Në fokus

August 13, 2016 | 6:30

Kur mirënjohja intrigohet nga mosmirënjohja!

Psikologe klinike

Psikologe klinike

Tek më kanë pyetur a jam mirënjohëse më vjen natyrshëm të them me plot gojë se po. Ky reciprocitet i ndërsjellë nuk mund të më lërë moskokëçarëse ndaj sjelljeve të mira. Përshtypja e parë, sapo përmend mirënjohjen, të sjell një ndjesi pozitive. E tillë cilësohet, pasi na kujton sjelljet tona apo të të tjerëve kundrejt veçorive të personalitetit që mbartim nga një e kaluar dhe rritemi për t’i përmirësuar ato perspektiva në të cilat janë shumë gjëra për të pasur mirënjohje. Koncepti mirënjohje ka të njëjtin gjuhë vlere dhe vlerësimi në shumë kultura. Ka këndvështrime të ndryshme rreth saj, çka na lë të kuptojmë se si mund ta ndërsjellim nivelin e mirënjohjes dhe pse mund ta përvetësojmë kaq lehtësisht. Ashtu si shumë cilësi të karakterit, edhe mirënjohja është diçka e mësuar kushtuar jo vetëm botës njerëzore, por edhe asaj shtazore. Është shumë e rëndësishme kjo e fundit për ta përmendur paralelisht, pasi ne kemi aftësinë për t’i krahasuar sjelljet dhe për të marrë shembull për qeniet që nuk kanë aftësinë e gjuhës për ta shprehur këtë ndjesi kaq me vlerë. Historia njerëzore ka treguar që ka mbështetur dhe vlerësuar ata njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre për jetën shoqërore.

Mirënjohja e atashuar

Mirënjohja është e lidhur drejtpërdrejt me atashimin. Është kjo përkujdesje që lidh nënën me fëmijën, mënyrën se si e ushqen, e sheh, se si kujdeset për foshnjën, siguria që i transmeton dhe qetësia shpirtërore, ku i ngjiz fëmijës këtë ndjesi, emocion të pakushtëzuar. Fëmija të gjithë këtë ngarkesë pozitive e manifeston me rehati, me buzëqeshje dhe shtrëngimin e dorës së nënës kur ushqehet. Nga këtu rrjedh që jo të gjithë fëmijët e kanë përjetuar këtë proces lidhje nënë-fëmijë, që identifikon këtë sintezë dhe që merret e mirëqenë për të gjitha lidhjet, sukseset, dështimet, mangësitë që i ndodhin në jetë njeriut. Ky është një ndër aspektet e mirënjohjes, një tjetër pikëpamje është se ky fëmijë i rritur, i bërë individ, e sheh atë si një marrëdhënie interesi dhe si?

Mirënjohja nën këmbët e interesit!

Në jetën tonë kemi nevojë për një dorë që të na i rrahë shpatullat, për një krah që të na hedhë mbi shpatulla dhe të na thotë (nën zërin e tij të brendshëm fale meje ti do ecësh) – unë do të ndihmoj, dhe ti – (nën zë ja që më duhet t’i bëj lajka ufaaa) do të jem mirënjohës. Kjo është vetja jonë e vërtetë, pasi thellë ne duam që t’ia dalim vetëm, pa ndihmën e kujt, që t’u tregojmë të tjerëve se sa të zotë që jemi, por duhet kuptuar që kjo është një hierarki e nevojave ku i vetëm nuk e vret dot gjahun, ndaj ne nuk kemi mundësi mbijetese nëse nuk do ekzistonin të tjerët në të cilën ne jemi nën influencën e të tjerëve duam apo nuk duam ta pranojmë.

Mirënjohja egoiste (altruiste)

Individët me një jetë aktive janë më të predispozuar për të qenë emotivë dhe altruistë (fenomeni i filantropisë). Por edhe këta persona, që ia kushtojnë jetën apo japin diçka nga vetja e tyre, e kanë një qëllim, kanë nevojën e shpërblimit që është mirënjohja e shoqërisë, pra të ndihen të vlerësuar dhe të inkurajuar për të bërë gjëra të tjera të mëdha.

Mirënjohja e bindjeve të besimit

Është një bindje, e cila na mësohet për t’u ndjerë mirënjohës jo natyrës, por Zotit që krijoi natyrën, për të krijuar mundësitë e aftësive tona të drejtuara nga zëri i brendshëm dhe një kult të ngritur për mirënjohje të gjithanshme. Kjo formë mirënjohje shihet si një utopi nga pjesa tjetër e njerëzve dhe mbart përkushtim e vlera jo vetëm subjektive.

Mirënjohja në distancë

Janë këta miq që na gjenden afër në momentet e dobësive tona, të vështirësive dhe e bëjnë pa dashur të kërkohen të shkëmbyer, për vetë faktin se me këtë gjest që ndajnë duan të falënderojnë për miqësinë që kemi ndarë së bashku, kjo është diçka sublime. Të vlerësohesh për këtë lloj kontributi njerëzor.

Mosmirënjohja

M’u kujtua në një panel televiziv, së bashku me profesorin e njohur Edmond Tupja, ku ai i quajti këto dy komponentë në një gjini femërore ose e thënë ndryshe dy motra, dhe menjëherë bëra një lidhje dy motra rivale me kundërpeshë më të madhe ndaj të fundit. I bukur ky krahasim. Si transformohet kjo ndjesi te disa njerëz, e cila mbart më shumë zemërim ndaj këtij virtyti që e njohim si mirënjohje? Ndodh tek ata individë, që është mohuar, iu hequr kjo e drejtë për të pasur një familje dhe kjo ka ndikuar direkt në formësimin e karakterit të tyre, përgjegjësia ndaj vetes dhe anasjelltas për të tjerët, duke i bërë më tepër seç duhet qenie egoiste, cinike dhe persona narcizistë. Ku janë mirënjohës të bukurisë dhe aftësive personale. Këta individë e kanë shumë të vështirë t’i jenë dikujt mirënjohës, ata mendojnë se këta njerëz i kanë borxh për fatkeqësitë që i kanë ndodhur. Kanë vështirësi në të shprehur, për ta thënë se këta kujdestarë apo prindër, apo kushdo institucion që është marrë me rritjen e tyre, meritojnë një falënderim dhe mirëkuptim. Por sjelljet e tyre bëhen të patolerueshme kur bëhet fjalë për ironinë apo mungesë respekti, kjo pozitë është fituar nga prindër që janë treguar të ashpër në performancat e tyre dhe nuk janë inkurajuar apo mësuar për sjellje që shpërblehen. Një motiv ky që i ka bërë këta individë jo vetëm të shkujdesur, por edhe impotentë për një shoqëri të civilizuar. Miq, mirënjohja është një nevojë, e cila kultivohet dhe rritet brenda nesh, është një indeks për të treguar mirësinë e saj dhe cilësitë pozitive që ndahen me jetën njerëzore, por duhet thënë për hir të vërtetës që, përtej asaj që quhet sublime, sot ajo është subjektive, u përmendën disa forma të saj, por duke qenë se krijimi i njeriut si qenë më e përsosur, ajo mbetet e papërsosur në mendësinë e saj, perceptimin e saj. Nuk mund të mohoj dhe të shkel këtë të drejtë mendimi dhe veprimi që nuk ka mirënjohje të sinqertë. Por mund të pohoj dhe të hamendësoj se njeriu ka qëllime të mira dhe të këqija, të mira, sepse do që të mbahet mend për vepra të mira, dhe të këqija se prapë më këtë mund të arrijë që të mbahet mend me një vepër të keqe. Dhe konflikti vazhdon mes vetes për t’u ndjerë mirënjohës apo për të qenë mosmirënjohës, por kjo jo me veten po me të tjerët. Unë besoj se nuk jemi të dyzuar për të menduar se ndaj kujt jemi më të prirë ndaj mirë apo mos, pasi tek të dyja ne kemi kontribuar në marrëdhëniet tona të ndërsjella. PS. Të jemi të sinqertë me veten se jemi edhe kështu, edhe ashtu.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top