Një studim i fundit ka konfirmuar efektet pozitive të një terapie të lashtë, që është falas dhe që mund t’ju ndihmojë të ndiheni më mirë në nivel shëndetësor. Kjo terapi quhet MIRËNJOHJE…
Shumë shpesh kemi tendencën të ankohemi për gjithçka që na rrethon, duke harruar sesa shumë mund të ndikojë një sjellje pozitive kundrejt jetës, në mënyrë që ajo të ndryshojë për mirë. Ata më skeptikët mund të mos i besojnë shumë njerëz që, duke u nisur nga përvoja e tyre, mund të tregojnë diçka pozitive e që janë mirënjohës për jetën e tyre, por pa dyshim nuk mund të injorojnë atë çka vërtetohet edhe nga shkenca.
Studiuesit e Universitetit të Kalifornisë kanë analizuar lidhjen e tendencës për të qenë mirënjohës me përfitimet në nivel shëndetësor te njerëzit me probleme kardiake. Studimi ka përfshirë për tre muaj rresht 186 femra e meshkuj, të cilët kishin probleme kardiake. Grupi i studiuesve u ka bërë pacientëve teste psikologjike për të pasur një panoramë sa më të qartë mbi nivelin e mirënjohjes së pjesëmarrësve.
Më pas këta faktorë, studiuesit i krahasuan edhe me parametra të tjerë duke filluar që nga cilësia e gjumit deri te niveli i vetëbesimit, nga prania e shenjave depresive te nivelet e inflamacionit në trup. Nga analizat e këtij lëmi të madh të dhënash, doli në pah një lidhje mes mirënjohjes më të madhe me humorin më pozitiv, cilësi më e mirë e gjumit, vetëbesim më i madh dhe nivel më i ulët i inflamacionit.
Për t’u thelluar edhe më shumë mbi këtë temë, studiuesit krijuan një nën-grup të pjesëmarrësve, të cilëve u kërkuan të mbanin për tri javë një ditar ku të shkruanin javë pas jave “3 gjëra për të cilat ndihen mirënjohës”.
Te këta subjektë, të cilët patën mundësi të shprehnin më mirë ndjenjat e tyre të mirënjohjes falë ditarit, analizat kanë treguar një ulje të dukshme të inflamacioneve dhe përfitime të ndryshme në nivel kardiak.
Sigurisht që kur gjendemi të përfshirë nga vorbulla e stresit dhe nga mijëra detyrime të përditshmërisë, është e vështirë të gjejmë momentin e duhur për t’i thënë vetes se ka gjëra për të cilat duhet të jemi mirënjohës. Duhet të evitojmë të jemi aq “shumë të lodhur” sa të mos gjejmë as një fije energjie për të thënë një “Faleminderit”. Nuk duhet të lejojmë që forca jetësore të na shuhet, sepse nëse shkëndija që na jep gjallëri na braktis, dalëngadalë do të na braktisë edhe shëndeti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.