Nganjëherë puna është burim i gëzimit të madh… Një projekt i realizuar, ndjesia se po bën diçka vërtet të vlefshme, mundësia për të shprehur kreativitetin dhe aftësitë. Por gjithnjë e më shpesh, sidomos në momente si kjo, të krizave globale, ndjejmë se puna mund të na lëndojë. Vihemi në siklet dhe ndonjëherë, e shohim veten në kufijtë e ankthit, gjë që në raste ekstreme shndërrohet në vuajtje të vërteta. Çfarë ndodh mes nesh dhe asaj pjese të jetës sonë që i kushtojmë pjesën më të madhe të ditës, punës? Çfarë nuk shkon me të?
Rastet kur puna na lëndon
Sepse nuk e kemi
“Po ju me çfarë merreni”? Shpesh kur jemi për herë të parë përballë dikujt që nuk e njohim, vjen natyrshëm pyetja e mësipërme. Duke njohur profesionin e dikujt mund ta inkuadrojmë më mirë dhe ta identifikojmë në planin shoqëror. Duke u prezantuar si avokat, për shembull, kemi përcaktuar veten dhe identitetin tonë. Rreth figurave të ndryshme profesionale, në të vërtetë imagjinata kolektive ka krijuar stereotipe. Pra duke u nisur nga profesioni përcaktohet stili i jetës apo cilësia e saj. Të jesh i papunë nuk është thjesht problem ekonomik. Problemi kryesor është se në një rast të tillë, i papuni, ndihet i provuar nga përcaktimi i vetvetes. Nuk i përket asnjë kategorie. Është pothuaj si të mos ekzistojë. Në këtë gjendje bëhet e vështirë edhe përballimi i një diskutimi: pjesa më e madhe e njerëzve flasim për jetën e tyre profesionale më shumë se sa për jetën private, ndjenjat e tyre, interesat, dëshirat. A nuk e thotë edhe Eksyperia i të famshmit “Princi i vogël”, nëpërmjet personazhit aq të njohur: “Të mëdhenjtë dashurojnë shifrat. Kur u flet për një shok të ri, nuk interesohen kurrë për gjëra themelore. Nuk të pyesin kurrë: “cili është toni i zërit të tij? Cilat janë lojërat e tij të preferuara? A bën koleksion fluturash?”…
Sepse nuk na pëlqen
“Ta duash punën që bën (që për fat të keq është privilegj i të paktëve) ndihmon në përmirësimin konkret të lumturisë në botë” shkruan Primo Levi në …………. Në të vërtetë të bësh një punë që s’të pëlqen është njëlloj si të martohesh me një burrë që nuk e dëshiron. Është një pakënaqësi që shtohet nga dita në ditë, që minon cilësinë e jetës. Ndaj është themelore të kuptohen arsyet: pse kjo punë s’na pëlqen?
Hidhni hapin e parë. Përgjigjuni pyetjes: Nuk iu pëlqen puna apo ambienti? Është imazhi i vetes që projekton te të tjerët apo fakti që kjo punë nuk iu ofron mundësinë që të shprehni talentin tuaj të vërtetë?
Hapi i dytë: Hetoni arsyet që iu detyrojnë të bëni një punë jo edhe aq shpërblyese. A mos ndoshta nuk keni guximin të përballeni me sfida të tjera, më të mëdha? Apo shpresoni se pikërisht kjo përvojë që po jetoni mund t’iu ofrojë mundësi në rritje?
Sepse jeni nën presion
Një mbingarkesë në punë, probleme me buxhetin, sherre të vazhdueshme me kolegët… janë të gjitha motive që mund t’iu vënë nën stres. Dhe është një ditë e tërë në punë. Dhe vazhdon ditë pas dite…
Në disa raste stresi është i lidhur me situata objektive: ndoshta jeni i detyruar t’i kushtoheni një projekti ekstra, krejt i vetëm. Ndoshta iu kërkojnë të merrni përsipër edhe ngarkesën e punës së një kolegu të sëmurë. Janë gjëra kalimtare.
Në të kundërt, nëse presioni është i vazhdueshëm, çështja e tensionit ka të ngjarë të jetë e lidhur me një mungesë besimi te vetja. Stresi është mbi të gjitha një problem i brendshëm. Më shumë ka të bëjë me mënyrën sesi e përballojmë jetën sesa me dinamikat e zyrës ku punojmë. Shpesh ndihemi nën presion sepse i japim më shumë vëmendje frikës se mos gabojmë ose se mos zhgënjejmë njeri, sesa objektivave të cilat duam t’i mbërrijmë.
Sepse është e pasigurt
Pasiguria në punë mund të të frenojë ose të të nxisë:
Në rastin e parë, të jeni të pasigurt, do të thotë të jeni të brishtë, të dobët, të paqartë apo pa besimin e duhur te vetja. Do të kaloni nga një kontratë në tjetrën pa asnjë perspektivë për të ardhmen? Ndiheni të gjunjëzuar dhe të shantazhuar. Nuk i shikoni kurrë të vëna në vend të drejtat dhe meritat tuaja. Kësisoj, për të mos rrezikuar pushimin nga puna hiqni dorë nga të drejtat.
Rasti i dytë lidhet me konceptin e lirisë. Duke njohur realitete të ndryshme profesionale, pozicione ose detyra të ndryshme, vihesh vazhdimisht në kërkim. Sot, bota e punësimit nuk është më e mbështetur në një pranim të papërcaktuar në kohë. Për pasojë vlerën e vetvetes nuk e përcakton tipi i kontratës që firmos.
Sepse ka MOBBING
Ju ofrojnë punë që iu duket e pavlerë, hidhni poshtë çdo propozim, izoloheni ose kritikoni vazhdimisht: ky është mobbing(paqëndrueshmëri). Cilat janë shenjat: sulme ankthi, pagjumësi, gastrite të vazhdueshme. Nuk duhen nënvleftësuar. Fillimisht është e nevojshme të kuptohet nëse kjo gjendje e të ndjerit keq është e provokuar nga një mobbing real, apo përkundrazi, i keni keqinterpretuar disa sjellje. Pyeteni veten: “Shefi e ka me mua, apo jam unë ai që e kam bërë veten të ndihem i papërshtatshëm”.
Sepse nuk të le kohë
“Nuk vij për darkë pasi më duhet të punoj”… “Do të vonohem pasi jam bllokuar në një mbledhje. Ka disa që për punën sakrifikojnë gjithçka. Dhe jo vetëm ngase e duan punën që bëjnë. Njerëzit që punojnë pa pushim priren ta mbushin ditën e tyre me veprimtari profesionale pasi janë të bindur se, duke kryer shumë detyra, bëhen të rëndësishëm. Kësisoj demonstrojnë përballë vetes dhe të tjerëve, vlerën e tyre. Ndaj lipsur pyetur: 1-Është puna që nuk na lë kohë? 2- Jemi ne që e mbushim kohën tonë vetëm me punë?
Në rastin e dytë të ndjerit keq është i lidhur me një problem ekzistencial: Jemi të bindur se ekzistojmë vetëm kur punojmë. Nuk e ndejmë të njëjtën gjë në pozicionin e prindit, shokut, mikut, bashkëshortit qoftë edhe të një njeriu që ka pasion kinemanë, sportin apo shëtitjet në natyrë…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.