Në fokus

July 16, 2017 | 8:30

Kur e kupton shprehjen “më mirë vetëm, sesa në shoqëri të keqe”

Në këto ditë të nxehta korriku, kur përveç vapës më duhet të duroj edhe ethet e përgatitjes për përmbylljen e ciklit studimor, rastësisisht  sot ndeshem para një  situate që normal më ndodh shpesh…por nuk e di pse pikërsisht sot ndjeva pështjellim dhe nevojë për të hedhur dy rreshta. Ndoshta mënyrë shpëtimi.

1

Nga Sulltana Aliaj Psikologe klinike

Nga Sulltana Aliaj
Psikologe klinike

E fokusuar tërësisht para kompjuterit, e gjej veten të ulur në parkun afër shtëpisë sime. E kam konsideruar këtë vend gjithmonë një parajsë, sepse shijoj kafen, qetësinë , si dhe është  një ambient i bukur për foto. Por sot kuptova se natyra do ndotet gjithmonë nga njerëzit. Dhe nuk e kam fjalën për ndotjen e  mjedisit, sepse për atë është e kotë të flas, por e kam fjalën për një ndotje më të madhe, atë të shpirtit të botës.

Në këto momente jam në një cep të parkut dhe më tërheq  vëmendjen një nënë, grua në karrierë, e bukur, që pse ta mohoj ka admirimin tim. Më saktë kishte.

Më tërheq vëmendjen arrogancë e saj ,teksa ju drejtohet vajazve të saj të vogla, duke iu bërtitur se nuk duhet të bëhen pis, nuk duhet të ndoten. Ah po! Duhet të qëndrojnë si kukulla, nuk duhet të  lëshojnë asnjë njollë mbi fustanin e bardhë, edhe pse arieli ka treguar fuqin që mund ti zhdukë ato. Shikoj në sytë e kësaj nënë dëshirën për të ushtruar pushtet të madh mbi të voglat e saj.

Pastaj rri e mendoj se pse një fëmijë e ka të ndaluar të ngrihet nga vendi, të luajë apo edhe të bëhet pis.Punë e madhe. Kur të rritet do kuptojë dhe mësojë të mbaje veten pastër. Pastaj shikoj sërisht nënën e cila është plotësisht e përkushtuar në telefonatat e saj të punës. Qëndrimi i saj vazhdon të jetë i egër, por zëri i ndryshon. Është më i ëmbël , sepse është duke folur me drejtuesit e saj… se nuk dua të them më i shtirur. Sa të çuditshme janë gjërat ndonjëherë. Në e kemi kaq të thjeshtë të lëndojmë njërëzit tanë më të afër, ndërkohë që për disa të panjohur, por që kemi marrëdhënie formale përpiqemi të nxjerrim më të mirën tonë. Jo rrallë herë më ka ndodhur e mua. E frikshme dhe e shëmtuar. Ne rendim pas punëve, ndërtojmë biseda kontruktive dhe  ndonjë herë harrojmë bekimin e jetës sonë, njerëzit tanë të afërt, pjesë e zemrës dhe shpirtit tonë.

Pastaj më tërheq vëmedejen tavolina përballë. Janë një grumbull vajzash të veshura bukur, të rregulluara deri në detajin më të fundit. Unë jam e veshur më shapka dhe nuk e di si i kam kapur flokët, por ndihem mirë me veten. Vështrimet shigjetuese të tyre nuk cënojnë aspak vetëvlerësimin tim, sepse unë kam kuptuar se njeriu vlerësohet përtej asaj që duket. Por përveç krenarisë së tyre për pamjen  e jashtme, që me shumë mundësi një letër e lagur do i bënte që të thyenin pasqyrën më tërheqin bisedat e tyre. Gjatë gjithë kohës, këto vazja që ke qejf ti shohësh janë duke diskutuar sesi janë zënë dje në party, sesi para një muaji tërhoqën ish shoqen e tyre zvarrë apo sesi në gjimnaz i kishin nxjerrë hundët gjak mësuesit kujdestar. Të them të drejtën, në këto moment më erdhi turp që jam vajzë. Jo sepse mbështes faktin që dhuna është për meshkujt.

Për mua, si vajzat dhe djemtë  kanë njësoj shanse për të dhunuar, ska fare të bëjë më gjininë, ka të bëjë me pushtetin. Më erdhi turp sesi ne , vajzat, qëniet humane, jetë që japim jetë mund të kthehemi në kaq ordinere dhe ta ulim veten kaq poshtë. Pastaj pyes veten se kush nga ato është duku u shtritur që po i beson historitë e tjetrës dhe se përtej të qeshurave ka lodhje dhe mërzitje.

Sot, në parkun tim, që e kam konsideruar parajsë kuptova një të vërteë të madhe: më mirë vetëm se në shoqëri të keqe dhe të shtirur. Sot nga vetja ime, kur të shkoj të fle do më mbetet të paktën ky shkrim, ky reflektim që nën tingujt e muzikës franceze e bën më emocionuese. Po atyre vajzave çfarë do ju mbetet. Shtirja? Po a mund të gënjejmë ne veten? Fatkeqësisht jo! Sot nga parku do lutem gjithmonë që të kem një motiv që të më bëj të jetoj përtej dukjes dhe të kem njerëz që më vlerësojnë përtej dukjes!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top