu mënyra e gatimit ka shumë rëndësi: e pjekur, e mbështjellë në letër alumini në një temperaturë jo shumë të lartë (pasi çlirohen lëndë kancerogjene), ose me vaj ulliri sipër (jo me gjalpë). Ushqime të tjera që mund të shfaqin toksikime të ndryshme janë dhe produktet me origjinë shtazore si mishi me nënproduktet e tij, veza (majoneza). Kur mishi ftohet, ai është gjithmonë i ekspozuar ndaj baktereve dhe kur bashkohet me produktet e tjera që kanë të njëjtën gjë, situata bëhet më problematike dhe familjarët janë të predispozuar për t’u toksikuar.

Situata përkeqësohet akoma më shumë kur ushqimet riciklohen në ditët pas festave. Mishi duhet të ruhet në ambient të përshtatshëm dhe në temperaturën e duhur. Shumica e njerëzve e anashkalojnë këtë fakt duke menduar se është dimër dhe temperaturat janë të ulëta. Mishi i ndenjur, i gatuar dy ditë më parë dhe që nuk është i ruajtur në kushtet e duhura, shkakton rritjen e baktereve që bëhen shkaktarë për toksikime. Problematikë tjetër është që, duke qëndruar me ditë të tëra para televizorit (ditë pushimi), mendja u rri të gjithëve vetëm tek ushqimi dhe krijohet një mbingopje. Kjo mund të shoqërohet me të vjella, lodhje, këputje. Se sa duhet të konsumojmë, kjo është individuale për çdo njeri. Varet nga organizmi që ka njëri apo tjetri. Një person që punon gjatë dhe që ka një metabolizëm hiperaktiv nuk e ka problem konsumimin e tepërt të ushqimit, ndërsa dikush që bën një jetë sedentare dhe është person inaktiv nuk e përballon dot konsumimin e tepërt të ushqimeve.

Mos anashkaloni vaktet me idenë që t’i lihet vendi darkës. Nga një ditë e zakonshme trupi ynë duhet të përftojë 35% të kalorive ditore të nevojshme nga konsumimi i mëngjesit, 40- 50% të kalorive nga dreka dhe jo më shumë se 25% nga darka. Dhe në këtë natë të ndërrimit të viteve kemi një disbalancim të tmerrshëm të kësaj përqindjeje. Mëngjesi rekomandohet të jetë sa më i balancuar me karbohidrate dhe proteina. Drithërat dhe buka integrale na ndihmojnë t’i japim energjinë e duhur trurit dhe ndihmojnë trupin të zgjohet dhe të aktivizohet. Karbohidratet të përdoren të gjitha për energjinë që i nevojitet trupit tonë për aktivitetet gjatë ditës të cilat nuk depozitohen në dhjam.

Bakllavaja është një ëmbëlsirë që nuk mungon gjatë festave. 1 racion ka rreth 500-700 kalori, që do të thotë se nga 1 racion bakllava në ditë ne marrim 25-30% të kalorive ditore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top