Nuk do të ketë largim të hidhur, nëse beson se gjithçka do të shkojë mirë… Rimendisionimi i jetës familjare sot ka ndryshuar. Edhe ndryshimet kulturore e tradicionale janë rikonceptuar në bazë të nevojave dhe pritshmërive. Familja moderne është më e përgatitur për t’u përballur me fëmijët e rritur. Hapësira psikologjike, pavarësia janë ndihmues për ecurinë e zhvillimit të fëmijës. Plotësimi i këtyre nevojave përbëjnë zhvillimin e përmirësimin e karakterit.
Në një familje janë prindërit ata që kujdesen për fëmijët. Roli i tyre është dimensional, ka fuqi për të kontrolluar dhe mbajtur nën tutelë pasionet dhe dëshirat e fëmijëve të tyre. Shpeshherë, ky frenim bëhet kërcënues për fëmijët, të cilët duan të jenë të lirë. Edhe pse duken striktë në marrjen e vendimeve, prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre, por mund të ndodhë që të gabojnë e të humbasin drejtimin e duhur që duhet të marrin në jetë fëmijët e tyre. Dëshira e fëmijës së rritur është që të ketë hapësirë individuale, të mos jetë i varur, të marrë vetë vendime, pa qenë e nevojshme të bëjë diskutime të gjata me të gjithë pjesëtarët e familjes dhe pa vënë në peshoren e gjykimit zgjedhjet që bëjnë. Edhe prindërit mezi e presin që fëmijët të jenë të pavarur, por kur vendosen para faktit që ai do të largohet nga shtëpia mbledhin supet apo ngrysen. Për hir të së vërtetës ka ende prindër që frustrojnë apo ndërhyjnë në zgjedhjet e fëmijëve të tyre, por nga ana tjetër kemi shembuj ku vetë ata i inkurajojnë fëmijët që të shkollohen jashtë vendit. Kjo tregon se si familja po fillon të përgatisë largimin apo po zhvillon pavarësinë e fëmijës. Për të nxitur natyrën eksploruese të fëmijës, edukimi i hershëm është tregues i bashkëpunimit dhe i mbështetjes nga ana e prindërve. Përgjatë rritjes së fëmijëve prindërit, përveç karakterit, mësojnë se si fëmijët zhvillojnë aftësitë e përgjegjshmërisë. Si rrjedhojë, ata bëhen më tolerantë dhe kanë besim se fëmijët do t’ia dalin mbanë kur të largohen nga shtëpia. Prindërit si natyrë janë imponuese, protektivë, mbytës herë- herës, dhe këtë e vërteton zemërimi apo natyra jobashkëpunese e fëmijës. Shohim fëmijë të dëshpëruar, me luhatje humori, ankthiozë, të pasigurt, me vetvlerësim të ulët, asocialë, individualistë etj, kjo si rrjedhojë e mungesës së komunikimit me prindërit. Shprehja e dëshirave, e ëndrrave që kanë fëmijët e rritur, sigurisht që vijnë të strukturuara edhe nga familja, inkurajimi i tyre, pasi nga aty marrin hov për t’u zgjeruar më vonë. Është ngushtësisht i lidhur raporti midis prindërit dhe fëmijës, nga ku ai merr modelin për të ecur përpara në jetë. Fëmijët kanë të drejta, në varësi të moshës së tyre, andaj pushteti prindëror privon disa aftësi te fëmija, siç mund të jetë aftësia fizike (aktiviteti fizik), aftësia sociale (interaktiviteti), aftësia aritistike, etj. Nga këto performanca dalin në pah prirjet e fëmijës që e bën atë lehtësisht të identifikueshëm përballë nevojave që zhvillohen më vonë. Një gjë e sigurt nga e gjithë kjo është që çdo prind do më të mirën për fëmijën e tij, që të bëhet i pavarur, të mbajë përgjegjësi për veten, të ketë siguri në vete, të përftojë cilësi pozitive, por për të gjitha këto nuk mund të presësh me dorë në zemër, por duhet punuar fort për të edukuar dhe rritur pritshmëritë që presim të realizohen. Një prind i mirë nuk është ai që flet shumë, që kritikon shumë, që i pëlqen që fëmija t’i bindet për çfarëdolloj gjëje, që mundohet në të gjitha mënyrat për ta vënë në sedër që të ndihet në faj, turp… Një prind i mirë është ai që rritet me fëmijën, mëson me të, dëshiron atë çka dëshiron dhe fëmija, që merr në konsideratë instinktin e tij, që ka besim, që e mbështet pavarësisht moshës. Prindi dhe fëmija kanë një raport që duhet ta kuptojnë nevojën dhe mbështetjen reciproke.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.