Cili është momenti i përshtatshëm për një fëmijë?
Prit, prit edhe pak … Të suksesshme, me besim të patundur në vetvete dhe plot ambicie, ato ngjisin hap pas hapi shkallët e karrierës. Axhenda ditore është mbushur me takime deri në orët e vona të mbrëmjes, udhëtime të largëta, kualifikime pas kualifikimesh dhe pjesa e mbetur e kohës dhuruar bashkëshortit, partnerit apo miqve më të mirë. Asnjë problem për brezin e ri të femrave të sotme të suksesit. Problemet fillojnë më së shumti atëherë kur në këtë plan ditor të ngjeshur ato dëshirojnë të inkuadrojnë edhe një fëmijë. Fakt është se momentet e krijimit dhe planifikimit të familjes përkojnë shpesh me periudhën në të cilën projektohen me kujdes hapat e parë të karrierës. Pikërisht për këtë arsye, gjithnjë e më shumë po përvijohet një tendencë e lindjes së fëmijës së parë në një moshë përtej mesit të 30-ve, atëherë kur shumë femra i kanë hedhur piketat dhe po shijojnë frytet e karrierës së tyre. Statistika të ndryshme në perëndim dëshmojnë se numri i lindjeve të grave midis moshës 35 – 39 vjeç paraqet rritje vit pas viti. Por, nga ana tjetër, nuk duhet harruar se me kalimin e viteve përtej një kufiri, rritet njëkohësisht edhe rreziku shëndetësor i një shtatzënie – madje ndonjëherë shtatzënia nuk realizohet dot. Por edhe kur shtatzënia është e suksesshme, një fëmijë i lindur në një moshë jo shumë të re do të thotë një ngarkesë më e madhe psikologjike dhe fizike. Ndaj dhe shumë femra janë në një dilemë të vazhdueshme, ku ndeshen me njëra-tjetrën logjika – që i shtyn ato të presin edhe pak, duke aspiruar drejt standardit aq shumë të dëshiruar profesional dhe zemra – që dëgjon ritmin e tiktakut të orës biologjike dhe i fton të marrin hapin e rëndësishëm.
A mund ta përcaktojmë se kur bie alarmi i orës biologjike? Tiktaku i orës biologjike të një gruaje bëhet gjithnjë e më i zhurmshëm pas moshës 35-vjeçare. Frytshmëria e saj fillon të bjerë gradualisht, gjë që do të thotë se shanset për të mbetur shtatzënë bëhen gjithnjë e më të vogla. Dhe dikur bie alarmi që paralajmëron në mënyrë të pamëshirshme afrimin e menopauzës – “the point of no return”. Po përse është kështu? Natyra i jep si dhuratë çdo vajze, me ardhjen e saj në këtë botë, 1-2 milionë qeliza vezë. Rreth 400 prej tyre arrijnë të piqen dhe ato përbëjnë rezervën që mund të fekondohet. Por numri dhe cilësia e tyre bie gradualisht deri në arritjen e menopauzës. Zakonisht, një rënie më e ndjeshme vihet re pas moshës 35-vjeçare, por ka edhe raste kur kjo rezervë zvogëlohet edhe në një moshë shumë më të re. Mbi të gjitha të prekura nga ky fenomen janë ato gra, të cilat përmbajnë në ADN-në e tyre një version të shkurtuar të gjenit Fragile X apo FMR1. Sipas të dhënave shkencore, këto gra e arrijnë menopauzën më herët se gratë e tjera. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur një grup shkencor i “Qendrës së Riprodhimit Human” në Nju Jork. Përveç problemeve të frytshmërisë, varianti i shkurtuar i gjenit Fragile X është i njohur edhe për të ashtuquajturin Fragile-X-Syndrom, që shkakton probleme në proceset e kujtesës në tru, por njëkohësisht ka lidhje me fenomene të fobive sociale dhe depresionit. Ky përfundim i ka çuar zbuluesit në idenë e zhvillimit të një testi gjenetik, të cilin një femër mund ta bëjë që në moshën 18-20-vjeçare. Rezultatet e tij mund të tregojnë prezencën ose jo të varianteve difektoze të këtij gjeni, duke përcaktuar kështu rrezikshmërinë për një menopauzë më të hershme. Por këto përfundime janë disi të dyshimta në komunitetin shkencor. Edhe metoda të tjera si sasia e disa hormoneve në gjakun e një gruaje (AMH – Hormoni Anti-Müller apo FSH – Folitropin) japin të dhëna nëse një grua mund të mbetet ende shtatzënë. Njëkohësisht, një EKO e kujdesshme mund të japë një prognozë të përafërt, duke marrë në konsideratë madhësinë dhe strukturën e vezoreve. Gjithsesi, ora biologjike e një gruaje mbetet një mister më vete dhe tiktaku apo rënia e alarmit nuk mund të përcaktohen gjithmonë me saktësi të plotë shkencore. Nuk duhen harruar këtu edhe ndikimi i mënyrës së të ushqyerit, duhani dhe sidomos stresi psikologjik i shoqëruar me një ankth të vazhdueshëm të mosmbetjes shtatzënë, të cilat e bëjnë situatën shumë komplekse. Si rregull mund të thuhet se, nëse femra nën moshën 50-vjeçare dhe ato mbi 50 vjeç nuk kanë pasur asnjë periodë respektivisht dy dhe një vit, trupi i tyre nuk është më i aftë të prodhojë një vezë të aftë për t´u fekonduar. Pra, teorikisht, një grua mund të mbetet shtatzënë deri në fillimin e menopauzës dhe ky është një sinjal pozitiv për ato femra që duan të venë një herë rregull në financat dhe karrierën e tyre dhe pastaj “të planifikojnë” një fëmijë.
Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.