Marrëdhënie

April 16, 2016 | 7:36

Kur një burrë është i gatshëm të bëhet baba

elonaKur një burrë është i gatshëm të bëhet baba? Gatishmëria për t’u bërë prind, ka për qëllim aftësinë e individit për ta kryer sa më mirë këtë rol. Meshkujt në dallim nga femrat janë më të arsyeshëm dhe jo të nxitur nga instinktet. Nëse një femër sjell në mend dëshirën për të qenë shtatzënë, për të përjetuar praninë e foshnjës nëntë muaj brenda vetes pa i dhënë rendësi kohës dhe pasojave, tek një mashkull ka vlerë momenti se kur ai duhet të jetë prind. Dëshira për të qenë baba, mund të jetë më pak e dukshme, thuajse e pa manifestuar emocionalisht nga meshkujt. Krahas kësaj, mund ta konsiderojmë vendimin e tyre për të qenë prind të ndikuar nga arsyeja, nga vlerësimi për veten dhe se kur duhet të ndodhë. Nëse një mashkull gëzon një marrëdhënie të shëndetshme në çift, dëshira për t’u bërë prind bëhet më e pranishme. Natyra mashkullore është e prirur të vlerësojë maksimalisht partneren që ka në krah dhe me të cilën do të vendosë të ketë pasardhës. Respekti dhe vlerësimi i personit që dashuron luan një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm si të dashurën e zemrës, por edhe si figurën ideale të nënës për fëmijët e tij. Kur një mashkull ndihet i realizuar në profesion, me të ardhura të kënaqshme, në prani të një femre që e vlerëson dhe e dashuron, dëshira për të qenë prind bëhet reale.

Pse burrat i tremben shndërrimit në baballarë? Ç’kategori burrash është kjo? Meshkujt ruajnë një kompleks shumë të madh nëse do t’u duhet të vetëquhen baballarë. Menjëherë lind një vetanalizë. Ky ndryshim rrënjësor në jetën time, çfarë do të më sjellë? Ç’pasoja do të ketë në jetën time dhe a do të jem i kënaqur me këtë ndryshim? Sidoqoftë, prindërimi e vë nën presion një mashkull, por jo domosdoshmërisht në aspektin negativ. Nga frika se nuk janë ende gati për të qenë prindër, burrat hezitojnë dhe i tremben shndërrimit në baballarë. Kryesisht meshkujt që nuk janë të prirur për një jetë të rregullt familjare, janë të paqëndrueshëm emocionalisht në raportet e dashurisë, i druhen pranisë së një fëmije në jetën e tyre. Të qenit baballarë konsiderohet si një frenim dhe pengesë në lirinë vetjake.

Ç’këshilla mund t’i ofrohen një babai shumë të angazhuar me punë?

1-Respektoni kohën kushtuar fëmijëve tuaj: Nuk ka rendësi koha fizike. Mjafton një bashkëbisedim i shkurtër mbi ndodhitë e fëmijës në shkollë. Të diskutoni mbi detyrat dhe të pyesni mbi shqetësimet që fëmija ka dhe mund t’iu besojë ju. Stimuloni fëmijët të komunikojnë me ju.

2-Jini vlerësues: Mos neglizhoni asnjë arritje të fëmijës. Vlerësoni çdo krijimtari, qoftë një vizatim, lojë apo rezultatet e marra në shkollë.

3-Dhuroni dashuri: Krahas kohës së kufizuar për të qenë pranë njëri tjetrit, dhuroni sa më shumë puthje dhe përqafime. Shoqërojini ata teksa shkojnë për të fjetur. Përpiquni të drekoni së bashku. Komunikimi është shumë i rëndësishëm. Fundjava dedikuar familjes. Sikurse angazhimet profesionale ju largojnë padashur nga prezenca në familje, përpiquni që fundjava të jetë e tyre. Shkëputuni nga ambienti i përditshëm dhe siguroni një ambient të qetë ku mund të luani e të bisedoni me familjen tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top