Në fokus

June 23, 2016 | 8:01

Kur dhimbja kthehet në forcë

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Një vajzë e re, studente vjen në takim dhe menjëherë pa u prezantuar ka një kërkesë urgjente: më duhet të hyj në hipnozë që të takoj mamin, më ka marrë malli shumë për të, ka kohë që nuk po e shoh as në ëndrra… Kjo vajzë e re hyri me një buzëqeshje dhe vazhdonte të më shikonte në sy, si për të më kërkuar një nder: të takonte nënën e saj! Në ato momente përballë këtij malli unë ndihem e pafuqishme. Pasi i shpjegoj se çfarë mund të arrihet me hipnozën u qetësua disi, por e zhgënjyer, sepse unë mund t ’i risillja në kujtesë nënën e saj dhe nuk mund ta “takoja”.

Ajo vajzë vazhdonte dhe fliste për jetën e vet dhe nuk më besohej se si ky fëmijë (akoma 19 vjeç) kishte kaq kurajë dhe forcë të më tregonte gjithçka dhe të ndihej si gjithë moshatarët e vet. Më tregonte se nëna kishte vuajtur nga një lloj kanceri që e dinte vazhdimin. Më tregonte se si për pesë vjet rresht në shkollën fillore ajo kthehej në shtëpi me makthin nëse do ta gjente nënën në shtëpi. Ajo vetë gjatë këtyre pesë viteve e kishte përgatitur për jetën e saj si e rritur. Çasti erdhi dhe nëna u largua, duke i lënë dhuratën më të bukur: të dijë të jetojë edhe pa atë, por e fortë dhe me ndjesinë brenda vetes se ia del për gjithçka. Nuk mjaftoi ky rrëfim, por historia vazhdoi me të atin, që vuante nga një sëmundje që i duhet të jetë gjatë gjithë kohës nën mbikëqyrjen e mjekëve. Ai vazhdon të punojë edhe pse nuk i lejohet të udhëtojë. Megjithatë, ai është aty dhe vajzës i duhet të përballet sërish me frikën se ai mund të largohet. Ajo e di tashmë se kushdo prej nesh do të largohet një ditë, por më e rëndësishmja është se çfarë dhurate lë në këtë jetë. Ky student me fytyrë të qeshur, i shkëlqyer në studime dhe në marrëdhëniet me shokët e vet, më bëri të rikthehem te vetja dhe të shoh se ku ndodhet forca ime apo e të gjithëve në të cilët çdo ditë ankohemi, qajmë dhe mërzitemi për gjëra aq të rëndësishme. Ne përballemi çdo ditë me sfida, por këto janë pjesë e këtij rrugëtimi, i cili nuk ka si të ndodhë që të ishte vetëm një rrugë e drejtë pa pengesa. Ne jemi këtu, në këtë jetë për të mësuar, për të dhënë dhe për të marrë atë që është e pafundme: dashurinë njerëzore. “M’u desh më shumë se gjashtë muaj që të përballoja divorcin, – thotë dikush tjetër, – dhe të mësoj që inatin, zemërimin tim të mos ua kaloja fëmijëve, sepse nuk ishte faji i tyre. Ata kishin nevojë të rrinin larg asaj fushëbeteje në të cilën gjendeshim ne”. “Dua që ditën time të dasmës të mos qaj”, më thotë dikush tjetër…, dhe unë e di shumë mirë se momenti më i vështirë do të jetë kur dikush t’i kujtoj motrën që nuk ndodhet më në këtë dimension. Motra e saj është larguar para disa viteve në një aksident shumë të vështirë për t’u përballuar nga ana emocionale. Pacientja e ka gjetur forcën për ta kaluar atë fazë, por përsëri e kërkon, do përgjigje prej motrës në çastet më të bukura, po ashtu edhe në sfidat e jetës së vet. Ajo ia doli ta kalonte atë dhimbje, të vazhdojë jetën dhe të kujdeset edhe për prindërit (veçanërisht nënën)… Këta janë njerëzit, të cilët çdo ditë na frymëzojnë me forcën e tyre për t’u përballur me gjithçka që na del gjatë udhëtimit tonë. Këta janë njerëzit, të cilët, edhe pse për një moment janë rrëzuar, nuk duan në atë moment të ngrihen përsëri dhe ia kanë dalë. Qenia njerëzore është e vetmja e cila ka fatin të përjetojë emocione kaq të fuqishme dhe po në të njëjtën kohë të ketë edhe forcën për t’ia dalë mbanë. Kur ndeshemi gjatë udhës me të tillë njerëz është fat sepse ata na tundin, na zgjojnë nga frikërat tona, na e zbusin egoizmin i cili ndihet mirë vetëm kur merr diçka, ndërsa këta njerëz na mësojnë që dashuria është ajo që kur e jep të bën të ndihesh mirë. Unë ndihem njeri me fat sepse përballem shpesh me njerëz të tillë shpirtëror, me njerëz të cilët dinë ta gjejnë fuqinë brenda vetes dhe të bëjnë që të ndihesh keq kur mërzitesh, se nuk mund të blesh dot këpucët e tua të preferuara, apo kur nuk i ke rrobat e firmës së njohur, nuk ke mundësi të shkosh me pushime jashtë vendit, por mundesh të shkosh edhe në mal dhe të shijosh gjithçka na ka dhuruar natyra. Këta janë heronjtë shpirtërorë që janë për t’u admiruar, të cilët dinë se si ta drejtojnë energjinë e tyre njerëzore në drejtimin ku ju jeni, por edhe njerëzve që i rrethojnë, sepse në momentin që ti ke forcë për vete ke fuqi edhe për të tjerët!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top