Në fokus

September 28, 2019 | 8:07

Kur përndjekja është e gjinisë femërore

Kur bëhet fjalë për stalking, të gjithë mendojnë për një mashkull që përndjek ish-partneren, i paaftë për të pranuar fundin e marrëdhënies. Më pak i njohur është fenomeni i kundërt; përndjekja nga një femër kundrejt një mashkulli apo një femre tjetër.

Jo gjithmonë viktima e ngacmimeve është një ish-partner. Ndonjëherë mund të bëhet fjalë për dikë me të cilin përndjekësja ka një marrëdhënie profesionale apo miqësie: një fqinje, një kolege, mjeku i familjes… Në raste të rralla, viktima mund të jetë një i njohur apo një person me të cilin përndjekësja ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë.

1

Ndonëse përndjekja “rozë” kalon rrallëherë në dhunë fizike (edhe pse nuk mund ta përjashtojmë) pasojat në jetën e viktimës mund të jenë njësoj shkatërrimtare. Stalker-i femër nuk do të përpiqet të shkatërrojë viktimën e vet fizikisht si meshkujt, por do të hakmerret në mënyrë më indirekte, duke e goditur tjetrin në atë që ka më për zemër: në marrëdhënien në çift, miqësi, në punë apo duke njollosur reputacionin e tij.

Mënyrat që do të ndjekë janë shpifja, sajesa dhe thashethemet, por në rastet më të rënda mund të arrijë edhe te shantazhi, denoncimi e madje edhe tentativa për vetëvrasje dhe sulm fizik. Jo rrallëherë keni dëgjuar apo lexuar raste të femrave, të cilat për t’u kthyer sërish me të dashurin, kanë sajuar një shtatzëni e kur kjo strategji ka dështuar, hapi që kanë ndërmarrë është që kanë vënë në dijeni të gjithë të afërmit se partnerët e tyre i kanë lënë kur ato ishin shtatzënë. Më pas, dëshpërimi dhe inati për braktisjen i ka “detyruar” t’i denoncojnë për dhunë fizike apo përdhunim. Është një strategji prej mendjelehte, por një stalker femër është e aftë të bëjë edhe këto sjellje.

Psikologjia e përndjekëses

Profili psikologjik i një femre që përndjek ka shumë ngjashmëri me atë të një mashkulli. Edhe pse studimet në këtë fushë nuk kanë zbuluar një profil personaliteti të njëjtë, shumë femra mund të shfaqin kritere për diagnozën shqetësimi në limitin e personalitetit. Njerëzit me këtë shqetësim kanë një ndjenjë në vetvete shumë të dobët dhe mund të ndiejnë se ekzistojnë vetëm në një marrëdhënie simbiotike me një person që mbështet vazhdimisht. Është shumë ndryshe nga ajo që të dashuruarit e thonë shpesh “nuk mund të jetoj pa ty”, pasi një femër që përndjek ka në mendjen e saj të fiksuar “pa ty, unë jam asgjë”. Për këtë arsye, partneri shndërrohet absolutisht i rëndësishëm dhe, për rrjedhojë, përballë mundësisë së ndarjes apo braktisjes, persekutuesja ndihet komplet e humbur dhe ka një ndjenjë ankthi të thellë. Në rastin e stalking femëror, përndjekësja mundohet të krijojë me viktimën një marrëdhënie jo domosdoshmërisht romantike, por edhe miqësore për t’i thënë zgjidhje një dileme kryesore në jetën e saj: vetmisë dhe mungesës së një marrëdhënie të qëndrueshme me personin tjetër. Nëse kjo marrëdhënie ndërpritet, përndjekësja vë në veprim një sërë sjelljesh që variojnë nga kërcënimet te tentativa për vetëvrasje për ta detyruar partnerin të mos e lërë.

Young woman looking out her window.Qëllimi i këtyre sjelljeve është ai i ribashkimit, i një hakmarrjeje apo edhe i të dyjave bashkë.

Si ta njihni një stalker femër?

Zakonisht një përndjekëse femër, ashtu si dhe meshkujt, ka tendencën që të fitojë simpatinë e të tjerëve, duke e fshehur brishtësinë e saj me buzëqeshje apo mirësjellje. Askush nuk mund të besojë se kjo vajzë, e cila duket kaq e ndrojtur dhe e edukuar apo kolegia simpatike e plot energji mund të jetë e aftë të bëjë sjellje persekutuese.

Shenja e parë që ju tregon se keni të bëni me një person me çrregullim personaliteti është ndjesia se ndiheni të rraskapitur dhe “emotivisht bosh”, pasi keni kaluar kohë së bashku. Një tjetër aspekt që duhet t’ju bëjë të mendoni për një shqetësim të mundshëm personaliteti është tendenca e të dëgjuarit komente të rastësishme si kritikat keqdashëse, të cilat ngjallin një reagim të tepërt, të pavend për kontekstin ku ndodhin dhe agresivitet të lartë.

Pre e inatit është e paaftë të kontrollohet, ndaj personi me këtë problematikë mund të reagojë ndaj një fyerje të mundshme, duke dërguar dhjetëra e dhjetëra mesazhe me sharje apo me telefonata pa fund, ku në mënyrë obsesive përsërit vazhdimisht të njëjtat fjalë. Karakteristika e këtyre episodeve të inatit është se çfarëdolloj tentative që mund të bëjë personi i përndjekur për ta qetësuar, nuk merr gjë tjetër veçse efektin e kundërt, duke gjeneruar inate të mëtejshme.

Si zhvillohet përndjekja?

Lidhja mes një përndjekësi dhe viktimës së tij shpesh lind nga një njohje e rastësishme, e cila shndërrohet në një kohë shumë të shkurtër në një marrëdhënie tejet e ngushtë. Persekutuesja ka tendencën të idealizojë marrëdhënien me viktimën e saj, duke e perceptuar si më të rëndësishme dhe kuptimplotë nga sa është realisht: për shembull, e konsideron si mikeshën e saj më të mirë një vajzë që e ka njohur vetëm dy-tri javë me parë.

Në një kohë shumë të shkurtër, përndjekësja krijon me viktimën një marrëdhënie simbiotike, duke përvetësuar komplet kohën e saj të lirë dhe pretenduar që të jetë e disponueshme pa kushte. E telefonon 14 apo 15 herë në ditë, edhe në oraret më të pamenduara (për shembull, në mes të natës). Qëndron në telefon me orë të tëra dhe ia beh në shtëpinë e saj në momentet më të papërshtatshme, pa e njoftuar apo telefonuar më parë.

Marrëdhënia me viktimën është e karakterizuar nga paaftësia për të pranuar limite: stalker-ja pretendon që viktima të jetë vazhdimisht në dispozicion të saj dhe inatoset shumë nëse kjo nuk ndodh dhe viktima shfaq një lloj pavarësie personale. Çfarëdolloj tentative për të ruajtur distancën në marrëdhënie, si mospranimi i një ftese apo mospërgjigjja e telefonatës së radhës, lexohet nga përndjekësja si një kërcënim braktisjeje dhe shkakton krizë ankthi dhe inati.

Kur viktima, e dëshpëruar nga një marrëdhënie tashmë e papërballueshme vendos t’i japë fund kësaj lidhjeje, pikërisht në atë moment fillon përndjekja e vërtetë. Nga këndvështrimi psikologjik, përndjekja shpjegohet me pamundësinë për t’u përballur me humbjen. Persekutuesja, e paaftë të kapërdijë dhimbjen narciste të braktisjes, perceptohet si viktima e vetme e kësaj situate dhe hakmerret duke persekutuar. Telefonatat e vazhdueshme dhe mesazhet, sjelljet kontrolluese dhe/apo agresive kanë edhe qëllimin për të ruajtur një lidhje me viktimën. Në fakt për stalker-in (mashkull apo femër qoftë) është thelbësore të marrë çfarëdolloj përgjigjeje emotive nga ana e viktimës, pasi heshtja (mospërgjigjja) gjeneron një ankth të papërballueshëm.

Çfarë të bëni nëse ju përndjekin?

Nëse nuk është e mundur të ndërprisni kontaktet me përndjekësin/en sepse mund të jetë një kolege, fqinjë, i afërm, dikush të cilin jeni të detyruar ta frekuentoni, është e këshillueshme të ftohni gradualisht marrëdhëniet. Ngadalë-ngadalë fusni në marrëdhënie limite, por jini të vetëdijshëm se kufijtë mund të gjenerojnë shpërthime inati te përndjekësi. Në marrëdhënie është e këshillueshme të jini sipërfaqësorë, duke u shfaqur pak empatike dhe folur për gjëra të zakonshme. Funksionon edhe të ankoheni, qoftë edhe për gjëra banale: përndjekësi pret mbështetje të pakushtëzuar nga ju dhe nëse nuk e gjen një përgjigje ndaj nevojave të tij, do të kërkojë mbështetje diku tjetër. Megjithatë, duke konsideruar kompleksitetin e kësaj patologjie, është e këshillueshme të kërkoni edhe mendimin e një specialisti të fushës.

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top