Posta

January 14, 2017 | 7:28

Kur rëndësia e shëndetit mendor nënvlerësohet në krahasim me atë fizik…

Mirëmbrëma! Unë kam një pyetje për psikologen për një shqetësim që po më mundon së fundmi. U bë disa kohë që mendoj shumë negativisht, më konkretisht mendoj vdekjen e djalit tim. E mbuloj në mëngjes kur shkoj në punë dhe më duket sikur po e mbuloj të vdekur, mendoj funeralin dhe çdo gjë. Theksoj që në këto 5 vjet nuk më kanë kaluar mendime kaq negative mbi djalin sa në këto muajt e fundit. Më parë ndoshta mund të mendoja ndonjë gjë për bashkëshortin, mamin ose veten, por jo ndonjë gjë shqetësuese. Ndërsa në këto muaj, nuk ka ditë që mos të më kalojnë në kokë këto mendime. Më prishin ditën, shpeshherë qaj në makinë, rrugës për në punë. Më duket sikur po i ndjell vetes ndonjë gjë, që kurrë mos ndodhtë. Para disa ditësh i tregova një koleges sime, e cila ma lidhi këte situatë me një abort që pata para 6 muajsh. Sipas asaj, edhe pse abortin nuk para e mendoj shpesh, ndoshta më ka lënë këtë frikën ndaj djalit. Sot fola me bashkëshortin dhe më sugjeroi të flas njëherë me psikologen e strukturës ku punoj. Nuk e kisha menduar ndonjëherë kaq seriozisht. Mirëpres çdo këshillë apo opinion tuajin! Ju faleminderit!

Nga Msc.Adelina Pjetra Psikologe Klinike

Nga Msc.Adelina Pjetra
Psikologe Klinike

Përgjigje :

Nga përmbajtja e letrës suaj, duket si një rast depresioni me burim humbje të ndryshme që keni pasur gjatë jetës dhe jo vetëm humbja e fundit (aborti). Struktura e konjicionit(mendimeve) duket e dëmtuar dhe ju keni mendime jo të mbështetura në realitet, gjë që ju sjell vuajtje shpirtërore dhe psikologjike. Keni cilësuar që këto mendime i keni pasur edhe më parë për individë të tjerë, por fakti që këto mendime tani janë fokusuar tek djali juaj, po ju shkaktojnë më shumë dhimbje. Duke zhvilluar një luftë mes realitetit (nëna që jep jetë dhe mbron fëmijën) dhe mendimeve intruzive (ndërhyrëse), frikë ekstreme nga një humbje e mundshme. Patjetër në këtë rast do ju rekomandoj terapi psikologjike, për të kuptuar më mirë burimin e mendimeve tuaja, për të punuar me to dhe për t’ju kthyer funksionimit të shëndetshëm mendor.

Shpjegim….

Të jetosh me mendime, ide të tilla, është vërtet një vuajtje e madhe, ashtu si trupi ka nevojë për një mjek kur dëmtohemi, edhe shëndeti ynë mendor ka nevojë për një ndihmë profesionale që t’i rikthehemi normalitetit. Kushtojini vëmendje vuajtjes tuaj mendore dhe emocioneve. Dhe largoni stigmatizimet për të kontaktuar një Psikolog. Të jetosh në vuajtje mendore, është si të jetosh çdo ditë me një plagë të hapur në këmbë, duke pritur që të shërohet vetë pa marrë asnjë lloj mjekimi. Por ju e dini që kjo nuk ndodh, pasi plaga mund të infektohet dhe mund të rrezikoni të humbisni këmbën. Kjo ju vendos në gjendje alarmi dhe është arsyeja që duhet të shkoni sa më parë tek një mjek. Të njëjtën gjë duhet të bëni me shëndetin tuaj mendor. Jepini vlerë vetes, kërkoni ndihmë dhe jetoni çdo ditë duke funksionuar plotësisht, si fizikisht edhe mendërisht.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top