Bulizmi/Ngacmimi, mund t’i shoqërojë fëmijët gjatë gjithë arsimimit të tyre. Një në katër fëmijë mund të jenë viktimë nga kopshti deri në shkollën e mesme. Shpesh, fëmijët që vuajnë nga “bulizmi kronik” kanë performancë të dobët akademike dhe një marrëdhënie jo pozitive me shkollën.
Megjithatë, në kundërshtim me atë që disa mendojnë, ngacmimi është zakonisht më i rëndë në shkollën fillore dhe tenton të zbehet në shkollë të mesme. Në një studim të kryer nga Universiteti i Arizonës, i cili përfshiu 400 fëmijë, rezultoi se 32% e tyre ‘shpëtuan’ nga përvojat e dhunës psikologjike në shkollën e mesme, ndërsa te 24% e tyre, ngacmimi ndikoi rrjedhën e studimeve dhe pati efekte të dëmshme në mbarëvajtjen shkollore. Në fakt, viktimat kronike të ngacmimit nuk e pëlqejnë shkollën dhe nuk kanë besim në aftësitë e tyre.
Parandalimi, komunikimi mes prindërve dhe mësuesve
Si mund të luftohet bulizmi në shkollë? Përmes punës dhe bashkëpunimit ndërmjet prindërve dhe mësuesve. Në fakt është e rëndësishme që parandalimi i bulizmit të jetë fryt i aktivizimit të njëkohshëm të të dyja këtyre palëve. Kjo do të thotë se, nëse prindërit kanë një dyshim për bulizëm mbi fëmijën e tyre, këtë duhet t’ua thonë menjëherë mësuesve. Dhe anasjelltas, nëse mësuesit vërejnë raste dhune fizike dhe psikologjike ndërmjet nxënësve të tyre, atëherë duhet të bëjnë menjëherë mbledhje me prindërit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.