Para se të flasim për temën në fjalë, ndoshta është e udhës të njohim pak kontekstin historik nga i cili vijmë sot në 2017. Udhëtarët (përgjithësisht anglezë) të fillimit të shekullit të XX raportonin se shqiptarët martoheshin sapo arrinin pjekurinë seksuale, pra rreth 13-14 vjeç. Ushtria e Austro-Hungarisë kreu një census të pjesshëm në zonat që kishte nën kontroll në vitin 1918 dhe sipas të dhënave të tyre, pra censusit austriak në vitin 1918, për të dhënat që ata kishin, mosha mesatare e martesës në zonat urbane qe 19-20 vjeç për gratë dhe 28-34 vjeç për burrat. Këto janë të dhëna të pjesshme dhe nuk mund të përgjithësohen për të gjithë popullsinë.
Në vitin 2011, sipas censusit tonë në Shqipëri pati 1.4 milionë meshkuj dhe po aq femra. Në vitin 1955, meshkujt martoheshin mesatarisht në moshën 26.4 vjeç ndërsa femrat martoheshin në moshën 20.8 vjeç. Në vitin 1990, mosha mesatare për meshkujt u rrit në 27.4 vjeç ndërsa për femrat në 23 vjeç. Në vitin 2011, meshkujt në Shqipëri u martuan në moshën mesatare 29.3 vjeç ndërsa femrat në moshën 23.6 vjeç. Në Shqipëri, martesa ka njohur ndryshime që lidhen me rritjen e moshës së të dy partnerëve, me thellimin e diferencës së moshës mes të dyve, me rritjen e numrit të martesave që zgjidhen etj.
Rritja e moshës së martesës për meshkujt lidhet me sigurimin e të mirave materiale për jetesën si dhe për të siguruar një lloj pushteti mbi gruan, një mendësi e trashëguar dhe e përcjellë si model përmes shoqërizimit. Ndërsa te femrat shtyrja e moshës së martesës lidhet kryesisht me rritjen e aksesit në shkollim dhe me zgjatjen e kohës së shkollimit. Në kohën kur një vajzë ka kryer studimet e larta apo dhe studime pasuniversitare dhe ka sakrifikuar nga vetja ndër të tjera kohën, raportet me miqtë, ndodh që vjen një ditë kur ajo femër ka gjetur njeriun e duhur dhe shpesh endoset në situatën ku duhet të zgjedhë mes familjes dhe karrierës. Në kushtet e një shoqërie të varfër, ku mundësitë për punësim, strehim dhe pavarësi ekonomike të femrës janë të pakta, po merr gjithmonë e më shumë përkrahje ideja e gjetjes së një partneri më pozitë të lartë ekonomike dhe sociale, duke ushqyer modelin e njohur ndryshe nga studiuesit si prostitucioni latent. Pra, mashkulli i siguron jetesën, ajo në këmbim kujdeset për shtëpinë dhe krevatin.
Me gjithë këto, në këtë shoqëri ka gra për të cilat karriera e suksesshme ka qenë vërtet një ëndërr, dhe përsëri këtu ato përballen me disa faktorë që paradoksalisht e lidhin me njeriun e duhur për jetën. Të pyetura gratë nëse e shohin partnerin që i pengon në karrierë, ato përgjigjen në mënyrë të menjëhershme “po” dhe lidhur me arsyet e dhëna përmendim: Kryesisht në këto dy dekada të fundit, një pjesë e caktuar e meshkujve shqiptarë kanë një situatë të mirë ekonomike, falë së cilës ata nuk dëshirojnë që partnerja e tyre të shkojë në punë. Këtu, për mundësitë e zhvillimit të karrierës nuk bëhet fjalë. Shumë prej meshkujve nuk dëshirojnë të ketë konkurrencë mes tyre, partneri nuk dëshiron të konkurrohet në arritje nga gruaja. Në mjaft zona të vendit, edhe të mëdha urbane, mbizotëron mentaliteti maskilist, sipas të cilit “gruaja është më poshtë” se burri. Paragjykimet nga opinioni janë të forta ndaj meshkujve, partneret e të cilëve janë femra në karrierë. Këta shihen si të dobët, për opinionin “gruaja e vë përpara”. Në një pjesë tjetër partnerësh, femra në karrierë mendohet se lë jashtë vëmendjes kujdesin dhe përkushtimin ndaj familjes dhe për këtë arsye ata e shohin si pengesë suksesin e gruas në aktivitetin e saj profesional. Në mënyrë tradicionale, gruaja është parë si amvisë, si kujdestare e punëve brenda mureve të shtëpisë dhe pak është ushqyer mendimi i afirmimit të saj në profesion.
Në psikën sociale kanë nisur të ndryshojnë disa koncepte, por sërish mjaft prej tyre janë të trashëguara dhe të edukuara. Një arsye tjetër, e cila përbën pengesë për partnerin lidhet me mundësitë që i krijohen një gruaje në karrierë për të njohur meshkuj të tjerë. Këtu ndërhyn xhelozia si një ndjenjë e pakontrolluar e dobësisë së natyrës njerëzore apo si një inferioritet i kultivuar falë shtypjes gjatë zhvillimit të personalitetit mashkullor. Në kushtet e një shoqërie të varfër ku padrejtësia sociale është mjaft e pranishme, shpesh meritokracia dhe karriera kanë qenë mjaft larg njëra-tjetrës, duke i lënë vendin sërish atij prostitucionit latent të përmendur në krye të herës. Kjo ka bërë që në mjaft raste partnerët të ndikojnë, duke i penguar për të mos qenë edhe ato subjekt apo objekt i këtij lloj shfrytëzimi për të ecur në hierarkinë profesionale.
Femra në karrierë është ndër ato çështje ku si rrallëherë përballet psika sociale e trashëguar nga e kaluara, e përcjellë deri më sot, me risinë që sjell një kohë e lirisë që ka prioritet të drejtat e njeriut. Në krahasim me shoqëritë e perëndimit ku karriera nënkupton punë, këmbëngulje, vullnet e sakrifikim, në shoqërinë tonë gruaja në karrierë nuk ka vetëm vështirësitë dhe mundimet që kërkon ngjitja, por edhe pengesat që i vijnë nga gjinia tjetër, e cila nuk bën përjashtim nga kriza e përgjithshme që jeton në këtë shoqëri një individi që nga njëra anë përpëlitet për të mbijetuar dhe nga ana tjetër ka ëndrrën për t’u afirmuar. Besimi për ndryshim lidhet me moshën e re të popullsisë sonë, e cila (sipas Censusit të 2011) me 35.3 vitet e saj është mjaft më e re se 41.2 e 27 vendeve të BE-së.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.