Psikofakt

February 15, 2017 | 9:12

Kur nuk të mbajnë nervat, kërko ndihmë / Të dënosh fëmijën nuk shërben për asgjë

Nga Orjona TRESA & Manjola EREQI

Situatat në të cilat përballen femrat shqiptare janë nga më të ndryshmet. Shumica prej tyre, gjenden përpara një realiteti mendësish, ku çdo gjë i duhet ta bëjnë vetë, nënën, prindin, bashkëshorten, vajzën, nusen, shefen, vartësen, e kushedi sa role të tjera. Këto role rrjedhshmërisht u shkaktojnë atyre ngarkesë emotive, aq sa në kulmin e tyre, duket se bëjnë “masë” e nuk dinë se ku i çojnë nervat.

femije-1

Ndëshkimi ndaj fëmijës

Një nga aspektet më të debatueshme të shoqërisë sonë, mbetet marrëdhënia nënë-fëmijë. Janë ato raste kur nënat edhe pse këmbëngulin për rregullat që ndihmojnë në sjelljen e shëndoshë të fëmijës, ky i fundit priret të kundërshtojë deri në rivalitete të tejskajshme.

Por sa vlerë ka ndëshkimi kur fëmija ta pret me të parën, nuk të dëgjon, të kthen fjalën deri sa të ngrejë zërin e mosbindjes në kupë të qiellit?

Nga përditshmëria, veshët na kanë dëgjuar dhe sytë na kanë parë raste pa fund ndëshkimi. Nëna që me pëllëmbë godasin fëmijën vend e pa vend, që i bërtasin dhe tërheqin zvarrë në shenjë teprimi ndaj sjelljes së fëmijës, mbylljen në tualet me ose pa drita, deri aty sa ta nxjerrin jashtë shtëpisë e t’i mbyllin derën në shenjë dënimi absolut. Nuk po përmendim rastet ekstreme, ato janë vërtet për të vënë kujën. Janë të frikshme, fatkeqe. Por, po ndalemi në rastet e sipërpërmendura, të cilat bashkëjetojnë me ne çdo ditë.

femije2

… Dëshmia më e fundit është ajo e një djaloshi të ciklit parashkollor. I gjendur pas portës së shtëpisë qante e ngashërehej me të madhe, duke iu lutur vazhdimisht nënës t’i hapte derën. Kati ku ndodhej banesa e tij ishte pa drita. Fatkeqësisht, llamba ishte djegur, ashtu si çdo herë që vendoset një e re dhe digjet sërish për shkak të tensionit elektrik. Por këtë herë, tjetër tension e kish ngarkuar hapësirën, nën terrin e ambientit të terrorizuar gjithaq nga foshnjaraku. Atypari u gjend një psikologe këshillimi. Për fatin e mirë, ajo dha shembullin fisnik të profesionit që përfaqëson. Nuk përtoi asfare, por iu ngjit katit të lartë me një frymë për të ç’tensionuar situatën. Të qarat e atij vogëlushi u shndërruan në një skenë të dhimbshme për psikologen, njëherësh prind.

***

Të dënosh fëmijën nuk shërben për asgjë

Ndonjëherë, për sytë e një fëmije apo një edukatori, dënimi duket si zgjidhja e vetme kur një fëmijë thotë një gënjeshtër, nuk respekton rregullat, nuk dëgjon…

Por, njëkohësisht prindërit janë edhe të vetëdijshëm, duke qenë se kanë përjetuar shumë herë që, ulërimat dhe dënimet jo vetëm nuk janë produktive, por shpesh gjenerojnë ndjenja faji si tek të vegjlit ashtu edhe tek të rriturit.

Dënimi nuk ka asgjë të përbashkët me edukimin

Më mirë synoni drejt edukimit të shëndetshëm, me veprimet e duhura dhe duke u organizuar sa më mirë. Hapat janë:

  1. Dy prindërit duhet të mësojnë të komunikojnë me njëri-tjetrin, të bien dakord mbi vendimet edukative që duhen marrë për fëmijën, pasi kjo gjë gjeneron siguri dhe qetësi edhe për të vegjlit.
  2. Përshtatja me moshën e fëmijës, ju lejon të jepni rregullat e duhura pa vënë kushte, për shembull kur prindi thotë që është më i madh dhe fëmija duhet t’i bindet atij, pasi kjo gjë ndikon në rritje dhe zhvillim të efektshëm.
  3. Qartësimi i rregullave e lejon fëmijën të sillet në mënyrën e duhur, të dinë me saktësi se çfarë është e mundur dhe çfarë jo.
  4. Caktoni distancën e duhur të marrëdhënies, pasi konfidencat e tepërta e bëjnë fëmijën të mos ju shohë si një prind. Duhet t’i vini fëmijëve kushte që t’ju dëgjojnë dhe t’ju respektojnë si prindër dhe jo si shokë, për aq kohë sa janë ende të vegjël.
  5. Nëse i dënoni, fëmijët nuk vlerësohen drejt pavarësisë dhe përgjegjësisë, por thjesht, fajësohen në defektet dhe mangësitë e tyre. Pra, në papjekurinë e tyre të natyrshme dhe të paevitueshme për shkak të moshës.
  6. Detyra e prindërve është t’i mbështesin dhe t’i ndihmojnë fëmijët që të mësojnë. Por ata nuk do të mësojnë asnjë gjë duke u ndjerë fajtorë.
  7. Duhet të evitoni banalizimet, ta fajësoni për karakterin dhe personalitetin që ka me shprehje të natyrës: “Kam fëmijë të keq” apo “Fëmija im ka karakter të vështirë”.
  8. Nëse sulmohet verbalisht, adoleshenti do të shtojë reagimin emotiv, por do t’i zvogëlohet aftësia njohëse. Në veçanti, ajo e të kuptuarit të arsyeve të prindërve në kufijtë që ata vendosin.
  9. Kur ndjeni se po ju kaplon inati, ndalni. Në vend që të filloni të ngrini zërin e të bërtisni, merrni kohë dhe largojuni kurtheve emotive dhe mundohuni të vëzhgoni dhe të kuptoni debatin që po ndodh. Me t’u qetësuar, mund ta rimerrni sërish bisedën, por me tone të qeta.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top